Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi sot kërkesën e Fredi Belerit, për të shpallur të paligjshme përgjimet që u kryen ndaj tij gjatë fushatës zgjedhore.
Gjyqtari Florjan Kalaja miratoi si të ligjshëm vendimin e Shkallës së Parë që bëri të vlefshme veprimet hetimore të Prokurorisë së Vlorës kundër kandidatit fitues për Bashkinë e Himarës.
Rezultatet e përgjimeve dhe vëzhgimeve janë prova më e fortë e prokurorisë kundër Belerit.
Beleri ndodhet në qeli që prej 12 majit, me dyshimet se është përfshirë në korrupsion zgjedhor. Ai ka mohuar akuzat dhe ka kërkuar lirinë edhe në Gjykatën e Lartë.
Pavarësisht presionit të fortë të Greqisë, dhe madje takimit të kryeministrit Mitsotakis me homologun shqiptar Rama, lidhur me këtë çështje, Beleri edhe pse u zgjodh kryebashkiak, vijon të mbetet në qeli.