Ingenious

FORUMET UET/ Prodhuesja e makinës së parë ushtarake shqiptare, Arjeta Puca: Guxoni për të bërë diferencën

Shkruar nga Liberale

FORUMET UET/ Prodhuesja e makinës së parë ushtarake shqiptare,

Më tepër se histori suksesi Arjeta Puca është model suksesi. Ajo përfaqëson vajzat dhe gratë që kryesojnë në një industri burrash. Përfaqëson emigrantët, të larguarit nga Shqipëria, që rikthehen sërish për të investuar në vendin e tyre. Ishte 4-vjeçe kur bashkë me familjen u zhvendosën në Turqi. Pas diplomimit për inxhinieri kompjuterike, disa internshipe-ve dhe eksperiencave të punësimit në Japoni e Gjermani, Arjeta Puca bëri një hap të guximshëm.
U kthye në vendlindje, 25 vjet pasi kishte ikur, për të themeluar në 2016-ën kompaninë e saj TIMAK. Sot është një emër i njohur ndërkombëtarisht, por rrugëtimi i këtyre viteve ka qenë i mbushur plot sfida.

E ftuar në Forumet UET, znj. Puca tregoi për studentët dhe pedagogët e Universitetit Europian të Tiranës se sfidat nuk ishin të lehta. Fillimisht i duhej të mësonte më mirë gjuhën, të njihte vendin, ligjet në sektorin e biznesit. “Dy vitet e para nuk kisha shitje, aplikoja në çdo tender brenda dhe jashtë vendit”, rrëfeu ajo.

I pari që fitoi ishte për prodhimin e ambulancave. Kompania me të cilën bashkëpunoi e la punën në mes kështu që iu desh të “specializohej” vetë në këtë drejtim. Nuk i thoshte jo asnjë kërkese, duke u përpjekur gjithmonë të gjente bashkëpunëtorët e duhur për të nxjerrë produktin përfundimtar, qoftë ambulancë, makinë policie, zjarrfikëse, makina pastrimi etj.
COVID-19 ishte një moment vendimtar për të ardhmen e ndërmarrjes për shkak se investitori e braktisi kompaninë e saj, me idenë që ajo nuk do të ecte. “Në këto sfida, ose do të ngecësh, ose do ia dalësh. Ka qenë një vit stresues, i lodhshëm, por pas asaj vështirësie kompania eci shumë shpejt.”

FORUMET UET/ Prodhuesja e makinës së parë ushtarake shqiptare,

Moderuesja e Forumit, dekania e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, prof. asoc. dr. Teuta Xhindi, tha se këto aktivitete janë një traditë e mirë e UET-it, i cili fton personalitete të fushave të ndryshme, për të ndarë me studentët arritjet, sfidat dhe projektet e së ardhmes.
“E quajmë shumë të rëndësishme bashkëpunimin e universitetit me shtyllat e tjera në mënyrë që studentët të jenë sa më të përgatitur për nesër në tregun e punës.”

Prof. Xhindi tha ngacmimi për të prezantuar me studentët drejtuesen e TIMAK erdhi pas një kronike televizive. Ajo e pranoi menjëherë ftesën duke i hapur kështu rrugë edhe marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy palëve, e cila do të garantojë internshipe, praktika, pse jo, edhe punësim për studentët. Vetë znj. Puca ftoi studentët që të aplikojnë e të bëhen pjesë e kompanisë, e cila edhe pse mund të duket e çuditshme në fillim, ka procese mjaft të bukura.

FORUMET UET/ Prodhuesja e makinës së parë ushtarake shqiptare,

Zv. rektori për Shkencën dhe Inovacionin, prof. dr. Kreshnik Bello, e quajti model suksesi për studentët, të cilët shpesh e shohin të ardhmen me pesimizëm dhe e kanë të vështirë të gjejnë rrugën e tyre në një ekonomi dhe shoqëri që ndryshon përditë. “Ky takim na shërben shumë dhe jam i sigurt se bashkëpunimi i mëtejshëm do të na sjellë produkte konkrete.”

SHOTA- Made in Albania

Ideja për të prodhuar Shotën, makinën e parë ushtarake shqiptare, erdhi shumë rastësisht. Pyetja e një miku për pjesëmarrjen ose jo në Eurosatory 2024, panairin e mjeteve ushtarake, e ngacmoi Arjeta Pucën që t’i hynte kërkimit. Pa se në të merrnin pjesë mbi 60 shtete dhe nuk kishte asnjë përfaqësues nga Shqipëria.

“Makina ushtarake ka qenë ëndërr e imja, ndaj e mora si sfidë. Thashë: Pse të mos e bëjmë, maksimumi do të dështojmë!”, rrëfeu ajo.
Duke qenë se kompania kishte eksperiencë me prodhimin ambulancave të blinduara për zonat e luftës, nuk ishte e vështirë të sillnin prototipin e parë të makinës ushtarake made in albania, pavarësisht se duhej ta nxirrnin në një kohë rekord prej tre muajsh, mes vështirësisë për të gjetur specialistët për konsultim.

Vendimi për ta pagëzuar me emrin Shota nuk ishte e rastësishme.
“I vendosëm emrin Shota për heroinën tonë, por edhe për faktin se kompania jonë është kompani vajzash dhe grash. Ato përbëjnë 70%-80% të stafit”, tregoi ajo më tej.

Shota u prezantua me sukses një vit më parë në Paris, duke marrë jo vetëm komente pozitive, por edhe kërkesa për bashkëpunim e prodhim mjetesh të tjera ushtarake. Pavarësisht se u krijuar në një kohë rekord për të qenë gati për panair, znj. Puca u shpreh e kënaqur që tashmë ka interesime nga shumë shtete. “Na jep një krenari jashtë mase të madhe që emri Shota është tani në të gjithë botën.”

FORUMET UET/ Prodhuesja e makinës së parë ushtarake shqiptare,

Duke folur për filozofinë e punës dhe ambiciet e ardhshme ajo tha se kompania synon të rritet për të prodhuar mjete të reja ushtarake dhe detare. “Duam të kontribuojmë për vendin tonë dhe së dyti të fuqizojmë vajzat në këtë industri të dominuar nga meshkujt”, theksoi Puca, duke sqaruar se modeli i saj në këtë sektor ndryshoi stereotipin se ky është një sektor burrash. Po ashtu, përmes produkteve të suksesshme që janë prodhuar për organizata apo shtete të ndryshme europiane e botërore, Shqipëria gëzon emër të mirë dhe të besueshëm.

Sa i përket nevojave për staf, Puca tha aktualisht janë të interesuar për inxhinierë elektrikë dhe mekanikë. Prof. Xhindi tha se kjo është mjaft me interes për UET, pasi ofron programin e studimit për Inxhinieri Mekanike, ndërsa ka aplikuar për master shkencor në Inxhinieri Elektrike dhe është në pritje për programin në ciklin bachelor.

Në fund Puca këshilloi studentët që të këmbëngulin në qëllimin e tyre. Mund të dëgjojnë shumë fjalë jomotivuese, biznesi do të ketë ulje-ngritjet e veta, por ata nuk duhet të dorëzohen. “Mund të jeni shumë të aftë, shumë të shkathët dhe kjo është gjë shumë e mirë. Por nëse doni të bëni diferencën duhet guxim.”/L.P./

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH