Gjatë vizitës së tij zyrtare në Britaninë e Madhe, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim në auditorin e Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Chatham House. Në retorikën e tij ironizuese ndaj përqasjes së autoriteteve britanike ndaj emigrantëve shqiptarë, Rama përfytyroi për një moment sikur rolet u këmbyen. “Nëse rusët do të pushtojnë Britaninë, ju ejani tek ne, ne do t’ju mbrojmë nga Putini dhe nga Suella Braverman të dy, kjo është e sigurt, do t’ju mbrojmë”. Deklarata e kryeministrit shkaktoi të qeshura në sallë.
I pyetur sesi Shqipëria po i menaxhon sfidat gjeopolitike dhe emigracionin masiv të të rinjve drejt Britanisë së Madhe, Rama tha se "kriminelët shqiptarë nuk e sollën krimin apo drogën këtu, por e gjetën tregun".
“Gjithmonë kemi thënë na duhet të ndërtojmë një portë të përbashkët operative për të goditur rrjetet kriminale. Pas bisedës sime me kryeministrin në telefon kjo po ndodh. Problem im nuk është se shqiptarët vijnë në Britani, por kur shqiptarët përdoren në ëndrrat dhe shpresat e tyre nga kriminelët. Nuk kam probleme se kufijtë e Britanisë mbyllen, por s’duhet t’i lëmë të rinjtë shqiptarë të përdoren nga kriminelët. Komuniteti shqiptarë-britanik është fantastik. Të jesh nën trysninë e disa mollëve të kalbur që janë përballë. Kriminelët shqiptarë nuk e sollën krimin këtu, ato nuk e sollën drogën këtu, por e gjetën këtu tregun. Nëse homologët britanikë do të na dëgjojnë, kjo do të jetë shumë e suksesshme. Por ti veçosh shqiptarët!”- u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama ka folur edhe për procesin e Open Balkan. Ai u shpreh se edhe pse është e vështirë të negociosh me Serbinë për shkak të ngërçit të kësaj të fundit me Kosovën, e vetmja mënyrë që Beogradi të bëjë pjesë në anën e duhur dhe jo të influencës ruse është edhe me e rëndësishme. Në këtë mënyrë, Rama shpjegon se Ballkani ndodhet në formën më të mirë të mundshme, falë këtyre negociatave, për të mos u kthyer në të kaluarën.
"Është pjesë e një poroicsi të tërë nismash dhe hapash. Pjesë e një transformimi të tërë. Shqiptarët janë në pozitën më të mirë që kanë qenë ndonjëherë. Marrëdhëniet në Ballkan s’kanë qenë ndonjëherë më mirë. Kemi një elefant në dhomë ne çdo marrëveshje me Serbët, për shkak të Kosovës. Dhe për këtë ne duhet të mbajnë më Sebrinë në anën tonë, sepse mund të na kthejë në të shkaurën", tha Rama.