Gjatë takimit në një fasoneri në Kamzë, kryeministri Edi Rama ka folur për rritjen e pagave, jo vetëm për atë minimalen, por edhe të kategorive të tjera. Rama thotë se nuk ka më kohë dhe se duhet reaguar sa më shpejt, pasi rrezikon që vendi të ngelë pa punëtorë. Madje duke kujtuar shprehjen e tij të famshme "punë ka po s'ka profesionistë", Rama tha se tani kemi shkuar në "punë ka por s'ka punëtorë".
“Pyetja që shtrohet sot është a janë pagat në sektorin privat pasqyrë e produktivitetit, apo janë pasqyrë e një qasje kapitaliste që është në skajin e vet. Forcat e punë s’po fillojnë të mungojnë, e kemi dëgjuar prej kohësh kemi vende pune po s’kemi specialistë, po tani është kemi vende pune po s’kemi as punëtorë. Kjo kërkon një reagim të shpejtë, duke nis nga paga. Kjo është një kompani që s’ka për këtë fjalim. Filli i logjikës së shfrytëzimit deri në skaj të krahut të punës. Kjo që po bëjmë dhe që do ta shoqërojmë me masa të tjera, është një vendosje në krahun e punonjësve për të luftuar bashkë me sipërmarrësit e përgjegjshëm logjikën e shfrytëzimit të krahut të punës”, tha Rama.
Ndërkaq, kryeministri tha se do të publikojnë dhe një plan për rritjen e pagave.
“Në rast se kjo kompani punon edhe të shtunave, ama shton për ata që punojnë të shtunën, pjesë në pagë, këto janë gjëra për të cilat ne do të bëjmë çmos që të kenë fjalën e tyre dhe zërin e tyre. Fatkeqësisht sindikatat në Shqipëri janë fantazma, por ne do të bëjmë çmos që zëri i punonjësve të dëgjohet,” – u shpreh Rama.