Aktualitet

SHIFRA E DITËS: E vërteta e 1 milion pemëve apo e 150 milionë eurove (në vetëm tre muaj) për betonizimin e Tiranës! Cila prej tyre duhet besuar?

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Tirana vazhdon të ngushtojë hapësirat e saj të blerta, edhe pse në tremujorin e dytë të viti 2023, qytetet bregdetare si Durrësi apo Vlora dhe Lezha kanë regjistruar numrin më të madh të ndërtimeve. Por megjithatë, ndërtimet në kryeqytet, në këtë tremujor, sipas të dhënave zyrtare, në vlerë llogariten 8 herë më të larta se ato në Durrës kurse në sipërfaqe zënë rreth 6 herë më tepër tokë.

Në tremujorin e dytë 2023 janë miratuar gjithsej 509 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 339 leje të miratuara në tremujorin e dytë 2022, duke shënuar një rritje prej 50,1 %.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e dytë 2023 në të gjithë territorin është 652.136 m 2, nga 661.945 m 2 miratuar në tremujorin e dytë 2022, duke shënuar një ulje prej 1,5 %.

Në tremujorin e dytë 2023, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 24,4 miliardë lekë, nga 25,9 miliardë lekë miratuar në tremujorin e dytë 2022, duke shënuar një ulje prej 5,8 %.

Durrësi e ka kaluar Tiranën, sa i përket numrit të lejeve të ndërtimit që është miratuar në tremujorin e dytë të vitit 2023. Në qytetin bregdetar janë dhënë 156 leje ndërtimi nga 138 që janë dhënë për kryeqytetin. Diferenca me qarqet e tjera është aq e madhe saqë qarku i tretë me më shumë leje në tremujorin e dytë të vitit 2023, është Vlora (50) dhe më pas Lezha me rreth 30 të tilla. Fakti që vijnë Vlora dhe Lezha pas Durrësit, sa u përket ndërtimeve në prag të sezonit turistik tregon se ngaqë turizmi shihet se e ardhmja e ekonomisë, edhe ndërtimet janë duke u zhvendosur vitet e fundit përgjatë bregdetit.  Por paraqitet e varfër panorama në pjesët e tjera të vendit. Vetëm 3 leje ndërtimi janë dhënë në Kukës, 4 në Dibër dhe 5 në Berat.

Interesant është fakti se Tirana edhe pse ka miratuar më pak leje ndërtimi se Durrësi në tremujorin e dytë të këtij viti ka ndodhur e kundërta me sipërfaqet e ndërtimit. Kështu janë dhënë në Tiranë 460.872 m2 sipërfaqe për ndërtim, duke zënë një sipërfaqe rreth 6 herë më tepër se qyteti bregdetar (74.973). Tirana prej vitit 2022 kur vendi doli nga pandemia dhe iu rikthye normalitetit, në çdo tremujor, edhe pse flitet për miliona pemë që mbillen, sipas INSTAT, ka thyer rekord për sa i përket sipërfaqes së betonizuar. Në tremujorin e dytë të vitit 2022 Tirana miratoi sipërfaqe për ndërtime (388.073) në të tretin (271.611) në të katërtin (348.310) dhe në tremujorin e parë të vitit 2023 (199.580) për të thyer rekord në tremujorin e dytë (460.872).

Edhe përsa i përket vlerës së shpenzuar në ndërtime, Tirana mban kryesimin me një diferencë të madhe karshi të gjitha qarqeve të tjera. Në tremujorin e dytë në Tiranë vlera e ndërtimeve kap shifrën e 16.072.582.000 lekëve, ose rreth 150 milionë eurove.

Ndonëse qyteti bregdetar ka miratuar më shumë lejë ndërtime se Tirana në tremujorin e dytë të vitit 2023, ndërtimet në Durrës zënë një vlerë prej 1.974.254.000 (lekë), ose 8 herë më pak se vlera e ndërtimeve në Tiranë, çka do të thotë se në Tiranë bëhet fjalë jo vetëm për ndërtime të larta (kulla) por edhe për komplekse të mëdha dhe me shtrirje të gjerë. Qarku i dytë që ka vlerën më të madhe të shpenzimeve për ndërtime pas Tiranës nuk është Durrësi por Vlora, me rreth 3.063.452.000 lekë. Harta e këtij viti tregon qartë se investimet në ndërtim janë të fokusuara në kryeqytet dhe bregdet. Shpenzimet për ndërtime për secilin në 9 qarqet e tjera të vendit kapin vlerën e një kullë mesatare në Tiranë. Interesant është fakti se qarku me vlerën më të ulët të investimeve në ndërtime në tremujorin e dytë të vitit 2023 është Shkodra me vetëm 77.750.000 lekë. /Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Bashkia e Tiranës mbi 3 muaj pa kryetar! A duhet të shpallë qeveria zgjedhje të reja për kryeqytetin?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH