Disa punonjës të një kompanie telefonike janë proceduar penalisht nga policia e Tiranës. Kjo pasi sipas informacioneve ata nuk raportuan një ngjarje të ndodhur në muajin dhjetor 2024.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Tiranë, pas marrjes së informacionit për një ngjarje të ndodhur dhe të paraportuar, kanë kryer veprime verifikuese dhe hetimore, të cilat çuan në konstatimin e kësaj ngjarjeje, e ndodhur më datë 25.12.2024, në ambientet e një kompanie telefonike, në zonën e Laprakës.
Nga hetimet paraprake rezultoi se rreth orës 02:30 të datës 25 dhjetor, dy shtetas të maskuar kanë hyrë në ambientet e kësaj kompanie, duke dëmtuar drynin e derës së pasme.
Ngjarja është konstatuar nga punonjësi i sigurisë së brendshme i kësaj kompanie, në deklarimin e tij, ka pohuar se nuk janë marrë sende dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.
Punonjësi në fjalë nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese, por dyshohet se ka njoftuar vetëm drejtuesin teknik dhe punonjësit e grupit të shoqërisë private të sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë. Po ashtu, është konstatuar se edhe përfaqësues të kompanisë telefonike kanë qenë në dijeni të ngjarjes, por nuk e kanë kallëzuar atë në organet kompetente.