Jennifer Lopez po përballet me një padi ligjore pasi postoi në rrjetet sociale disa foto të saj nga një festë në Hollywood, pa lejen e fotografit. Fotot janë bërë gjatë një eventi të organizuar nga Amazon MGM Studios dhe Vanity Fair në janar, një natë para ndarjes së çmimeve Golden Globes.
Fotografi Edwin Blanco dhe agjencia e paparacëve Backgrid thonë se ata zotërojnë të drejtat e autorit për dy nga fotot që Lopez postoi. Ata pretendojnë se këto imazhe janë përdorur për promovim personal dhe për të rritur ndjekësit e saj në rrjetet sociale. Ata kërkojnë deri në 150,000 dollarë për secilën foto si dëmshpërblim.
Në fotot që Lopez ndau në Instagram dhe Xu, ajo shihet me një fustan të bardhë dhe një pallto me lesh artificial para hotelit të famshëm Chateau Marmont. Ajo i shoqëroi fotot me mbishkrimin “GG Weekend Glamour” dhe ato u shpërndanë nga shumë fansa.
Padia thotë se përdorimi i këtyre fotove nga Lopez ishte për të promovuar stilistin e saj dhe bashkëpunimet me marka të modës, gjë që përbën përdorim komercial pa leje.
Ligjërisht, personi që shfaqet në foto nuk është automatikisht pronari i saj. Të drejtat i përkasin fotografit ose kompanisë për të cilën ai punon. Backgrid dhe Blanco kanë kontaktuar përfaqësuesit e Lopez dhe thuhet se kanë rënë dakord për një tarifë, por kontrata ende nuk është firmosur.
Kjo nuk është hera e parë që Lopez përballet me këtë lloj problemi. Ajo është paditur edhe më parë për ndarje të fotove pa leje në vitet 2019 dhe 2020.