Në orët e para të mëngjesit të sotëm, forcat RENEA kanë nisur një operacion të gjerë në lagjen Dobraç të Shkodrës, në kuadër të hetimeve për masakrën e 30 tetorit 2024, ku mbetën të vrarë katër persona.
Gjatë këtij operacioni, janë kryer kontrolle në disa banesa. Aktualisht, nuk ka informacione për arrestime të kryera gjatë këtij aksioni "blic".
Kujtojmë se Shkodra u trondit nga një atentat mafioz pasditen e 30 tetorit 2024, që la pas katër të vdekur. Pasi e ndoqën për disa metra, persona ende të paidentifikuar i bënë pritë Hamza Licit, vëllait të Ibrahim Licit, që është një personazh i njohur i botës së krimit.
Ata qëlluan me breshëri në drejtim të mjetit tip “Benz” me të cilin po lëvizte Lici, duke e lënë të vdekur dhe më pas u larguan nga vendi i ngjarjes. Plumbat kapën edhe Arlind Bushatin, djalin e Xhemal Bushatit, që ishte kandidat për Bashkinë e Shkodrës në vitin 2023, nën siglën e PD.
Arlind Bushati ndodhej në makinë së bashku me Hamza Licin. Ai mori një plumb në kokë dhe humbi jetën jetën në spital.
Pas të shtënave, makina me të cilin lëviznin Lici dhe Bushati humbi drejtimin dhe shkaktoi aksident, duke përplasur një motoçikletë. Në të udhëtonin një çift bashkëshortësh, Flutura dhe Bashkim Basha. Si pasojë e përplasjes, humbi jetën në vend Flutura Basha, ndërsa bashkëshorti i saj humbi jetën pas disa ditësh në spital.