Aktualitet

Tiranë/ Për ata që nuk kanë zë, protestë kundër vrasjes së kafshëve

Shkruar nga Liberale

Për t’i dhënë ndal vrasjes së kafshëve dhe krijimit të strehave për shpëtimin e tyre, dhjetëra qytetarë protestuan para bashkisë Tiranë dhe zyrave të Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit.  Çdo muaj zhduken afro 100 qen, ndërsa vetë kryebashkiaku Veliaj vite më parë premtonte se do i jepej fund metodave të asgjësimit. Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve protesta do të vazhdojë, ndërsa një peticion drejtuar institucioneve të shtetit synon në gjetjen e një rruge për shpëtimin e tyre dhe trajtimin me dinjitet  

Suadela Balliu

Për Loçin, Sofikën, Rokin...dhe qindra të tjerë që vriten çdo ditë. Ata që i kanë ushqyer, që janë përkujdesur kur kanë qenë të sëmurë, që paguajnë me paratë e tyre shpenzimet veterinare, që përpiqen t’u gjejnë adoptues dhe një jetë më të mirë se ajo e rrugës ishin të mbledhur para derës së bashkisë për të protestuar para derës së bashkisë Tiranë. Kafshëdashës nga kryeqyteti, nga Durrësi, Vlora, Saranda e deri nga Kosova ngritën zërin për t’i dhënë fund metodave mizore të zhdukjes së qenve endacakë. Përkundër zotimeve se nuk do të përdorte ato që i cilësonte si “mënyra shtazarake” për të zgjidhur problemin e kafshëve, kryebashkiaku Erion Veliaj nuk ndalet në shfarosje. Prej mëse dy javësh fushata e mbledhjes së qenve të rrugës e më pas asgjësimin e tyre vijon pa ndalur, ndërsa askush nga institucionet përkatëse në varësi të bashkisë, nuk u jep përgjigje qytetarëve që plotësojnë kërkesa për rimarrjen dhe kthimin e tyre në habitat, pranë komunitetit që kujdeset për ta.“Pra ne nuk do t’i vrasim qentë e rrugës. Propozimi ynë është të kthejmë disa kapanone të vjetra të bashkisë ose të ushtrisë në qendra strehimi”, premtonte Veliaj më 2015-n e megjithatë, katër vjet më pas bashkia nuk ka ngritur asnjë strehë, ku siç premtonte kryebashkiaku i cili mori një mandat të dytë me vetëm 20 përqind të votuesve të Tiranës, do të kryhej vaksinimi për të parandaluar infeksionet apo sëmundjet.

“Ajo që duam të bëjmë është të gjejmë një proces ku të vaksinohen, të sterilizohen që mos të shumohen edhe të kenë pastaj një pjesë dinjitoze tjetër ose në qoftë se dikush do t’i adoptojë”.I vetmi facilitet që ka bashkia e Tiranës është Klinika Veterinare në zonën e Kombinatit, ku thuhet se qentë që mblidhen nga rruga – duke përdorur shigjeta me qetësues apo lak -, vaksinohen, sterilizohen dhe kthehen në zonat nga ku janë marrë. Për të tërhequr një qen, i cili ndodh të ketë disa banorë që kujdesen për mirëqenien e tij, të duhet të bësh një kërkesë me shkrim pranë Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, që ka në përbërje të saj edhe sektorin veterinar. Për të shqyrtuar dhe për t’i kthyer përgjigje një kërkese – në rastet fatlume ku qentë nuk janë ekzekutuar brenda ditës – specialistët e AMK-së duan tri javë kohë. Por askush nuk përgjigjet se ç’është bërë me qentë që nuk gjenden në spitalin veterinar të bashkisë.Me kushte të mjerueshme, në dysheme, në erë të rëndë dhe në të ftohtë, klinika veterinare e Kombinatit nuk ka kapacitet të mbajë më shumë se tridhjetë qen.

Sipas veterinerëve që punojnë aty, ata lëshohen pasi janë sterilizuar dhe kohëqëndrimi aty është i shkurtër. Po ku shkojnë qentë e tjerë që mblidhen nga punonjësit e bashkisë dhe nuk gjenden dhe për të cilët,  askush nuk mban përgjegjësinë të thotë asgjë? “Rreth 100 qen mblidhen çdo muaj nga bashkia”, thotë një protestuese, e cila prej mëse 20 vitesh i ka kushtuar jetën shpëtimit dhe përkujdesjes së kafshëve të rrugës dhe që nuk e ka për herë të parë protestën e 27 dhjetorit. Me gjysmë zëri, veterinerët e klinikës së Kombinatit të thonë se në të shumtën e rasteve qentë i largojnë nga zonat prej i kanë marrë për t ‘i lëshuar në zona të tjera. “Kjo ndodh sepse ka banorë që na ankohen”, thotë veterinerja Dituri, e cila do të të sigurojë se asesi qentë nuk vriten dhe se ajo i do po aq sa kafshëdashësit që trokasin të dëshpëruar në dyert e klinikës për të shpëtuar nga kthetrat e vrasjes miqtë e tyre me katër putra.Ata që janë mbledhur të protestojnë e që ia kushtojnë një pjesë të mirë të jetës së tyre përkujdesjes për kafshët e rrugës thonë se i kanë të faktuara me video dhe fotografi sesi i hedhin në zona të shkreta, kryesisht në periferitë e Elbasanit apo edhe në autostradë duke i dënuar në vdekje të sigurt prej makinave apo me vdekje të ngadaltë prej urisë nëpër fshatra.

Ashtu siç pohon edhe ambientalisti Sazan Guri, që iu bashkua kauzës për mbrojtjen e kafshëve, për t’i dhënë fund vrasjes, për të ngritur streha dhe për t’i sterilizuar, regjistruar dhe pajisur me mikroçipe, se në spitalin e Kombinatit qentë asgjësohen me acid, në dhoma të posaçme. “Është një Mathausen”, e cilëson Guri spitalin veterinar të Bashkisë, ndërsa protestuesit ngrenë zërin të pyesin se ku shkojnë taksat e qytetarëve të Tiranës. Spitali veterinar, i reklamuar edhe nga vetë kryebashkiaku vite më parë, shërben për asgjë më shumë thonë kafshëdashësit që kanë humbur me dhjetëra qen nga metodat shoviniste që përdor bashkia kundër katëputroshëve, sesa si një krematorium. Aty qentë fatkeqë vriten duke iu injektuar acid baterish. Në mënyrë paradoksale, taksat e qytetarëve kafshëdashës shkojnë edhe për pagat e atyre që paguhen nga bashkia, që sigurojnë bukën e gojës për familjet e tyre, duke i vrarë.

Çdo ditë, kafshëdashësit bëjnë thirrje në rrjetet sociale që secili të ruajë qentë e lagjes së tij sepse punonjësit e bashkisë nuk ndalen, as në ditë festash. Ndërsa kryebashkiaku Veliaj uronte “Krishtlindje të bardha”, skuadrat e asgjësimit të kafshëve ishin në terren duke mbushur makina me qen.“Nëse më përpara merreshin nga katër deri në gjashtë qen në ditë, tani e kanë shtuar numërin duke kapur nga njëmbëdhjetë”, rrëfen një aktiviste në mbrojtje të kafshëve.Këto ditë rrëfejnë njëzëri ata njerëz që e kanë përzemër mbrojtjen e kafshëve, nuk janë kursyer as qentë e matrikulluar nga vetë bashkia. “Janë shpenzime që bashkia i ka bërë dhe tani i vret”, thotë një tjetër kafshëdashëse e cila ngre zërin duke kërkuar strehë.

Prej vitesh vullnetarë, aktivistë dhe anëtarë të shoqatave në mbrojtje të kafshëve i kërkojnë bashkisë së Tiranës ngritjen e një strehe, ndërsa kanë qenë gjithnjë pro sterilizimit të tyre, por rrëfejnë se janë përcjellë nga zyra e kryebashkiakut vetëm me premtime, pa konkretizuar asgjë. “Prej vitit 2016, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, ka realizuar 4 tenderë për gjoja sterilizimin e tyre ne vlerë rreth 800 milion lekë. Një shifër e pa imagjinueshme edhe nga optimisti më i madh që mund të gjendej”, shkruajnë aktivistët e shoqatës “Animal Rescue Albania”, që prej vitesh kanë mision të shpëtojnë jetët e katërputroshave, duke i mjekuar dhe gjetur familje adoptuese për qindra mace dhe qen. Ashtu siç bëjnë edhe vullnetarët e “Ndihma e “Kafshëve Shqipëri”, “Animal Aid”, Ndihmoni KatërKëmbshat e shumë shoqata të tjera.

“Stop Vrasjes”, “Kanë të Drejtën e Jetës”, “Tirana është e tyrja sa është edhe e jona”, ishin disa nga pankartat që protestuesit mbanin në duar, bashkë edhe me të tjera si “Spitali i Vdekjes”, duke iu referuar atij të Kombinatit apo “Agjencia e Mbytjes së Kafshëve”. “Mezi arrita të merrja dy nga qentë e mi, që m’i kishte marrë bashkia. Unë i mbaj në dyqan”, thotë një protestuese, e cila prej ditësh ecejakesh në zyrat e AMK-së dhe të Spitalit Veterinar, i kishte marrë kafshët e saj të dobët dhe në kushte të këqija shëndetësorë.  Por jo të gjithë ia dalin t’i nxjerrin kafshët për të cilët kujdesen nga spitali veterinar.

Pas shumë e shumë kërkimesh të dëshpëruara e lutjesh për informacion, nën zë dhe në anonimat punonjësit e ngarkuar me mbledhjen e qenve, konfirmojnë vrasjen e tyre.

Ashtu siç ndodhi me Loçin, një qen i përzier husky vetëm 11 muajsh, i cili rrinte në zonën mbi Maternitetin e Ri. Jo vetëm që ushqehej dhe kishte përkujdesjen e banorëve, por ishte i pajisur me librezën e vaksinave dhe priste së shpejti të sterilizohej. Por megjithë përpjekjet dhe ndjekjen e procedurave, Loçi nuk u gjend kurrë.Ashtu si Sofika, një qenushe e moshuar, e cila i kishte shpëtuar tri herë spitalit veterinar me ngulmimin e njerëzve që kujdeseshin për të. Sot, ata të thonë të pikëlluar se e kanë vrarë dhe trupin ia kanë djegur. Pa lënë asnjë gjurmë. Një tjetër protestuese thotë se makina që mbledh qentë e që niset nga godina e AMK-së del në orën pesë të mëngjesit, ndërsa nga klinika veterinare ende pa gdhirë i nxjerrin me mjetet e branduar “ndërmarrja e pastrim-gjelbërimit” për t’i hedhur nuk dihet ku. Por dy vjet më parë, emisioni investigativ Stop do të transmetonte pamje të qenve të ngordhur, të hedhur në landfillin e Sharrës. “Ju pashë në televizor dhe dola të protestoj me ju”, thotë një zotëri 70-vjeçar, i  cili u bashkohet protestuesve  drejt godinës së AMK-së, përgjegjëse për mbledhjen e kafshëve e më pas asgjësimin që po u bëhet, në fshehtësi.

Protesta, thonë pjesëmarrësit, është një nismë qytetare dhe paqësore për të ngritur zërin tek institucionet përgjegjëse. Ajo që kafshëdashësit kërkojnë dhe e kanë ngritur zërin shpesh është sterilizimi dhe markimi i të gjithë kafshëve pa pronarë, vendosja e chip-eve, një hapësirë ku të mblidhen dhe shpërndahen për adoptim, transparencë në kontribute dhe buxhet i caktuar për sterilizimet, vaksinimet dhe shërbimet e tjera ndaj kafshëve dhe sensibilizim më i gjerë në media, por edhe në sistemin arsimor, duke nisur me kopshtet dhe shkollat.

Një peticion drejtuar presidentit, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, kryetarit të bashkisë Tiranë, delegacionit të BE-së dhe organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve me prezencë në Shqipëri, mblodhi dje 380 firma vetëm gjatë protestës.

Në peticion, kafshëdashësit kërkojnë dhënien fund të vrasjes së qenve endacakë dhe përfshirjen e vullnetarëve në procese si vaksinimi dhe sterilizimi në koordinim me bashkitë përkatëse.

“Kur ndodh në kryeqytet, imagjinoni sa keq është situata në rrethe”, reagojnë kafshëdashësit. Protestës në Tiranë u janë bashkuar qytetarë të Kosovës, të cilët rrëfejnë se kanë ardhur enkas për t’i u bashkuar kauzës. Vetëm pak ditë më parë, ndërsa në Tiranë mblidheshin qen nga bashkia, komuna e Prishtinës hapte 18 pika ushqyerjeje për qentë endacakë.

“Duam të na lërë të paktën të ngremë kolibe dhe t’u vendosim ushqim”, thonë disa aktivistë duke sjellë shembullin e metropoleve si Stambolli, i njohur për dashurinë dhe përkujdesjen ndaj qenve dhe maceve. Ka të tjerë që janë gati të lidhen me restorante dhe mensa në Tiranë, t’u kërkojnë tepricat e ushqimeve për të ushqyer qentë, të cilëve çdo ditë e më shumë qyteti u kthehet në mjedis armiqësor. Vetëm pak muaj më parë, Kuvendi i Shqipërisë kaloi në heshtje disa ndryshime në Kodin Penal, ku parashikoheshin dënime për braktisje të kafshëve, vrasje të tyre apo dyluftimet me ta. Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj, sipas nenit 207/b të Kodit penal, që ndiqet nga masat ndëshkimore për keqtrajtimin e kafshëve, ndërsa keqtrajtimi ose torturimi i një kafshe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj dhe me burgim deri në gjashtë muaj, kur vepra ka sjellë pasojë vdekjen e kafshës.

Megjithëse u gëzuan një grusht kafshëdashësish që më në fund parashikohej si vepër penale keqtrajtimi i katëputroshëve, me të drejtë thanë se dënimet ishin të buta. Ishte ministri i atëhershëm i Brendshëm, Saimir Tahiri, që do të propozonte një nismë ligjore në mbrojtje të kafshëve, pas videove që shfaqnin keqtrajtimin e kafshëve të përdorura për ndeshje.  “Braktisja, keqtrajtimi, dhuna, plagosja, vrasja, konkurset e forcës, luftimet ndërmjet kafshëve, publikimi i foto e video, eksperimentet e paligjshme me kafshë, do propozoj të jenë vepra penale të dënueshme”, shprehej ish-ministri atëkohë. Megjithëse propozimet e kafshëdashësve parashikonin masa më të rrepta dënimesh, për organizimin apo drejtimin e ndeshjeve mes kafshëve që shkaktojnë vuajtjen apo torturimin e tyre, parashikohet gjobë ose burg deri në tre muaj dhe nëse kjo sjell si pasojë vdekjen, deri në gjashtë muaj. Përtej këtyre masave në Kodin Penal, ekziston edhe ligji i vitit 2011, për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë.

Mes të tjerash në këtë ligj parashikohet edhe eliminimi i kafshëve, që është i lejuar vetëm në rast të çrrënjosjes së sëmundjeve infektive, për kontrollin e infeksioneve zoonotike në kafshë që paraqesin rrezik për jetën e njeriut apo kur njerëzit sulmohen nga një kafshë e tërbuar, tepër agresive, e egër dhe në kushtet e vetëmbrojtjes, si edhe gjatë gjuetisë, në përputhje me legjislacionin përkatës. Po sipas këtij ligji, në respektim dhe zbatim të të cilit duhet të funksionojë edhe sektori veterinari në Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit, parashikohen edhe rastet kur lejohet Eutanazia apo thënë ndryshe vrasja e mëshirshme, e cila kryhet për t’i kursyer dhimbjet dhe vuajtjet kafshës së sëmurë në rastin e sëmundjeve infektive që paraqesin rrezik për jetët e njerëzve dhe të vetë kafshëve apo pas eksperimentimeve që kanë çuar në ndryshime patologjike.

Ndërsa organizata botërore si PETA ngrenë zërin kundër eksperimentimeve me kafshët, në Shqipëri është e parashikuar me ligj, por institucionet publike duhet të përgjigjen se cili ligj u jep të drejtën t’i asgjësojnë kafshët e rrugës me t’i mbledhur, pa pasur as kohën e as kapacitetet e nevojshme për të ndjekur procedurat e parashikuara në ligj?! Përmes ligjit për Shërbimin Veterinar, për mbrojtjen e mirëqenies së kafshëve ndalohet shkaktimi i torturës, dhunës fizike dhe verbale, sjelljes çnjerëzore, frikës, dëmtimit, dhimbjes, vuajtjes, shqetësimit ose ankthit, po ashtu edhe grumbullimi në një mënyrë që u shkakton atyre dhimbje, vuajtje ose dëmtim.Çdo ditë qytetarë kafshëdashës raportojnë se kanë parë kamionë të mbushur me qen dhe ulërima dhimbjeje të qenieve që shuhen në fshehtësi dhe metoda shfarosëse. “I duhet dhënë fund vrasjeve të kafshëve”, thotë Sazan Guri, duke shtuar se kanë të drejtën e jetës aq sa ua ka caktuar Zoti apo nëna natyrë. Në legjislacionet e vendeve europiane, kafshët kanë statusin e “qenieve me ndjenjë”.

E para që e njohu këtë status, fillimisht në Kodin Rural, ishte Franca më 1976-n. Më 2014-n, shteti francez i njeh kafshët si “qenie me ndjenjë” edhe në Kodin Civil. Pas Francës ,edhe Kebeku e njohu këtë status të kafshëve në Kodin Civil më 2015-n dhe më pas Kolumbia, më 2016-n. Ky formulim u bë në Kodin Civil Zviceran më 2003-shin, në provincën e Katalunjës në Spanjë më 2006-n dhe në Holandë, prej 2011-ës. Në Zvicër, vlera sentimentale e një kafshe shoqërimi njihet në ligj ( dhe kompensimi i dhënë kur plagoset apo vritet), dhe mirëqenie e tij apo e saj merret parasysh në ngjarje si divorci apo vdekja e pronarëve.Pasi amendamentet e Aktit të Mirëqenies së Kafshëve më 1992-shin hynë në fuqi, qëllimet e saj do të përfshinin njohjen e kafshëve si qenie me ndjenjë e që janë në gjendje të ndiejnë dhe të perceptojnë botën rreth tyre. Ky akt njeh gjithashtu vlerën e brendshme të kafshëve dhe vendosin një “detyrim përkujdesjeje” tek njerëzit për të siguruar mirëqenien e kafshëve. Bashkimi Europian e njohu fillimisht se kafshët janë qenie të ndjeshme më 1997-n, në Traktatin e Amsterdamit. Disa shtete me comon law kanë përfshirë këtë formulim në ligjet e mirëqenies së kafshëve, kryesisht Zelanda e Re, që prej vitit 2015.

Nuk ka kaluar shumë kohë për të mos e mbajtur mend se në ç’kushte të mjerueshme u nxor nga “Safari zoo” në Fier luani Zhak. Ministri i Turizmit, Klosi, vrapoi të shfaqej në krah të vullnetarëve të organizatës “Four Paws”, që udhëtuan nga përtej kufijve për ta shpëtuar, por nuk ishte kujtuar më parë të inspektonte një vend të frekuentuar nga shumë. Askujt derisa organizata e huaj në mbrojtje të kafshëve do të vinte kujën, nuk i kishte bërë përshtypje abuzimi i atij luani që përtej syrit të mavijosur, i numëroheshin brinjët nën lëkurë. Megjithë përpjekjet e palodhura dhe plot dhembshuri të vullnetarëve të huaj, Zhaku nuk ia doli, duke u shuar në Holandë pas vitesh keqtrajtimi.Nëse kafsha braktiset duhet të mbajë përgjegjësi personi, që e ka, thonë kafshëdashësit, të cilët kërkojnë pajisjen me mikroçip, ku do të jenë të shënuara të dhënat personale të individit që e ka në zotërim apo në përkujdesje. “Çdo ditë e më shumë shohim të braktisur qen race”, thotë vullnetaret, të cilët kanë shpëtuar me dhjetëra të tillë, ndërsa ngrenë zërin se përse nuk po merren masa sipas ndryshimeve të Kodit Penal që parashikojnë gjoba për braktisjen e kafshës së shoqërimit.

“Kemi fituar një betejë shumë të madhe sepse kemi rekrutuar kaq shumë vullnetarë siç jeni ju dhe në qoftë se ju do t’u thoni edhe shokëve, edhe prindërve tuaj, dhe të gjithë t’i trajtojmë me respekt kafshët, besoj se do të kemi një qytet ku edhe njerëzit rriten shëndetshëm, por edhe kafshët rriten shëndetshëm”, shprehej Veliaj vite më parë përpara klinikës veterinare të Kombinatit, duke mbajtur pranë vetes një këlysh, ndërsa bënte thirrje që familje apo individë mund të adoptonin qentë nga spitali. Atje brenda ka këlyshë jo më shumë se dy apo tre muajsh, por klinika veterinare nuk e ka procedurë t’i postojë për adoptim. Por sipas Sazan Gurit, kapja dhe vrasja e kafshëve nën administrimin e bashkisë nga Veliaj është shumëfishuar nga koha e administratës Basha. Ashtu siç shpjegonte vetë kryebashkiaku Veliaj katër vjet më parë, qentë që dërgoheshin në klinikën veterinare, regjistroheshin në një regjistër të veçantë. Ata kafshëdashës, të cilët kanë humbur qentë për të cilët kujdeseshin, kërkojnë të dinë. Si janë zhdukur? A janë regjistruar? Cilat kanë qenë arsyet e vrasjes së tyre, kur qentë gëzonin shëndet të plotë? Përse qentë, edhe dy javë pas kapjes nuk janë kthyer më në zonën prej nga janë marrë? “Ne besojmë se në një qytet si Tirana ka vend për të gjithë; ka vend edhe për njerëzit, edhe për kafshët”, shprehej kryebashkiaku Veliaj më 3 prill të 2016-s, në Ditën Botërore të Kafshëve Endacake.

Por bashkia e Tiranës gjithnjë e më pak lë vend për ata që në Shkrimet e Shenjta- të cilat kryeministri i citon shpesh kohëve të fundit -, u krijuan nga Zoti me të njëjtin pluhur si njerëzit. “Emancipimi i një vendi, duket nga mënyra sesi i trajton kafshët”, thotë zëshëm një protestuese. “Jemi zëri i atyre që nuk kanë gojë”, thotë një tjetër ndërsa shtojnë se nisma nuk do të mbyllet me kaq. Protestat do të vazhdojnë dhe në rrugë institucionale do të kërkohet së pari dhënia fund e vrasjeve të qenve të rrugës, transparencë  dhe bashkëpunim për zgjidhje optimale që shkojnë për mirëqenien e tyre. Nëse Tirana ka vend për të gjithë, nëse zoti Veliaj nuk e ka në pikat parësore të axhendës së tij atë që ka premtuar prej mëse katër vitesh, nëse nuk u siguron mirëqenien e parashikuar me ligj, të paktën -kërkojnë ata që janë mbledhur në protestë – të mos i vrasë!/Fotot janë marrë nga BIRN

 

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH