Opinion

OPINION nga Erl Kodra: Kosova dhe Donald Trump

Shkruar nga Liberale
OPINION nga Erl Kodra: Kosova dhe Donald Trump

Nesër Kosova voton.

Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e pasluftës, në momentin më kritik të ekzistencës së shtetit të pavarur të Kosovës. Me fjalë të tjera, nesër vendoset nëse Kosova do të vazhdojë të jetë një shtet i pavarur, apo do të vihet në pikëpyetje mbështetja e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian. Pa këtë mbështetje Kosova rrezikon shumë, madje rrezikon edhe pavarësinë. Dhe ja pse:

Që prej datës 20 janar 2025 bota perëndimore gjendet nën shok: Donald Trump dhe Elon Musk kanë hyrë në zemër të makinerisë gjigande të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, dhe me çelsa, trapanë dhe vare dhe po çmontojnë pjesë të kësaj makinerie. Ata pothuaj e mbyllën fare USAID, por ndryshojnë thelbësisht Departamentin e Mbrojtjes, Departamentin e Drejtësisë, Departamentin e Arsimit dhe të Shendetësisë; ata po "reformojnë" CIA-n, FBI-në dhe shumë intstitucione të tjera. Krijimi i Departamentit të Efikasitetit Qeveritar (DOGE) i drejtuar nga krahu i djathtë i Donald Trum - Elon Musk - ka për detyrë të ndryshojë përfundimisht mënyrën se si funksionon qeveria e Shteteve të Bashkuara.

"Shpërbërja e qeverisë (amerikane) nga Trump dhe Musk po trondit themelet e demokracisë amerikane" - shkruan Lisa Mascaro për Associated Press.
Vet institucionet amerikane po e ndjejnë peshën e sulmeve përmes urdhërave ekzekutiv të Presidentit Trump dhe bisturisë së egër të Elon Musk. Një pjesë të këtyre urdhërave po i anulojnë përkohësisht gjykatat amerikane, por në përfundim, nuk dihet saktë se sa do të mund t'i rezistojnë presionit të administratës Trump.

Duket se tani po merr kuptim deklerata e Donald Trump para krerëve evangjelistë kur u tha:
"Kristianë, dilni dhe votoni, vetëm këtë herë. Nuk do t’ju duhet të votoni më, kristianët e mi të bukur."

Kjo sa i përket politikës së brendshme të Shteteve të Bashkuara.

Në fakt tronditja e vërtetë është politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara. Kurrë në histori nuk ka ndodhur që një president amerikan të sulmojë kaq egërsisht fqinjin më të madh, më të fuqishëm dhe më të rëndësishëm siç e sulmoi Presidenti Trump Kanadanë, duke e tallur, shantazhuar dhe duke i vendosur tarifa prej 25 % prej triliona dollarësh. Pavarvsisht se ato u pezulluan për një periudhë një mujore, duket se asgjë nuk është më si më parë. Kështu edhe me Meksikën dhe pothuaj me të gjitha vendet e Kontinentit Amerikan.

Edhe aleatët e pazëvëndësueshëm të Shteteve të Bashkuara - Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian - janë tronditur nga shpërfillja brutale që Presidenti Donald Trump po i bën aleancës strategjike që mban në këmbë qytetërimin perëndimor. Kërcënimet përmes tarifave, tallja dhe shpërfillja janë mjetet me të cilat po shantazhon vet perëndimin, ndërsa "ndalimi i luftës mes Rusisë dhe Ukrainës për 24 orë" u harrua. Duket qartë se Presidenti ka prioritete të tjera.

Kjo është situata gjeopolitike në planin ndërkombëtar dhe nesër Kosova do të votojë për të zgjedhur qeverinë e ardhshme.

Nëse ju kujtohet gjatë presidencës së parë të Donald Trump - diku në vitin 2019 - në Uashington u hodh ideja se Shtetet e Bashkuara do të tërheqin trupat nga Kosova. Nuk më kujtohet saktësisht se kush e hodhi idenë, por e di se djali i Trump e shpërndau twitter-in e tmerrshëm: "Shtetet e Bashkuara duhet të tërhiqen nga Kosova".

Me Albin Kurtin Kosova është vënë nën sanksione të Bashkimit Europian dhe nën kritika të ashpra nga administrata e kaluar e Presidentit Biden, ndërsa Richard Grenell deklaron qartë se Albin Kurti ka qenë kundër çdo ideje të ofruar nga Shtetet e Bashkuara që nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Donald Trump.

Për fat të keq, Richard Grenell është mizorisht i saktë në këtë pohim; Albin Kurti ishte kundër luftës në vitin 1998-1999, kundër marrëveshjes së Rambujesë, kundër bombardimeve të NATO-s (në fakt Shteteve të Bashkuara), kundër KFOR-it, kundër Pakos Ahtisari, kundër Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës; dhe absolutisht kundër çdo propozimi europian dhe amerikan.

Nesër qytetarët e Kosovës kanë mundësinë ta largojnë këtë Rrezik nga zyrat e qeverisë.

Bota (perëndimore) është në një udhëkryq të madh historik. Shtete të tilla si Kanadaja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia - krejt Europa dhe vet Shtetet e Bashkuara - gjenden nën trysninë e një Presidenti të paparashikueshëm. E ardhmja e perëndimit është realisht në pikëpyetje.

Imagjinoni pak Albin Kurtin duke mbajtë leksione të tipit "Antonio Blinken është naiv" ose "Shtëpia e bardhë, shtëpia e verdhë, Amelika, Amelika" dhe kujtoni se çfarë Trump i bëri Kanadasë para një jave. Dhe mendojeni pak se kush është Kanadaja, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe.

Tani imagjinoni Kosovën me Albin Kurtin kryeministër duke ba si cub me Donald Trump.

Më mirë mos e imagjinoni atë skenë sepse është shumë mizore.

Prandaj nesër mos votoni Albin Kurtin. Votoni për çdo parti opozitare, por jo për një individ që është rrezik real për Kosovën.

Poll
SHQIPENGLISH