Qytetarët shqiptarë do kenë mundësi të pajisen me kartë identiteti brenda një harku kohor prej tri ditësh.
Kjo u konfirmua nga Ministria e Punëve të Brendshme, me anë të një njoftimi të shpërndarë për mediat.
Ky shërbim thekson ministria e Brendshme është i aksesuseshëm për të gjithë qytetarët, ndërsa kjo do jetë lehtësi shumë e madhe për emigrantët, të cilët duan të marrin një shërbim të tillë më shpejt se koha normale.
Pajisja me kartë identiteti (ID) brenda tre ditësh do të ketë një kosto prej 3 mijë lekësh.
Njoftimi i Ministrisë:
Koha e pajisjes me ID Kartë zbret nga 14 ditë në vetëm 3 ditë
Risia është lançuar nga IdentiTek, kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve biometrike, duke sjellë një shërbim të ri për qytetarët shqiptarë, përkatësisht e identitetit të shpejtë.
Falë këtij shërbimi, përmes një pagese prej 3 mijë lekësh, çdo qytetar mund të pajiset me letërnjoftim elektronik brenda 3 ditësh.
Shërbimi është krijuar për të lehtësuar dhe përshpejtuar procesin e aplikimit, duke u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë nevojë urgjente për dokumentin e tyre të identifikimit. Procedura e përshpejtuar është veçanërisht e dobishme për emigrantët, të cilët qëndrojnë për pak ditë në Shqipëri, si edhe për të gjithë ata që kanë nevojë të marrin shpejt kartën e tyre të identitetit, qoftë për arsye personale, profesionale apo administrative.
Në vijim të angazhimit për inovacion dhe lehtësimin e aksesit në shërbime, IdentiTek, në varësi të Ministrisë së Brendshme, synon të jetë sa më pranë qytetarëve, duke ofruar produkte e shërbime, të cilat përmirësojnë jetën e tyre.
Aplikimi kryhet në çdo zyrë IdentiTek në të gjithë Shqipërinë. Procedura është e thjeshtë:
• Blini kuponin (me procedurë të përshpejtuar);
• Merrni me vete dokumentin e vjetër ose vetëdeklarimin e humbjes/vjedhjes nga e-Albania;
• Bëni aplikimin në një nga zyrat e IdentiTek;
• Tërhiqni kartën e re po aty ku keni bërë aplikimin.
Ky shërbim është i aksesueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë, duke përfshirë:
• Ata që pajisen për herë të parë me letërnjoftim elektronik;
• Ata që rinovojnë dokumentin e skaduar;
• Ata që kërkojnë zëvendësim për shkak të skadimit, dëmtimit apo humbjes./