Shumë i njohin si talentet e Gjeniut të Vogël. Laura ishte vetëm 10 vjeç, kur rrëmbeu trofeun e konkursit televiziv, më 2010-n. Elisa, ndoqi hapat e së motrës dhe fitoi çmimin e dytë, në edicionin e pestë. Ato janë rritur e bashkë me to edhe dhuntia që kanë në të kënduar, të cilën prej tre vitesh e kanë kanalizuar në rrugë më profesionale.
Motrat Gjipi zgjodhën të studionin Kanto në degën e Arteve Liberale, pranë Universitetit të Tiranës. Ndonëse
Laura është gati dy vite më e madhe se Elisa, ajo e priti të motrën që ta nisnin sëbashku këtë rrugëtim karriere dhe presin të diplomohen në këtë vit akademik. As shpirti i garës nuk i është zbehur me kalimin e viteve. Të dyja konkurruan në “UET Talent”, gjë që i mundësoi regjistrimin në universitet dhe përfitimin e bursave.
“Unë mora bursë të plotë, ndërsa Elisa gjysmë burse”, zbulon Laura. Prej asaj dite, në këta tre vjet ato janë të pamunguara në çdo veprimtari që organizon Universiteti Europian i Tiranës. Qoftë koncert, ceremoni diplomimi apo kartolinë urimi për festat, si ajo që përgatitën në këtë fundvit me të tjerë studentë nga dega e Arteve.
“Na vjen mirë të përfaqësojmë universitetin tonë. Ndihemi të vlerësuara”, pohon Elisa. Pavarësisht tendencave të kohëve të fundit, ku shumë artistë e performues të rinj gjejnë shtigje të shkurtër për promovimin e muzikë falë videoklipeve, Laura dhe Elisa ngulmojnë t’i qëndrojnë garave. Dëshira për të dalë të parat vetëm sa është shtuar.
Më 2019-n, konkurruan në festivalin “Kënga Magjike”, në seksionin e Artistëve të Rinj. Kënduan një baladë, titulluar “Nënë”, me tekst dhe muzikë nga Fifi e orkestrim nga Gramoz Kozeli dhe arritën deri në gjysmë finale.
Një dedikim ndoshta për mamanë, e vetmja që në shtëpinë e tyre nuk merret me muzikë, por që të bijat i ka përkrahur. Rrëfejnë se nga ana e babait janë thuajse të gjithë muzikantë. Babai klarinetist, një prej xhaxhallarëve organist, tjetri këngëtar dhe kushëriri i tyre pianist, i cili u bë shkas që ato të studionin në UET për kanto.
Në duet, bashkë ishin shfaqur kur ishin ende të vogla, në natën finale të edicionit të pestë të “Gjeniu i Vogël”, me “The Prayer” të Andrea Bocelli, ku Laura si një ish-fituese shoqëroi të motrën, Elisën, që atë vit ishte konkurrente. Nëse do të konkurrojnë sërish dhe me natyrën ambicioze të të dyjave, nuk duket e largët, do të zgjidhnin Festivalin e Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar.
Por tashmë janë të fokusuara të mbyllin studimet në Kanto. Fillimisht Laura mendoi të studionte në një disiplinë jashtë muzikës, për Menaxhim Biznesi, por e dinte se duke pritur Elisën, do të shkonin tek kantoj. Laura zbulon se ka studiuar në liceun artistik “Jordan Misja” për violë e më pas ndoqi gjimnazin e përgjithshëm “Çajupi”. Ajo pranon se disiplina e studimeve të një instrumenti muzikor, e kanë ndihmuar më vonë në studimin e kantos.
Talentin e tyre, që në moshë të hershme, do ta zbulonte halla. Ishte ajo që i inkurajoi prindërit, ta dërgonin Laurën në konkursin televiziv e më pas, duke dalluar të dhënat dhe vokalin, edhe Elisën. Kur ishin të vogla ngjanin si dy pika uji. Në videot e natës finale të “Gjeniut të Vogël 5”, të veshura me të bardha e me sytë blu depërtues, ato ngjanin si binjake. Njësoj ngjajnë edhe sot, në të njëzetat e tyre.
Motra, shoqe të pandara, ato gjithsesi duan të krijojnë identitetin e tyre muzikor. Laura rrëfen se i pëlqejnë baladat, të cilat edhe i përshtaten më së miri vokalit, ndërsa Elisa eksperimenton më shumë, nga jazz e blues e deri tek ritmiket. Nuk kanë hequr dorë nga konkurset. Jashtë Shqipërisë, do të donin ta provonin veten tek “Amici”, aty ku shumë shqiptarë kanë konkurruar e kanë shkëlqyer.
Kur t’i kenë shteruar të gjitha garat, gjithnjë në kërkim të çmimeve të para, do t’i hedhin sytë nga videoklipet.
Në shtëpi, jo vetëm bëjnë prova duke kënduar, por edhe shkruajnë muzikë të dyja, ndërsa siç rrëfen Laura, Elisa ka talent edhe në të shkruar të lirikave. Adhurojnë Ariana Grande-n, por në fund duan të dallojnë me origjinalitetin.
Ndoshta një ditë, dy gjenitë jo më të vogla, do të shfaqen me këngë që mbajnë krejtësisht autorësinë e tyre.
*Shkrimi është publikuar në numrin e tretë të Revistës Liberale, botim i Institutit Evropian të Tiranës “Pashko”