Aktualitet

Politikat e sigurisë ushqimore si kusht në rrugëtimin evropian

Shkruar nga Liberale
Politikat e sigurisë ushqimore si kusht në rrugëtimin evropian

Drini Imami & Edvin Zhllima

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është objektiv dhe prioritet strategjik i Shqipërisë. Ashtu si vendet e tjera të Ballkanit, për të ndjekur këtë qëllim, Shqipëria është bërë pjesë e procesit të Stabilizim-Asociimit, duke marrë përsipër angazhime drejt përgatitjes për anëtarësim. Këto përpjekje janë strukturuar në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, të cilën Shqipëria e firmosi me Bashkimin Evropian në 2006 dhe që ka hyrë në fuqi në vitin 2009.

Këtë vit bëhen 10 vite nga zbatimi i kësaj marrëveshje themelore në marrëdhëniet midis dy palëve dhe rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit. Për këtë arsye, Qendra ACIT, me mbështetjen e Fondacionit për Shoqërinë e Hapur në Shqipëri, ka ndërmarrë një studim dhe ka hartuar një raport monitorimi për të analizuar shkallën e zbatimit të marrëveshjes në të gjithë kapitujt e legjislacionit.

Një nga kapitujt më të rëndësishëm që është monitoruar dhe analizuar është edhe kapitulli 12, që mbulon Politikat e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë dhe ato Fitosanitare. Ky kapitull përbëhet nga një numër shumë i madh rregulloresh, direktivash dhe vendimesh ku përfshihen rregullat e detajuara në fushën e veterinarisë, të cilat janë thelbësore për ruajtjen e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, si edhe sigurinë e ushqimeve me origjinë shtazore në tregun e brendshëm. Kapitulli 12 është një ndër kapitujt më kompleks përsa i përket volumit të legjislacionit që duhet përafruar dhe forcimit të kapaciteteve institucionale. Është gjithashtu një kapitull veçanërisht i rëndësishëm për shkak të ndjeshmërisë që përbën siguria ushqimore për institucionet dhe popullatën e BE-së. Qytetari evropian ka të drejtë të dijë se si prodhohet, përpunohet, paketohet, etiketohet dhe shitet ushqimi që ai konsumon. Cdo vend që aspiron të anëtarësohet në BE, duhet të ofrojë garanci për standardet e sigurisë ushqimore duke ndjekur një qasje të integruar nga ferma në tryezë që mbulon të gjithë sektorët e zinxhirit ushqimor.

Shqipëria ashtu si vendet e tjera kandidate për anëtarësim, shfaq disa problematika lidhur me sigurinë ushqimore. Kjo është vënë shpesh në dukje si nga raportet e Komisionit Evropian, por edhe nga vetë media shqiptare dhe opinioni publik. Ndjeshmëria që ka kjo tematikë ka bërë që vëmendja të rritet gjithmonë e më shumë. Por sa progres ka bërë vendi në këtë fushë dhe sa punë ka ende për të bërë drejt anëtarësimit?

Duhet thënë se nga pikëpamja e përafrimit me BE-në, në këto 10 vite ka patur ecuri të dukshme në ngritjen dhe fuqizimin e institucioneve, si dhe përpjekje për zbatimin e legjislacionit. Çështjet e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitare si edhe çështjet zooteknike, e cilësisë së farës dhe materialit shumëzues, mbulohen nga Strategjia Ndërsektoriale për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural 2014 – 2020 e cila u hartua në përputhje me praktikat e mira dhe me mbështetjen e BE-së dhe FAO-s si edhe nga ligji "Për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural" (2007). Gjithashtu janë miratuar edhe një sërë ligjesh, rregulloresh dhe ndërhyrjesh në legjislacion, për të adresuar disa nga sfidat në këtë fushë të gjerë.

Hyrja në fuqi e MSA shënoi edhe ngritjen e një prej hallkave institucionale kyçe për sigurinë ushqimore, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU). Ky institucion u krijua në vitin 2009, me mbështetjen e BE-së dhe është autoriteti kompetent për menaxhimin e funksioneve të inspektimit në fushën e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e bimëve dhe shëndetin e kafshëve në nivel kombëtar. Pavarësisht mangësive në burime dhe kapacitete, gjatë viteve në vijim pas themelimit, AKU ka ardhur gradualisht duke u fuqizuar, duke ndikuar edhe në një përmirësim të performancës së tij, edhe pse mbetet ende shumë për të bërë për të arritur standardet e kërkuara në BE.

Referuar politikave veterinare, ka patur disa nisma dhe ndërhyrje që kanë sjellë një përmirësim, sidomos në vaksinim, kapacitete laboratorike, regjistrim të kafshëve, etj. Megjithatë, ka ecuri të dobët në përditësimin me informacion si dhe kufizim në  kapacitetet administrative që  kërkohen në  këtë fushë.

Pavarësisht punës së bërë këto 10 vite, ky kapitull paraqitet si një nga më të vështirët për tu përmbushur, drejt rrugës së anëtarësimit. Disa nga hapat kryesorë që kërkohen nga Shqipëria për të plotësuar kërkesat për një përafrim ligjor dhe institucional janë plotësimi i kuadrit ligjor mbi kontrollin e sëmundjeve në kafshë, higjienën dhe mirëqenien e kafshëve, kontrollet veterinare në përputhje me aktet normative të BE-së dhe zbatimi i plotë i tyre. Pikërisht zbatimi në terren mbetet pika e dobët në këto fusha dhe kjo do jetë edhe më shumë në fokusin e BE në kuadër të negociatave të mundshme për anëtarësim. Mbetet domosdoshmëri gjithashtu përforcimi i mëtejshëm i sistemit të sigurisë ushqimore duke përfshirë zbatimin e ligjit dhe përmirësimi i mëtejshëm i kapaciteteve laboratorike në fushën e sigurisë ushqimore. Për të pasur sukses në këto angazhime, nevojitet edhe një përmirësim i koordinimit midis institucioneve, për të avancuar me përafrimin dhe zbatimin e legjislacionit në lidhje me BE-në. Gjithashtu nevojitet dedikimi i më shumë burimeve (financiare dhe njerëzore) në dispozicion të institucioneve publike që janë përgjegjëse për zbatimin e standardeve të sigurisë ushqimore, si edhe të standardeve të tjera relevante, por edhe më shumë burime financiare dhe mbështetje për sektorin privat (sidomos fermerët) që të kryejnë investimet e nevojshme për arritjen e standardeve.

Kjo fushë  nuk është e rëndësishme thjesht për procesin e integrimit, por sepse ka të bëjë në radhë të parë me sigurinë dhe cilësinë e jetë së cdo qytetari shqiptar. Për këtë arsye, ajo duhet të konsiderohet prioritet i politikbërësve dhe gjithë institucioneve të përfshira. Pa garantuar standardet e nevojshme në këtë drejtim, zhvillimi i shoqërisë shqiptare do të jetë i ngadaltë, duke afektuar edhe fushat e tjera si shëndeti, ekonomia, turizmi, etj. Adresimi i angazhimeve të marra në kuadër të MSA-së, duhet të jetë nën monitorimin e vazhdueshëm të institucioneve por edhe të aktorëve të tjerë të shoqërisë. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH