Kryeinspektori i Bashkisë Divjakë është dënuar me 1 vit burg, me kërkesë të Prokurorisë së Fierit për ‘Shpërdorim detyre’, pasi lejoi ndërtimet e paligjshme.
Shtetasi me iniciale R.L. nuk ka kallëzuar rastet e ndërtimeve të paligjshme duke vepruar në kundërshtim me ligjin.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet në lidhje me procedimin penal nr.346, dt.14.06.2021 dhe dërgoi në gjyq shtetasin R.L., kryeinspektor i Bashkisë Divjakë për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Gjatë hetimeve rezultoi se, shtetasi R.L, me detyrë Kryeinspektori i IMTV Bashkia Divjakë, me mosveprimet e tij dhe duke mos përmbushur detyrën funksionale,nuk ka paraqitur kallëzim për rastet e ndërtimeve të paligjshme duke vepruar në kundërshtim me parashikimet e ligjit nr.9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme” neni 5, gërma “dh”, si dhe nenit 52 pika 7, të ligjit nr.107/2024 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”. Këto veprime përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës dhe kanë sjellë dëmtimin e interesave të ligjshëm të shtetit.
Ndaj kërkesës së prokurorisë në lidhje me procedimin e mësipërm, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, vendosi deklarimin fajtor i të pandehurit R.L, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 vit burgim”, njofton prokuroria.