Një sherr i dhunshëm ka ndodhur mes disa personave në një lokal në Librazhd, ku janë përfshirë katër vëllezër dhe pesë persona të tjerë.
Sipas policisë, në ambientet e një lokali, në fshatin Dragostunjë, shtetasit me iniciale I. Xh., A. Xh., V. Xh. dhe K. Xh. kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasit me iniciale A. N., B. B., E. A., F. F. dhe M. F., të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Në pranga kanë rënë dy prej vëllezërve, shtetasit me iniciale I. Xh., 29 vjeç dhe A. Xh., 31 vjeç për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Prishja e qetësisë publike”, ndërsa janë shpallur në kërkim dy të tjerë, shtetasit me iniciale V. Xh., 38 vjeç dhe K. Xh., 35 vjeç.
Gjithashtu, policia ka nisur procedimi penal për shtetasen me iniciale E. G., 50 vjeçe, kameriere në lokalin ku ndodhi konflikti, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Njoftimi i policisë:
Ndërhyrja e shërbimeve të Policisë parandalon përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet 4 vëllezërve dhe 5 shtetasve të tjerë.
Vihen në pranga 2 nga vëllezërit dhe punohet për kapjen e 2 të tjerëve, pasi në ambientet e një lokali, për motive të dobëta, goditën me grushte dhe me sende të forta, 5 shtetas.
Procedohet penalisht kamerierja e lokalit, pasi dyshohet se ka prishur provat në vendngjarje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, dje, pas njoftimit për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në fshatin Dragostunjë, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit dhe identifikimin e shtetasve të përfshirë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u identifikuan shtetasit e përfshirë në konflikt dhe në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd:
-arrestuan në flagrancë shtetasit I. Xh., 29 vjeç dhe A. Xh., 31 vjeç (vëllezër), për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Prishja e qetësisë publike”;
-shpallën në kërkim shtetasit V. Xh., 38 vjeç dhe K. Xh., 35 vjeç (vëllezër të shtetasve të arrestuar);
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen E. G., 50 vjeçe (kameriere), për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Nga hetimet dyshohet se më datë 09.07.2025, në ambientet e një lokali, në fshatin Dragostunjë, shtetasit I. Xh., A. Xh., V. Xh. dhe K. Xh. kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasit A. N., B. B., E. A., F. F. dhe M. F., të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Po punohet për kapjen e 2 shtetasve në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.