Ndonëse jemi zyrtarisht në pranverë, muaji mars duket se ka rikthyer dimrin. Në qarkun e Korçës dëbora ka arritur deri në 5 cm në zonat malore, ndërkohë që ka prezencë edhe në qytet. Sipas të dhënave të gjitha akset janë të hapura.
Akset kryesore nacionale: Qafa e Thanës-Pogradec-Plloçë-Maliq-Korçë-Kapshticë, Korçë-Voskopojë, Drenovë-Dardhë, Qafa e Qarrit-Ersekë-Leskovik, Qafa e Zvezdës-Dogana Goricë, etj ishin të monitoruara nga subjektet kontraktore dhe plotësisht të kalueshme.
Aktualisht nuk raportohen situata emergjente, rrugët dytësore e lidhëse në Bashki janë të kalueshme dhe pa probleme. Po ashtu edhe furnizimi me energji elektrike ka qenë normal.
Reshjet e dëborës kanë përfshirë gjithashtu edhe zonat malorë të qarkut të Shkodrës, ku aktualisht nuk raportohet për rrugë të bllokuara, ndërsa autoritetet po punojnë për mbajtjen e rrugës të hapur.
Ndërsa në aksin Bogë-Theth ka pasur reshje dëbore, dhe qarkullimi bëhet me mjete të larta dhe me zinxhirë.