Opinion

OPINION nga Reldar Dedaj: ”Armiku” brenda PD-së!

Shkruar nga Reldar Dedaj

OPINION nga Reldar Dedaj: ”Armiku” brenda PD-së!

Reldar Dedaj
 
Pritshmëritë dhe interesi për zhvillimet në PD kanë mbetur të pandryshuara në kuotat më të ulta historike, edhe pse kryetari i kësaj force politike u certifikua me vendim gjykate, duke shfaqur deri më tani një PD që e ka pothuajse të pamundur të ndahet nga modeli i vjetër dhe i dështuar politik i këtyre tridhjetë e ca viteve, model ky që e ka çuar vendin në dështime të njëpasnjëshme dhe kriza ciklike.
 
Sali Berisha si fitues i kësaj beteje dhe i hamendësuar tashmë si personi i vetëm që mund të krijojë shtigje të reja për të bashkuar në një enë të vetme të gjitha realitetet politike, në opozitë me mazhorancën qeverisëse, po shfaqet i paqartë dhe në paqartësinë e krijuar, ka dhe vazhon të shfaqë, çdo ditë, reagime të shumta që luhaten në ekstremet e mosbesimit dhe frikës, edhe pse në vetvete, marrja fund e një sage të pakuptimtë ligjore për ligjshmërinë e PD-së, është kuptuar si metaforë e ndryshimit dhe, si e tillë, pritet të përbëjë ofertën kryesore të opozitës më të madhe të vendit në këto zgjedhje.
 
Pra, pavarësisht kushteve, rrethanave dhe vështirësive, Sali Berisha nëse do që rrotacioni politik të ndodhë me të vërtetë është i detyruar t’i japë një përgjigje dilemës dhe mbi të gjitha, ndoshta më shumë se gjithçka tjetër, të krijojë shanset që një parti e vjetër dhe e rëndësishme e sistemit politik shqiptar, me shumë përgjegjësi në degradimin e sistemit, mund të bëjë, më në fund, riformatimin e sistemit. Për më tepër, një parti që edhe pse prej 12 vitesh vazhdon e qëndron në opozitë, nuk ka pasur kurajon për të bërë një analizë të thellë të vetvetes dhe t’i nënshtrohet një procesi serioz reformimi.
 
Me një fjalë, Partia Demokratike edhe pse mbi një dekadë në opozitë, vazhdon e mbetet po ajo që ishte: një grup parlamentar pa ide dhe krejtësisht jofunksional, me pjesën më të madhe të figurave politike të stërkonsumuara dhe që shkaktojnë irritim tek qytetarët, e mbushur plot e përplot me individë që s’pranojnë kundërshtarë politikë dhe që kanë të drejtën për të menduar ndryshe nga ata, shkurt një strukturë e atrofizuar që ilustron në mënyrë përfekte modelin që ka dëshirë të mbajë në lojë si kundërshtarë të tij, vetë Edi Rama.
 
Ndryshimi i Partisë Demokratike nuk është diçka urgjente vetëm për simpatizantët e kësaj force politike, as për disa rioshë që sapo kanë dalë nga veza e kuqe e politikës dhe mbi të gjitha, as për ata dhe, veçanërisht për ata që kanë lidhur interesat ekonomike me ekzistencën e kësaj force, por shumë më tepër se kaq, ndryshimi i kësaj force politike është e rëndësishme, së pari; për vetë Berishën dhe familjen e tij, e cila, e rrezikuar nga servilizmi dhe dembelesa politike, më shumë se non gratat, është e kërcënuar nga vija e kuqe që i kanë vendosur qytetarët shqiptarë, që sigurisht, janë më shumë se ata që i servilosen familjes Berisha dhe shumë më shumë, se sa vetë simpatizantët që i kanë mbetur besnik kësaj familje dhe vetë flamurit të PD-së. Me pak fjalë, është shumë e pandershme, që nga njëra anë figurat e rëndësishme të kësaj partie, me në krye Berishën, të shërbejnë si gogolë që largojnë elektoratin e, nga ana tjetër, të akuzohen një grup deputetësh dhe ish-funksionarësh të kësaj partie si bashkëpunëtor të Edi Ramës, vetëm pse nuk pranojnë dot një parti nën diktatin e Berishës dhe shijeve të tij.
 
Prej tre vitesh opozita në Shqipëri po na tregon se qoftë e ndarë apo e bashkuar është krejtësisht e paaftë për t’u konsideruar alternativë. Dhe, pavarësisht skandaleve të qeverisjes aktuale, shumica dërrmuese e elektoratit shqiptar me shumë gjasa sot dhe as nesër nuk e sheh PD-në si alternativë qeverisëse. Ideja se një opozitë mund të vijë në pushtet vetëm si pasojë e degradimit të qeverisjes, mund të themi se ra në zgjedhjet parlamentare të 2021. Sigurisht, PD, tani edhe po të dojë të ndryshojë, do ta ketë shumë të vështirë për të mos thënë të pamundur që të shndërrohet në një alternativë qeverisëse për zgjedhjet e përgjithshme të 2025, edhe pse mazhoranca socialiste, mund të kalojë, nga skandali në superskandal.
 
Ajo çfarë pritet nga PD dhe veçanërisht nga Sali Berisha dhe lidershipi i tij është pranimi i mendimit ndryshe, jo si asimilim, por si një fraksion që ka identitet dhe përfaqësim në strukturat e reja të kësaj partie. Një ide e tillë është shumë e nevojshme që pas humbjeve të vitit 2025, në PD, të jetë një bërthamë njerëzish që mund të plotësojnë kushtet që ta ringrenë dhe ta përshtasin kundrejt sfidave të kohës këtë subjekt politik, që nesër, të jetë me të vërtetë një forcë politike që ngjall besim dhe plotëson kushtet për të garantuar rrotacionin politik në vend.
 
Është e vërtetë se PD ka arritur të qëndrojë një parti e fortë e spektrit politik shqiptar, por nga ana tjetër ajo prej vitit 1992 nuk ka arritur asnjëherë të jetë partia me numrin më të madh të votave të elektoratit shqiptar. Kjo shpjegohet me faktin se PD ka ardhur duke e ngushtuar gjithnjë e më shumë bazën e përfaqësimit, nga njëra anë, duke i përfaqësuar pak ose keq shtresat sociale që janë bazë e elektoratit të saj si të persekutuarit apo ish-pronarët dhe, nga ana tjetër, duke mos i përfaqësuar fare grupe të nuancuara të shoqërisë shqiptare, që shtrihen jashtë anëtarësisë së saj.
 
Më e rëndësishmja, besojmë, është edhe qasja që do ketë tanimë vetë PD, veçanërisht pas njohjes ligjore nga gjykata, të një tjetër realiteti politik, që është vota anti-Berishë dhe që përfaqësohet deri-diku sot nga të vetëquajturit ”demokratët euroatlantikë”, të cilët janë, plus-minus, 110 mijë vota, por që e marrim të mirëqenë se një pjesë e konsiderueshme mund të kenë lëvizur për shkak edhe të humbjes së vulës së partisë. Pavarësisht numrit të tyre, një gjë është e vërtetë, se ata janë një realitet politik dhe nuk mund të nënvleftësohen dhe as të asimilohen si armiq të kryetarit të PD-së.
 
Në subjektet politike që demokracia e brendshme nuk është një iluzion, por realitet, ai që nuk mendon si lideri i partisë, nuk është armiku i tij, por kundërshtari politik, i cili, duke qenë i tillë më shumë e ndihmon, sesa e dëmton. Në fakt, të kundërtat, sado në skaje të shkojnë, në momente krizash ato i vijnë në ndihmë njëra-tjetrës. Sepse, koncepti i kundërshtarit duhet t’i njohë palës tjetër, me të cilën parballet, të drejtën për të ekzistuar politikisht, pa e degraduar tjetrin në kategoritë e armikut që duhet eleminuar me çdo kusht. PD, e ka të detyrueshme të investohet në një mentalitet konstruktiv dhe jo të degradojë çdo ditë e më tepër në mendimin ku tjetri, pra armiku, të mos ekzistojë në skenën politike. 
 
Prova e barrës për Sali Berishën dhe veçanërisht për atë është sa hapësirë do krijojë për transformimin e armikut në kundërshtar politik, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se shoqëria është plurale dhe se i njëjti fenomen mund të shikohet, perceptohet dhe kuptohet në mënyrë krejt legjitime nga pikëpamje të ndryshme. Sa të ndodhë kjo, shumica po pret në shtëpi./Liberale.al/
 

Poll
SHQIPENGLISH