Aktualitet

Sherr në Durrës, qëllohet me armë zjarri në ajër

Shkruar nga Liberale
Sherr në Durrës, qëllohet me armë zjarri në ajër

Policia parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti  me armë zjarri mes disa personave

Reagimi në kohë e me profesionalizëm vë në pranga dy autorët e konflikti me armë zjarri të cilët  tentuan të largohen me shpejtësi me automjet por u kapën gjatë ndjekjes nga  shërbimet e Policisë.

Sekuestrohet një armë zjarri tip pistoletë dhe automjeti.

Strukturat e Drejtorisë  Vendore të Policisë Durrës,  me marrjen e njoftimit se në lagjen nr 18 Durrës po ndodhte një konflikt mes disa personave dhe njëri prej tyre po qëllon me armë zjarri në ajër, kanë shkuar  menjëherë  në vendin e ngjarjes, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Shtetasi që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër  së bashku me shokun e tij në momentin që kanë parë Policinë  kanë tentuar të largohen me shpejtësi me automjet  por janë kapur në flagrancë gjatë ndjekjes nga shërbimet e policisë.

Policia bëri të mundur bllokimin e automjetit si dhe vënien në pranga të shtetasve   A.B., 26 vjeç (pasagjer në mjet), i cili dyshohet se është personi i cili ka qëlluar me armë zjarri dhe E.K., 30 vjeç, (drejtuesi i mjetit)  të dy banues në Durrës.

Gjatë kontrollit të ushtruar u gjet dhe  u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit tip pistoletë me disa  fishekë luftarakë.

Shtetasit e arrestuar njihen si persona me precedentë të mëparshëm në fushën e krimeve kundër personit dhe kundërshtimit të punonjësve të Policisë.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e shkakut të konfliktit, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore  materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale " Mbajtja pa leje i armëve dhe i municionit"  dhe "Prishja e qetësisë publike" në ngarkim të shtetasit A.B., dhe "Moskallëzimi i krimit " në ngarkim të shtetasit E.K.

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH