Ingenious

INGENIOUS 4/ Nga Teuta Xhindi & Zija Kamberi: Fuqizimi i Shqipërisë nëpërmjet përdorimit të energjisë së rinovueshme

Shkruar nga Teuta Xhindi
INGENIOUS 4/ Nga Teuta Xhindi & Zija Kamberi: Fuqizimi i

* Nga Prof. Asoc. Dr. Teuta Xhindi & Zija Kamberi

Editoriali i kryeredaktores së revistës shkencore të fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës e Arkitekturës, UET UET, nr 4.

Vitet e fundit, sektori energjetik ka qenë objekt i reformave të rëndësishme përfshirë përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, në kuadrin e angazhimeve që vendi ynë ka marrë sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

Me 23 mars 2023 Kuvendi miratoi Ligjin nr.24/2023, për “Promovimin e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme” i cili Ligji është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 64, datë 14 prill 2023 dhe ka hyrë në fuqi më 29 prill 2023. Ky ligj, i cili është përafruar pjesërisht me acquis të BE-së (Direktiva 2018/2001 (RED II), synon të promovojë dhe stimulojë prodhimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të energjisë nga burimet e rinovueshme si pjesë e politikave kombëtare për diversifikimin e burimeve të energjisë dhe sigurinë e furnizimit me energji në Republikën e Shqipërisë.

Ligji përcakton objektivat kombëtare për përdorimin e energjisë nga burimet e rinovueshme dhe masat për përmbushjen e tyre. Sipas ligjit, objektivi kombëtar për konsumin e energjisë nga burimet e rinovueshme në vitin 2030 është të arrijë në 54.4% të konsumit të përgjithshëm bruto të energjisë.

Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm për energji të rinovueshme, veçanërisht në sektorin hidroenergjitik. Me lumenjtë dhe liqenet e saj të shumta, vendi ka ndërtuar një infrastrukturë të fortë hidroenergjitike që kontribuon në një pjesë të madhe të prodhimit të energjisë elektrike. Aktualisht, mbi 98 për qind të prodhimit të energjisë sigurohet përmes hidrocentraleve shtetërore dhe private, ndërsa pjesa tjetër nga burime të tjera ekologjike, si energjia diellore dhe ajo e erës.

Vendi ynë është në një pozitë të favorshme për të shfrytëzuar burimet e tij natyrore për prodhimin e energjisë së pastër, sepse:

•      Rrezatimi mesatar diellor përllogaritet rreth 1500 kWh/m2 në vit, ndërkohë që rrezatimi maksimal arrin rreth 2200 kWh/m2 në vit. Në vitin 2022, ishin instaluar rreth 22 MW fotovoltaike (kryesisht prodhues privat me kapacitet nën 2 MW. Gjithashtu, ka pësuar rritje të konsiderueshme edhe kapaciteti i prodhimit të energjisë elektrike nga panelet diellore fotovoltaike, që janë instaluar dhe përdoren nga individë ose kompani për të prodhuar energji për nevojat e tyre.

•      Rezervat totale të hidroenergjisë vlerësohen rreth 4,500 MW, me një prodhim potencial prej 18 TWh. Aktualisht, kemi një kapacitet të instaluar të HEC-eve prej 2600 MW me një prodhim vjetor prej rreth 7 TWh (2022).

•      Shpejtësia mesatare e erës është rreth 4‐6 m/s (në një lartësi 10 m), ndërkohë që densiteti mesatar i energjisë së erës është rreth 150 W/m2. Shqipëria ka rreth 4200 orë erë në vit. Tre impiante eolike me kapacitet rreth 237 MW pritet të fillojnë të ndërtohen së shpejti.

•      Rezervat totale të lëndës drusore për përdorim energjie janë rreth 6 Mtoe, ndërkohë që rreth 36% e territorit të vendit është i mbuluar me pyje. Përdorimi i lendës drusore për qëllime energjitike përllogaritet në nivelin 200 - 220 ktoe. Energjia e biomasës nga mbetjet bujqësore dhe ato urbane (240 kg/person) është gjithashtu nje potencial i konsiderueshem si burim për prodhimin e energjisë së rinovueshme.

•      Aktualisht, përdorimi i energjisë gjeotermike është i papërfillshëm.

Potenciali i energjisë së rinovueshme në Shqipëri është i madh dhe i shumanshëm, duke ofruar një rrugë drejt zhvillimit të qëndrueshëm, rritjes ekonomike dhe kujdesit mjedisor. Duke përfituar nga burimet e saj të bollshme natyrore dhe duke përqafuar teknologjitë inovative, Shqipëria mund të pozicionohet si një lider rajonal në prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe të kontribuojë në përpjekjet globale për të luftuar ndryshimet klimatike. Megjithatë, realizimi i këtij potenciali kërkon politika të guximshme, investime strategjike dhe bashkëpunim ndërmjet qeverisë, industrisë dhe shoqërisë civile.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është edukimi dhe ndërgjegjësimi i publikut. Shkollat, universitetet dhe organizatat joqeveritare duhet të luajnë një rol kyç në edukimin e brezit të ri për rëndësinë e energjisë së rinovueshme dhe përfitimet e saj për mjedisin dhe ekonominë.

Në lidhje me këtë, UET është pjesë e projektit ReZeb, të programit Erasmus +. Ky projekt synon modernizimin e kurrikulave për aplikimin e sistemeve efikase energjetike në ndërtesa, që përfshin përmirësimin ekzistues dhe aplikimin e mjeteve të reja të të mësuarit dhe mësimdhënies, metodologjive dhe qasjeve pedagogjike. Kjo do të përfshijë modernizimin e rezultateve të të nxënit dhe praktikave të bazuara në teknologji. Të paktën 25 module do të kalojnë në modernizim, nga të cilat të paktën 5 module të reja të krijuara në temën e Teknologjive dhe Menaxhimit të Energjisë së Rinovueshme dhe Efiçiencës së Energjisë në Ndërtesa në të 5 IAL-të pjesëmarrëse në këtë projekt. Gjithashtu, bashkëpunimi me kompanitë dhe autoritetet vendase do të mbështetet përmes inkurajimit të praktikave të studentëve dhe projekteve të përbashkëta industriale dhe kërkimore.

* Autorja 1; Prof. Asoc. Dr. Teuta Xhindi, dekane e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës e Arkitekturës, UET.

* Autori 2; Zija Kamberi, konsulent ligjor dhe rregullator në sektorin e energjisë.

*Artikulli është editorial i revistës shkencore “Ingenius 4”, issue 1, e cila botohet dy herë në vit nga Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës e Arkitekturës në UET.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH