Shqipëria do të blejë nga Turqia dronë të armatosur Bayraktar. Këtë e ka konfirmuar Kryeministri Edi Rama në një intervistë për emisionin Opinion me gazetarin Blendi Fevziu, nga Nju Jorku. Rama tha se Shqipëria do të marrë 6 dronë ushtarakë të armatosur të cilët do të përdoren edhe për qëllime të tjera civile në vendin tonë. “Ne kemi biseduar për domosdoshmërinë e dronëve dhe jemi në procesin e përfundimit të marrëveshjes për të marrë edhe ne dronët Bayraktar.
I pyetur nëse do t’i paguajë Shqipëria këto, Kryeministri Rama tha: “Po patjetër. Për qëllimet që kemi dhe për shërbimin që do të na bëjnë janë absolutisht me çmim të arsyeshëm. Dhe do të shërbejnë për qëllime civile, për kontrollin e territorit, për ndërtimet pa leje”.
Financimi rus
“Partia Demokratike e Shqipërisë ka përfituar rreth 500,000 Dollarë financime ruse në zgjedhjet e vitit 2017”, ka qenë ky konstatimi i një raporti të deklasifikuar nga inteligjenca amerikane. Në lidhje me këtë çështje është pyetur dhe Kryeministri Rama mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” që po zhvillohet mbrëmjen e sotme nga New York. I pyetur se ka zëra që e ka mbyllur kryeministri Rama këtë çështje, ai është e ka hedhur poshtë një aludim të tillë teksa ka shtuar se e ka denoncuar që në fillim. “Në studion tuaj, ju keni bërë një emision ku keni ballafaquar këtë fakt të bërë publik në atë kohë për të cilin u fajësua Sorosi bashkë me mua dhe Ballën dhe në studion tuaj është dëgjuar një rrëfim për shqiptarët të mbledhur në Amerikë për të shpëtuar kombin”, tha Rama.
“Zëra ka për gjithçka në Shqipëri. Këtë çështje ne e kemi denoncuar publikisht, jemi përqeshur publikisht nga ata që duhej ta çonin më tutje hetimin e çështjes në funksion të publikut”.
“Çfarë dijenie mund të kem unë apo njerëzit e mi për një proces i cili është hapur si rezultat i denoncimit të bërë prej nesh duke u bazuar në burime informacioni të huaja. Ndërkohë që në procesin e hetimit nga ana e drejtësisë nuk ka pasur transparencë. Është një nga ato çështjet që kanë bërë mu në atë kohë dhe për të cilat kanë kontribuar dhe kontribuojnë një pjesë e rëndësishme e debatit që merren me regjimin dhe për të mundur regjimin imagjinar, janë gati të mbulojnë çdo gjë tjetër”.
“Ne nuk kemi nevojë të marrin informacione të tjera sepse e dimë për çfarë bëhet fjalë. Çështja është e qartësuar. Gjithçka është aty dhe faktikisht sot kjo çështje është kthyer në skenën politike për t’u përdorur si guri i radhës për t’u vrarë mes vete në të ashtuquajturën PD. Njerëzit që i vunë gjoksin në atë kohë Bashës, sot flasin për software të zhdukur”.
Gjatë fjalës së tij përballë gazetarit Blendi Fevziu, Kryeministri Rama është shprehur se nuk ka asnjë arsye të mbyllë asnjë çështje teksa ka shtuar se nuk ka nevojë që të përdorë askënd pasi sipas Kryeministrit Raam janë të papërdorshëm dhe nuk i duhen asnjërit.
“Çështjet i investigon Prokuroria. I takon drejtësisë si mund ta adresojë këtë çështje. Provat janë aty. Sot është dita për t’i kërkuar ndjesë Ballës, Spiropalit kur nxorën fakte. Këtu bëhet fjalë për një financim ilegal. E vetmja parti është PD dhe ky financim ka qenë i ditur nga të gjithë dhe e kanë mbrojtur të gjithë që nga “non grata” i madh dhe tek Lulzimi i shkretë. Unë s’kam asnjë arsye të mbyll çështje. Dhe nuk kam nevojë të përdor askënd sepse të gjithë janë të papërdorshëm dhe nuk i duhen asnjërit”, theksoi Rama.
“Kjo është një çështje që duhet zbardhur deri në fund nga drejtësia. Kush ka sy për të parë shikon dhe kupton se PD është financuar në mënyrë ilegale me para që vijnë nga burime që nuk kanë asnjë interes për mirëqenien e vendit tonë. Për financimin ilegal të PD kanë pasur dijeni të gjithë ata që janë ndarë në virgjerësha që mbrojnë Shqipërinë nga rusët”, theksoi Rama.
Largimi i Gledis Nanos
Rama ka deklaruar se ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano i ka konfirmuar atij dorëheqjen. Kryeministri Rama shton se Nanos i është kërkuar dorëheqja sepse situata e periudhës së fundit në vend ishte kritike dhe sipas Ramës kërkonte ndryshimin e lidershipit në Policinë e Shtetit.
“Ai ma ka konfirmuar mua dorëheqjen. I është kërkuar dorëheqja sepse situata e periudhës së fundit ishte kritike dhe kërkonte ndryshimin e lidershipit në Policinë e Shtetit, asnjë arsye tjetër”.
“Unë di vetëm të them se ai ka kryer detyrën, ai ka bërë aq sa ka ditur, aq sa ka mundur, nuk i është vënë në dyshim as përpjekja, por rezultati. Me atë situatë ku në fillim të shikojmë simptoma problematikash me të cilat Policia e Shtetit, që nga shfaqja e parcelave me kanabis në zona urbane, ryshfetet, teksa e seria e vrasjeve pa përgjigje përfshirë dhe situatën e pakëndshme në raport me disiplinimin e sezonit turistik, kërkonin një shkundje”.
Sulmi kibernetik i Iranit
Sulmi kibernetik të Iranit ndaj vendit tonë, Kryeministri Edi Rama e konsideron si një bombardim në jetën reale. Sulmi kibernetik i Iranit, sipas kryeministrit shqiptar nuk i arriti qëllimet. Ndërsa theksoi edhe njëherë se të gjitha hetimet e bëra nga agjencitë amerikane dhe skuadra e Microsoft zbuluan se pas këtyre sulmeve fshihet Irani.
“Jemi në kushtet e një agresioni real, në jetën jo virtuale të botës dixhitale ky do të ishte një bombardim, por është një bombardim në sistemet tona dixhitale me një qëllim shumë të qartë për të zhdukur tërësisht gjithçka që ne kishim ndërtuar. Nuk e ka arritur qëllimin. Jemi 100% të bindur sepse është bërë një hetim shumë i thellë dhe ne kemi prova të nxjerra nga hetimi i agjencive të specializuara të SHBA dhe skuadrës së Microsoft. Të gjitha hetimet dhe të dhënat flasin për grupe që funksionojnë me urdhër dhe sponsorizim të Qeverisë Islamike të Iranit”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.