Aktualitet

Pse mbeti beqar deri në fund të jetës së tij? Fevziu zbulon përpjekjet e dështuara të Nolit për të gjetur nuse shqiptare, në librin e fundit të Ilir Ikonomit

Shkruar nga Liberale
Pse mbeti beqar deri në fund të jetës së tij? Fevziu zbulon

Blendi Fevziu në një takim me gazetarin shqiptaro-amerikan dhe autorin e disa librave historikë, Ilir Ikonomin, zbuloi fakte interesante në librin më të fundit, botim i UETPRESS, rreth jetës së Fan Nolit në SHBA.

Fevziu në takimin që publikoi në rrjetet sociale me Ikonomin për librin e tij me të ri, dedikuar Fan Nolit, zbuloi edhe disa sekrete rreth figurës së një prej personaliteteve më të shquara të historisë dhe letrave shqipe.

”Është autor i librit për Konicën, autor për Esat Pashë Toptanin dhe vjen me librin e fundit, ‘Fan Noli, Apostulli’, vëllimi i parë,” - theksoi Fevziu ndërsa shtoi se, - “është ndoshta më i mirë shkrues i historisë që ne kemi momentalisht” - por pranoi se me këtë vlerësim mund t’i hapë “telashe” vetes.

Fevziu e pyeti autorin e librit nëse ka qenë e vështirë të gjendeshin fakte të reja rreth figurës së Nolit. “Po! Shumë e vështirë” - u përgjigj Ikonomi. - “Kanë gërmuar shumë njerëz dhe duket se çdo gjë është e zbuluar por në fakt jo,” - theksoi më tej Ilir Ikonomi.

- “Sot mësova diçka të re për Nolin, që ka dashur të martohet dhe nuk gjeti nuse”, - shtoi Fevziu duke iu referuar librit.

- “Kaq të vështirë e pati të gjejë nuse” - pyeti Fevziu autorin e librit dhe mori si përgjigje duke qeshur nga Konomi: - “Po shumë. Sepse shqiptarët që vinin në SHBA ishin të gjithë burra.”

Ndërsa kur u pyet nëse Noli e donte nusen patjetër shqiptare mori përgjigjen “po” nga Ikonomi. - “Donte patjetër nuse shqiptare dhe (Noli ndoshta për këtë arsye) mbeti deri në fund të jetës pa u martuar”, - konfirmoi Fevziu në bashkëbisedimin e tij interesant me Ikonomin.

”Siç tha Iliri, Noli i kërkoi edhe komunitetit shqiptar në Rumani, edhe komunitetit shqiptar në Misir t’i gjenin një nuse, por nuk i gjetën dhe mbeti deri në fund të jetës i pamartuar,” u shpreh mes të tjerash Fevziu teksa zbuloi diçka rreth të panjohura të Nolit, në librin e sapo-publikuar të Ilir Ikonomit.

Një personalitet i rrallë, Noli sipas Ikonomit ishte njohës i mirë i të paktën 9 gjuhëve të huaja, po ashtu njihet edhe si orator i shkëlqyer, dhe megjithëse kishte aftësi të komunikonte me njerëz nga mbarë bota, dështoi në një pjesë të jetës së tij private sepse; mbeti beqar!

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH