Prokuroria e Tiranës rihap hetimin për vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës në 21 janar të vitit 2011. Hetimi për vrasjen e Nikës, një nga 4 viktimat e 21 janarit të 10 viteve më parë, ishte pezulluar pasi nuk kishte asnjë autor të dyshuar për të.
Aleks Nika dhe Hekuran Deda janë dy nga 4 viktimat e protestës së 21 janarit të thirrur nga Partia Socialiste që ishte në opozitë në atë kohë. Garda e Republikës, asokohe nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, hapi zjarr ndaj protestuesve të thirrur nga Partia Socialiste para Kryeministrisë.
I pari që ka humbur jetën ka qenë Hekuran Deda, i cili është qëlluar ndërsa ndodhej në një tavolinë të vendosur nga kameramanët në anën e bulevardit, përpara Piramidës. Pas tij është qëlluar Ziver Veizi, i vrarë në vijë diagonale me Kryeministrinë, para portës së hekurt të këtij institucioni. Viktima e tretë është Faik Myrtaj, nga Fieri, i vrarë në hyrje të rrugicës mes Kullave dhe Gjykatës Kushtetuese. Aleks Nika u plagos rëndë me plumb në kokë para selisë së Kryesisë së Kuvendit dhe gjeti vdekjen dy javë më pas në Turqi.
Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.