Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Femi Sufaj, ka reaguar lidhur me lajmet që kanë qarkulluar rreth takimeve private në burgje, veçanërisht për takimin mes të dënuarit përjetë Laert Haxhiu dhe modeles Ziza Pajaziti.
Sufaj konfirmoi se një takim i tillë ka ndodhur, por theksoi se ka qenë shumë i shkurtër dhe është zhvilluar në dhomën e zakonshme të vizitave, jo në dhomat intime. Sipas tij, Pajaziti është paraqitur si e afërme e Haxhiut.
“Nuk ishte takim i zgjatur, por takim në dhomën e vizitave. Gjithë kjo zhurmë nuk dihet pse po bëhet,” – tha ai për Report TV.
Duke iu përgjigjur zërave se vajza të tjera po futen në burg për takime intime me të dënuarit, Sufaj i hodhi poshtë këto pretendime. Ai sqaroi se gjatë muajit qershor janë zhvilluar mbi 7 mijë takime me familjarët, mbi 1 mijë me avokatët dhe vetëm 100 takime kanë qenë intime.
“Takimet intime lejohen vetëm me bashkëshortët ose bashkëjetuesit e të burgosurve, sipas ligjit,” – shtoi Sufaj.
Ai pranoi se në burgun e Korçës është konstatuar një shkelje procedurash në rastin e Haxhiut, por theksoi se janë marrë masat administrative dhe nuk ka pasur raste të tjera të ngjashme.