Sipas të dhënave nga një agjenci europiane që monitoron zjarret, këtë vit në Shqipëri janë djegur rreth 2800 hektarë pyje dhe kullota, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 17 milionë eurosh.
Të dhënat vijnë nga European Forest Fire Information System, që ndjek situatën e zjarreve në të gjithë Europën. Sipas raportit, zonat më të prekura janë ato pranë Vlorës dhe Lezhës.
Megjithëse jemi ende në gjysmën e parë të vitit, ekspertët theksojnë se dëmi është më i ulët krahasuar me vitin 2024, i cili konsiderohet ndër më të rëndët në 15 vitet e fundit, me një humbje totale prej rreth 280 milionë eurosh nga zjarret.
Për të përballuar situatën dhe për të parandaluar përhapjen e zjarreve, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë angazhuar me mjete dhe personel në terren. Aktualisht janë në përdorim 64 automjete zjarrfikëse dhe drone patrullues, që ndihmojnë në monitorimin nga ajri dhe reagimin e shpejtë në rast emergjence.