Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme, më 6 maj 2025, në qytetin e Kurbinit, ku një automjet ka përplasur tre persona, të cilët janë dërguar me urgjencë në spital.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 16:25 në afërsi të Kishës “Shna Ndou”, ku një makinë tip “Benz”, me drejtuese shtetasen A.Z., 45 vjeçe, dyshohet se humbi kontrollin dhe përplasi tre qytetarë që ndodheshin në rrugë. Viktimat e këtij aksidenti janë D.D., 21 vjeçe, E.R., 39 vjeç dhe A.Gj., 18 vjeçe. Të tre janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Kurbinit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se, fatmirësisht, të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, drejtuesja e automjetit është shoqëruar nga policia për të vijuar procedurat hetimore dhe për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin.
Në vendin e ngjarjes mbërriti menjëherë grupi hetimor, i cili po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të mbledhur prova të nevojshme.