Ingenious

Gentjan Progni, hakerimi i hakerit më të njohur në Shqipëri

Shkruar nga Liberale

Luiza Pinderi

Ishte pasditja e 7 prillit të 2009-ës, kur mori një telefonatë të papritur për një intervistë pune. E thërrisnin nga Balkanweb, ndër të parat media që debutoi në botën e internetit, në kohën kur ato online nuk njihnin shpërthimin e tanishëm dhe nuk ishin kaq të zakonshme. Në fillim hezitoi, nuk donte të linte kafen me të fejuarën, por edhe për shkak të orarit. Urgjenca e thirrjes nuk i jepte kohë për të shkuar në shtëpi, për të ndërruar rrobat sportive e për të veshur diçka më të denjë për rastin.

“Ka qenë intervistë shumë mbresëlënëse me Kasem Hysenbelliun”, kujton Genti, me një nënqeshje dashamirëse, teksa kthehet në retrospektivë për të përzgjedhur mes mijëra grimcave të së kaluarës. Datën ia sjell të freskët fjalimi i ish-kryeministrit të atëhershëm, Sali Berishës në samitin e NATO-s, kur Shqipëria sapo ishte pranuar në këtë organizatë dhe më 7 prill u ul për herë të parë në tryezë me vendet anëtare.

Teksa po hynte për të realizuar intervistën në ambientet e televizionit News 24, veshët i kapën frazën e famshme, tashmë  të përjetësuar të Berishës: “This is miracle of freedom”. Intervistimi do ta habiste edhe më shumë, duke i krijuar konfuzion dhe shumë përgjegjësi, të paprovuar më parë në atë masë.

“Sapo futem aty, Kasemi më thotë: “Nuk dua të të bëj asnjë pyetje se nuk marr vesh fare. Personi që kishim është larguar dhe nuk ka dorëzuar asnjë akses. Më kanë thënë që ti je haker i zoti dhe mund t’i marrësh”, kujton ai. Mban mend edhe krahasimin që i bëri, duke e quajtur një faturino që ishte përgjegjës për gjithçka,  në autobusin ku sapo kishte vendosur këmbën. Sapo kishte lënë punë si IT në INTERSIG dhe kjo ishte hera e parë që përballej me botën e medias, prej së cilës vijon të jetë i mbërthyer. Vendosi ta pranojë si sfidë me idenë se do të zgjaste shumë pak, ndoshta një muaj apo edhe më pak.

Ditën e parë të punës, kur ende s’kishte marrë akseset për të hyrë në faqe, i kërkuan të publikonte një sondazh. Ishte si një provë zjarri, që me ndihmën e shokut, të cilin e kujton edhe sot me mirënjohje, kaloi me sukses dhe u konkludua me marrjen e punës si webmaster, që nisi me shumë skepticizëm por zgjati për rreth 8 vjet.

Të parët ishin numrat

Sot ai është një ndër ekspertët më të njohur të teknologjisë në vendin tonë, ka një biznes të vetin dhe drejton në Youtube podcastin Crypto Friends. Gjendet në çdo studio televizive apo medie online dhe është zëri më i rëndësishëm sa herë që flitet për teknologjinë, aplikacionet, apo ka një problematikë të ngutshme ku varet fati i vendit. Afro 3 dekada më parë ishte thjesht një fëmijë që i pëlqenin numrat. I pëlqente të numëronte lekët, adhuronte makinën llogaritëse dhe urrente të mësonte përmendësh vjershat apo të bënte hartime në shkollë.

“Më dukeshin vështirësia më e madhe e jetës sime”, shprehet ai. Nuk e përfundonte dot një libër as për 4 muaj, ndoshta edhe për 4 vjet, por mund të rrinte 4 ditë me një problem matematikor, deri në momentin që gjente zgjidhjen e duhur.

“Numrat janë të bukur: Nëse ata nuk janë, asgjë nuk është”, thoshte matematicieni hungarez Paul Erdos, për t’ua mbyllur gojën të gjithë atyre që shohin me skepticizëm të kundërtit e vetes. Kur ishte 7 vjeç dhe fitonte gjithmonë me lojën e famshme “Super Mario”, përballë të vëllait dhe shokëve, kuptonte zotësinë dhe aftësinë në lojë, por as i shkonte ndër mend se ajo dëshirë fëmijërore do t’i drejtonte jetën.

“Loja kishte disa kode. Mënyra sesi shtypje tastierën bënte efekte më të mira në lojë për të fituar. Këtu lindi dëshira për të thyer kode”, tregon ai. Kjo dëshirë i kishte nxitur imagjinatën për t’u zhytur në botën e kompjuterit, për të eksploruar atë që dukej si një kuti, por ishte e pafundme, si një vrimë e zezë në univers që vetëm mbledh, shton opsione dhe mundësi për të bërë gjëra të reja.

Në gazetën "Çelësi" pa një njoftim për shitjen e një kompjuteri dhe me ndihmën e babait e bëri të vetin. E kujton edhe sot me shumë dashamirësi Gjergjin, personin që e shiste, i cili kur u njoh me pasionin e tij, u kthye në një mbështetës dhe asistues i vazhdueshëm, për t’i siguruar mjetet që i duheshin dhe kompjuterë më cilësorë. Më vonë e punësoi në qendrën e tij të internetit, ku ndreqte  kompjuterë apo instalonte programe.

Një lajm në televizionin Klan, për sallat e reja të kompjuterëve në gjimnazin “Sami Frashëri”, bëri që ai ta përzgjidhte për vijimin e shkollës. Edhe aty spikati aftësia për kompjuterët, saqë mësuesja e Informatikës e këshilloi të atin që ta regjistronte në kurse,  për ta kthyer pasionin në profesion. “U futa në kurs për programim te Rremion Baçova. Se harroj, edhe sot e kësaj dite i them profesor. Ishte më tepër kurs privat sesa i certifikuar dhe aty mësova dy gjuhë programimi. Ishim 5 veta në kurs, nga të cilët 4 janë jashtë dhe 1 ka mbetur”, tregon më tej duke qeshur.

Njohja me Remionin i solli edhe punësimin në INTERSIG, i cili fillimisht e mori si zëvendësues për disa ditë që do të largohej jashtë vendit, por duke parë aftësinë që kishte i propozuan ta punësonin. Sapo kishte mbaruar gjimnazin, bënte një punë që i pëlqente dhe paguhej mjaft mirë. Prindërit ia dinin aftësinë në matematikë, kështu që e shkëputën nga futbolli, pasioni i lindur prej fëmijërisë nga filmi vizatimor italian “Oli dhe Benxhi”, duke ia lënë këtë fushë profesionale vëllait të tij, i cili sot luan me skuadrat e Kosovës.

“Nuk jam bërë pishman që e lashë, por e kam peng të jetës që nuk e kam vazhduar si pasion”, thotë, duke treguar tatuazhin e topit të futbollit në dorën e djathtë, mbi të cilin është shënuar emri i Kris, djalit të tij 8-vjeçar, i cili ka trashëguar pasionet e të atit. Këtë vit mbyll studimet e tij bachelor për Inxhinieri Elektrike,  pas shumë vitesh shkëputje.

“Do të jetë dhurata më e bukur për prindërit. E di që kur t’ua çoj atë do të kërkojnë masterin, e më vonë doktoraturën, por s’kam ndërmend’, thotë prerë. Mendon ta mbyllë me këtë diplomë historinë e dhimbshme dhe zhgënjimin e thellë që iu shkaktoi, atëherë kur iu çoi një diplomë të bërë me Photoshop, ndërkohë që prej dy vitesh ishte larguar nga auditorët. “Shkoja në punë në rrethe dhe mungoja shumë në seminare. Një ditë e lashë, pa iu treguar. E kisha të vështirë t’iu thosha, ngaqë ata kishin pritshmëri nga unë. Zgjodha rrugën e gabuar”, tregon Genti.

Ngjarja u përjetua keq, prindërit nuk e falën, por me kalimin e kohës u pajtuan me idenë se kishte bërë zgjedhjen e vet dhe kohën nuk e kishte çuar dëm, por kishte investuar në një punë dhe po ia dilte me sukses. Progni i shtohet kështu listës së gjatë të gjenive të informatikës dhe teknologjisë, Mark Zuckerberg, Steve Jobs, etj.,  të cilët kanë lënë studimet për t’iu përkushtuar pasionit e për t’u bërë novatorët që ndryshuan jetën e njerëzimit.

“Të gjitha i kam mësuar vetë. Çdo gjë është në mënyrë autodidakte. Edhe sot e kësaj dite nuk përtoj fare të lexoj për çdo gjë që ka të bëjë me teknologjinë. Pasioni i pafundmë.”

Kthesa e papritur

Njohja me gazetarin Blendi Fevziu do të ndryshonte për mirë jetën e tij. Ishte viti 2014 kur filloi të punonte në TV Klan si Web Developer, ndërkohë që po shkëputej gradualisht nga puna e mëparshme, me bindjen se kishte mësuar shumë, por edhe kishte dhënë shumë. Kishte nevojën për t’u rritur më tej e për të marrë përsipër sfida të reja.

“Erdhi një moment që nuk po ndihesha i vlerësuar. U bëra baba, ndryshuan edhe shumë gjëra aty në kompani. Erdhën drejtorë të rinj dhe çdo gjë filloi nga e para. Pavarësisht nivelit ku isha, ardhja e tyre bëri që të ulesha edhe njëherë nga e para. Në një ambient si Shqipëria duhet të japësh shumë herë më shumë që të vlerësohesh apo të besohesh. Nuk është si bota që për çdo gjë që jep,  përfiton”, thotë ai.

Në ambientin e ri, objektivat e vendosura për 6 muaj, i realizoi për 3 dhe aty e kuptoi se potenciali tij mund të korrte suksese të reja. Veten e ndjente më komod, i pakufizuar nga rregullat strikte, me më shumë liri veprimi, ndërsa pjesëmarrja në mbledhjet e emisionit “Opinion”  ishte një zbulim për të kuptuar çelësin e strukturimit dhe menaxhimit të disa punëve.

“Aty fillova të kuptoj se çfarë do të thotë biznes”, tregon ai. Pavarësisht dëshirës për të shijuar më shumë momente me djalin, duhet të punonte deri në mesnatë. Menaxhonte disa nga web-et e mediave kryesore në vend, por njëkohësisht hapi edhe zyrën e vet në vitin 2016. Krijoi trekëndëshin e Bermudës në Kinostudio, pasi në të njëjtin vend kishte punën, shtëpinë dhe biznesin, një zgjedhje e zgjuar për të kursyer kohë dhe para. Realizimi i kurseve pa pagesë i lehtësoi punën me rekrutimin e stafit, ndërkohë që projekte të rëndësishme për kompani të mëdha shtoheshin.

“Erdhi një moment dhe thashë që nuk është nevoja të rri në punë 8 orarëshe. Zgjodha t’i përkushtohem zyrës dhe për fatin tim të mirë kam bërë një portofol,  që vazhdon të zgjerohet. Është shumë e vështirë t’i mbijetosh një sistemi që të thotë bëj çfarë të dua unë, por mund të mbetesh edhe pa bukë”. Nuk i fsheh zhgënjimet me drejtuesit e bizneseve shqiptare, pasi sipas tij ende nuk e kuptojnë teknologjinë. E kanë të vështirë të mësohen me idenë se përditësimet teknologjike çdo disa muaj kërkojnë investime, të cilat kthehen në një formë apo në një tjetër.

Bashkëpunime të ndryshme kanë marrë fund për këtë arsye, por kjo nuk e ka bërë të tërhiqet nga mendimet e tij. E quan fat të jetës të qenët i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë, pa mbajtur rezerva. “Duke ua thënë gjërat troç, kam filluar edhe të seleksionoj njerëzit me të cilët punoj. Më mirë rri me njerëzit që më japin një ndjesi të mirë, sesa me ata që më tensionojnë. Këtë pjesë të karakterit e shoh si gjënë më të mirë që më ka dhënë Zoti”. Kjo zgjedhje nuk ka qenë pa kosto.

Ditët e para të shtatorit, Shqipëria u bë sërish pre e sulmeve kibernetike, kësaj here me objektiv Policinë dhe sistemet TIMS. Në emisione të ndryshme Progni analizoi këto sulme dhe ngriti dyshimet mbi ata që e kryen. Pas deklarimeve ai mori mesazhe kërcënuese, ku i kërkohej të mos fliste më për atë çështje. E denoncoi publikisht ngjarjen, por e habiti fort mungesa e reagimit nga institucionet apo të afërmit. Ideja e largimit nga Shqipëria iu bë më pluskuese në mendje. Këtu ka bërë edhe punë të tjera, bojaxhiun, taksistin, madje me siguri të madhe thotë së do të ishte taksisti më i mirë në kryeqytet. Nuk ka problem t’ia nisë nga zero, e as të bëjë çfarëdolloj pune, kudo që të jetë, sepse nuk e mundojnë komplekset e njeriut që di të bëjë vetëm profesionin e tij.

“Ka momente që e kam menduar të iki nga Shqipëria, edhe pse nuk do t’i kem këto komoditete që kam sot. Kam pasur shumë kontakte me njerëz nga jashtë edhe kur shohin historikun tim online dhe network-un që kam unë, thonë “Në botën jashtë punojnë gjithë jetën për të krijuar rrjetin që ke në Shqipëri”. Iu duket e çuditshme kur iu them se pavarësisht network-ut, ende se kam arritur atë që do të doja”.

Ende nuk i është dorëzuar idesë së largimit, pasi ndjenja që e ka mbajtur prej vitesh këtu, qëndron e fortë, për të provuar shansin e fundit. E nëse vendos të largohet, do të preferonte të shkonte në qytetin jashtëtokësor të teknologjisë, Cupertino, Kaliforni. Në të kundërt në Gjermani ose Australi.

“Luftërat e së ardhmes janë teknologjike”

Në vitin e fundit daljet e tij në media kanë qenë të shpeshta, për shkak të ngjarjeve që kanë surprizuar jo pak shqiptarët, nga patronazhistët, te publikimi i të dhënave dhe së fundi sulmet kibernetike. Nën syrin e ekspertit të sigurisë kibernetike, këto ngjarje ishin të pritshme, për shkak të hapit të madh që ka bërë Shqipëria, me kalimin online të të gjitha sistemeve.

Zhvillimi vinte fill me pandeminë, e cila e kaloi botën në një dimension krejt të ri dhe të panjohur më parë, ndërsa informacioni tregoi më shumë se kurrë pushtetin e tij. Pikërisht, ata që e nxirrnin apo shpërndanin këtë informacion, si Cambridge Analytica, Facebook, Instagram u bënë milionerët e parë në fushën e teknologjisë së informacionit.

“Kur grumbullon informacion, vjen një moment që është shumë e vështirë ta mbash. Patronazhistët ishte një histori shumë e keqe për Shqipërinë, por dha shembullin më të mirë që informacioni është pasuri dhe pushtet. Pastaj po të kalojmë të sulmet, marketimi i e-Albania në të gjitha mediat e botës, bëri që ne të jemi target shumë i madh edhe për grupet e interesit, sidomos shantazhimit dhe hackerave”, sqaron më tej.

Përtej arsyeve politike që nuk preferon të ndalet, thekson se Shqipëria nuk do t’i kishte shpëtuar një sulmi të tillë, edhe nëse nuk do të ishte Irani. Sipas tij janë bërë gabime dhe disa detyra nuk janë kryer si duhet për të ruajtur të dhënat e shqiptarëve, por thekson se ishte e pashmangshme rënia, pasi edhe vende si Gjermania, që është shteti me zhvillimin më të madh teknologjik, nuk është e pathyeshme. Shpreson që ky hakerim do të sjellë mobilizim dhe do të shtohen investimet në teknologji.

“Sepse luftërat e së ardhmes janë teknologjike. U bë një dhjetë vjeçar që lufta më e madhe botërore është informacioni, sidomos hakerimi, vjedhja e informacionit industrial. Janë luftëra që gjithmonë kanë përfitim ekonomik dhe ato janë arsyet më të mëdha që i çojnë vendet drejt zhvillimit teknologjik, sepse është kuptuar që e ardhmja është aty”, shton Progni.

Izolimi që na shkaktoi pandemia dhe transformimi i mënyrës së të punuarit dhe të jetuarit, sipas Prognit mund të jetë një realitet i ri, ku çdo gjë do të kryhet nga shtëpia. Thotë se njerëzit e kaluan provën, iu përshtatën asaj mënyre jetese, duke humbur konceptin e mbledhjeve në zyra, takimeve dhe festave me miqtë e të afërmit.

“Është shumë e vërtetë dhe është kuptuar që janë bërë plane që njerëzit të punojnë nga shtëpitë, dhe të komandojnë çdo gjë nga aty. Është plan i mirëmenduar dhe i mirëstudiuar dhe do të ndodhë shumë shpejt”, shprehet ai, duke shtuar se edhe ideja e bashkekzistencës së njeriut me internetin në vitin 1991, dukej e pamundur, por koha tregoi se e pamundur është ndarja mes tyre.

Nëpërmjet portalit të tij zero1.al dhe podcastit në Youtube, ai informon mbi risitë e teknologjisë apo parasë virtuale, në një përpjekje për të ndriçuar dhe udhëzuar të rinjtë në këtë botë të pafundme. Si një model self- made di sesa e nevojshme është vullneti, përkushtimi për realizimin e pasioneve dhe rrëzon knockout të gjithë ata që thonë të kundërtën. “Shpresoj që të rinjtë ta kuptojnë se asgjë nuk vjen nga hiçi, nëse nuk punon fort për të. Modelet që paraqiten si të suksesshëm, nëpërmjet ndjekjes së rrugës së shkurtër dhe ngritjes së menjëhershme, nuk mbijetojnë gjatë”.

*Shkrimi është publikuar në numrin e dytë të Revistës Liberale, revistës së tre përmuajshme të botuar nga Instituti Evropian i Tiranës "Pashko"

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH