Policia e Durrësit dyshon se shkak i zjarrit në tregun industrial në Durrës është një shkëndijë elektrike në çatinë e njërit prej dyqaneve. Më pas, flakët janë përhapur si pasojë e erës.
“Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në çatinë e njërit prej dyqaneve, dhe është përhapur si pasojë e erës. Si pasojë pati vetëm dëme materiale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, me qëllim dokumentimin e rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me këtë rast”, njoftoi policia.
Zjarri në tregun sezonal shkrumboi mbi 20 dyqane dhe rrezikoi banesat që ndodheshin aty afër. Flakët u përhapën me shpejtësi duke shkaktuar panik mes tregtarëve, pushuesve dhe banorëve të zonës. Fatmirësisht nga ngjarja nuk pati asnjë të lënduar.