Policia italiane ka arrestuar një shtetas shqiptar 37-vjeçar në zonën “Don Bosco” të Bolzanos. Ai ishte në kërkim prej pesë vitesh dhe ndaj tij kishte një urdhër arresti nga Prokuroria e Milanos.
Shqiptari ishte dënuar me 7 vite e 4 muaj burg për trafik droge dhe përndjekje. Ai kishte qenë pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, si pjesë e operacionit të njohur si “BESA”, i zhvilluar në vitin 2020 nga autoritetet italiane.
Gjatë atij operacioni, u sekuestruan rreth 25 kilogramë drogë dhe u arrestuan 21 persona, shumica shqiptarë. 37-vjeçari kishte arritur t’i shpëtonte arrestimit në atë kohë dhe qëndroi i fshehur deri tani.
Operacioni "BESA" kishte zbuluar një rrjet të madh droge që vepronte në disa zona të Italisë dhe jashtë saj, ku përfshiheshin shqiptarë që jetonin në Itali, Shqipëri dhe Zvicër.