Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Të ardhurat për frymë në Europë në periudhën (1922-1938), Shqipëria dhe varfëria e saj historike

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Për shkak të pushtimeve shekullore, Shqipëria historikisht ka qenë një vend i shtypur dhe i varfër. Por fatkeqësisht edhe pasi krijoi shtetin e pavarur, vendi ynë duhet theksuar se mbeti një vend i varfër dhe vazhdon të konsiderohet sot e kësaj dite një ndër vendet më të varfra të Europës. Kjo, për arsye nga më të ndryshmet, si të qeverisjeve të këqija dhe vizionit të gabuar të udhëheqësve që kanë drejtuar Shqipërinë në 100 vitet e fundit.

Në prapambetjen historike, në mungesë të shtetit të së drejtës, të funksionimit të demokracisë liberale, ata të cilët kanë pasur fatin të drejtojnë Shqipërinë, nga të dhënat ekonomike, rezulton se më shumë kanë punuar dhe menduar për pushtetin e tyre, në kurriz të zhvillimit dhe të ardhmes së vendit.

Sipas një publikimi të Universitetit të “Cambridge”, “Historia Moderne e Europës” nga të dhënat e publikuara mes dy luftërave, Shqipëria ka qenë vendi më i varfër në rajon edhe asokohe dhe mbetet edhe sot nga vendet e analizuara (shih tabelën në fund).

Zvicra si shtet neutral, duke mos u përfshirë në luftë, thelloi diferencën me vendet e tjera në prag të Luftës së Dytë Botërore, si vendi me GDP më të lartë për çdo banor në Europë. Edhe sot e kësaj ditë Zvicra vijon të mbetet vendi me standardin më të lartë të jetesës në kontinent.

Siç tregon dhe tabela, Zvicra ka pasur thuajse të njëjtin standard jetese, në vitin 1922, me Britaninë e Madhe dhe Holandën, kohë kur në Shqipëri u instalua qeverisja e Zogut, i cili më vonë do të shpallej mbret.

Të dhënat për vendin tonë i referohen vetëm vitit 1929, ndryshe nga të dhënat për shtetet e tjera që i referohen tre periudhave të ndryshme (1922, 1929 dhe 1938 ). Në vitin 1929, të ardhurat për frymë në vendin tonë ishin sa gjysma e të ardhurave të qytetarëve grekë.

Ashtu si tani, edhe në periudhën mes dy luftërave, vendet më të pasura ishin në perëndim.

Në vitin 1938, kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, vetëm dy vende në Europë i kishin të ardhurat për frymë mbi 6 mijë dollarë: Zvicra dhe Britania e Madhe.

Gjermania naziste dhe Italia, siç tregojnë të dhënat historike të “Cambridge” për shkak të shpenzimeve marramendëse në ushtri, nuk renditeshin mes vendeve të para europiane me të ardhura të larta për frymë.

Sipas Bankës Botërore, të ardhurat për qytetarët shqiptarë në vitin 2021 ishin 6,492 dollarë, gati aq sa i kishte Zvicra para luftës, ndërkohë duhet theksuar që paraja bazë në analizë (dollari), ashtu si çdo monedhë tjetër, është zhvlerësuar ndjeshëm me kalimin e dekadave.

Greqia, vendi i Bashkimit Europian, ka një GDP për frymë prej 20,192 dollarësh sipas analizës së bankës Botërore për vitin 2021, gati tre herë më të lartë se Shqipëria (ndërkohë që Greqia i ka pasur para Luftës së Dytë Botërore të ardhurat vetëm dy herë më të larta se Shqipëria). Kjo tregon se vendi fqinj, ashtu sikurse edhe vendet e tjera të rajonit, kanë performuar shumë më mirë se Shqipëria në shekullin e fundit, në ekonomi, sidomos pas dy luftrave.

Kështu, në vend të glorifikimit të ‘udhëheqësve legjendarë’, përmes analizave më të sakta ekonomike, krahasuese me vendet e tjera të rajonit, mund të jepen tablo më realiste për të ndërtuar politika më efikase dhe perspektiva më të mira ekonomike për të ardhmen e vendit.   /Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH