Ekspertizë

EKSPERTIZË nga Kristaq Xharo: Rreziku i historisë së përsëritur… në çdo prag lufte

Shkruar nga Liberale

EKSPERTIZË nga Kristaq Xharo: Rreziku i historisë së

Kristaq Xharo*

Të gjithë shprehën habi kur kancelarja Merkel 10 vjet më parë parashikoi që situata e sigurisë në Europë po i përngjante pragut të Luftës së Parë Botërore. Tashmë, liderët europianë  në perëndim e në lindje nuk e mohojnë mundësinë e një konflikti të madh, por shprehin shqetësim se ‘Europa nuk është gati për luftë’. Pas 80 vjetësh nën mbrojtjen amerikane, kontinenti i vjetër po zgjohet pa asnjë mbulesë. Ciklet 6-8 vjeçare të luftërave të Rusisë  (Çeçeni, Gjeorgji, Krime dhe tani drejt Kievit) nuk u vlerësuan si shenja të një stuhie të madhe që po i afrohej Europës , dhe aspak  si sinjale alarmi për tu zgjuar  nga gjumi kantian i ‘Paqen e përjetshme’ (Emanuel Kant).

Rajoni i Ballkanit, veçanërisht perëndimor, nuk është aspak më i ndryshëm nga ai i periudhës ’14-’18 me ideologjitë, kulturën, përçarjet, dëshirat dhe vullnetet. Duhet të qëndrosh jashtë tij për ta parë atë si një ‘vatër të dytë’ më të mundshme të vazhdimit të konfliktit të ndezur në Ukrainë. Rreziqet dhe aventurat për ta rikthyer në vatër të origjinës nuk janë larguar aspak…

Vetëm pas 30 viteve kur u rrënua deri në pikën ‘0’ i gjithë sistemi i mbrojtjes (forca të armatosura, teknikë e armatim, municion dhe industri ushtarake), shoqëruar me bullizimin banal , duket se një frymë e re po ndikon për të rilindur mbrojtjen kombëtare ‘Made in Albania’ me  armatim e industri. Duket qartë që edhe nën ombrellën e NATO-s, vendi ka nevojë për fuqinë e vet kombëtare.

A ka qenë fati historik, mungesa e kulturës strategjike, apo miopi për të vlerësuar rreziqet,  ajo që na ka kthyer ‘viktima’ të përsëritura thuajse në çdo prag lufte të madhe?  Të gjendur pa shtet, apo me shtet të dështuar, të dobët, të brishtë, pa fuqi,  por jo rrallë edhe pa  dëshirë e vullnet për tu përballur.  A vuajmë nga rreziku i historisë së përsëritur ...në cdo prag lufte?

Tashmë që mjedisi i sotëm i sigurisë, mjaft më i ndërlikuar dhe më i pasigurte, aq sa shtetet të vegjël apo të mëdhenj  mendojnë mbijetesën me idenë që historia të mos përsëritet një kalim nëpër ngjarjet më të mëdha të historisë moderne të shtetit tonë le të afrojmë një thirrje për ndërgjegjen, vullnetin dhe strategjinë që ‘ kjo herë  të mos jetë si përherë’. Ky shkrim është thjesht një tangjente, në pamundësi  të një analize, për 150 vjet histori për këtë objekt. Disa nga ngjarjet më të rëndësishme në nivel europian apo ballkanik, të cilat përfunduan në luftëra me impakt direkt mbi vendin tonë, gjatë kësaj, periudhe mund të konsiderohen: Kongresi i Berlinit  (1878) dhe Lidhja e Prizrenit; luftërat ballkanike dhe shpallja e Pavarësisë; Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, Lufta e Ftohtë dhe Lufta e Kosovës për të ardhur në situatën e tanishme që konsiderohet një prag lufte për një konflikt të ri me përmasa  europiane.

Viti i hershëm 1878, Kongresi i Berlinit skicoi hartën e sotme të  Ballkanit,  duke ringjallur sipas interesave të mëdhenjve   shtet-kombet e përgjumura të rajonit, por duke injoruar shqiptarët, më të hershmit në këto troje. As fuqia ushtarake e Lidhjes së famshme të Prizrenit si ngjarja më e madhe e kohës, e as diplomacia e të gjithë-diturit Abdyl Frashëri, që trokiti në  kancelaritë e Europës, e përballej me Bismarkun e madh, nuk arritën ta vendosnin çështjen shqiptare në tryezën europiane.  Trokitëm me vonesë në histori dhe vinim si një komb pa shtet, pa kapacitete minimale  të fuqisë kombëtare, pa forca të armatosura , pa aleatë dhe aleanca,   pa strategji madhore e as strategji mbrojtjes...Përfundimi: për të mëdhenjtë ‘një shprehje gjeografike’ për fqinjët e uritur një ‘gjah’ i gatshëm.  Më pas është histori...

Vitet 1912-1913 shënuan ngjarjen më të madhe në historinë e kombit shqiptar: shpalljen e pavarësisë, që u zhvillua në rrënojat e përmbysura të  Perandorisë Osmane, por edhe në zjarrin e Luftërave Ballkanike. Akti i pavarësisë, me shumë vuajtje u njoh përgjysmë  gati pas 8 muajsh (korrik 1913), ndërsa mëvetësia e kufijve nuk u respektua asnjëherë nga fqinjët ballkanikë. Më një vonesë historike (35 vjet), nga shtetet e tjera ballkanike, si shteti më i ri në rajon, ndoshta duke kapur vagonin e fundit të trenit të historisë ballkanike dhe në vigjilje të luftërave ballkanike (1912-1913), të cilat pas kongresit të Berlinit  po riformatonin hartën e rajonit.

Luftërat Ballkanike, me siglën e dëbimit të Turqisë nga territoret europiane, ishin dhe mbetën një luftë  për të zhdukur kryesisht trojet shqiptare nga harta ballkanike. Ndërsa vendit vazhdonin ti grabisnin më shumë se  gjysmën e trojeve, fqinjët, si Greqia dhe Serbia, shtuan territoret e tyre shumëfish.  Për herë të dytë, vonesa në histori dhe mungesa e kapaciteteve të fuqisë ishin tragjike për shqiptarët... Profesor Aleks Buda në "Shqipëria dhe shqiptarët gjatë Rilindjes Kombëtare" e përshkruan këtë periudhë si një kohë kur shteti shqiptar ishte i vogël, i brishtë, pa fuqi e  me  forca të armatosura, kryesisht lokale dhe tribale, por me armatim të vjetër dhe pa municion.

Vitet 1914-1918. Edhe ‘neutraliteti’ nuk është strategji për mbijetesën e një vendi.  Përfundimi i luftërave ballkanike nuk solli paqe në gadishull, por shërbeu si urë për Luftën e Parë Botërore. Në këtë prag lufte, me një histori 6 mujore, shteti shqiptar ishte aq i pafuqishëm  sa nuk mund të përcaktonte asgjë për fatin e saj. Me një fuqi ushtarake në vlerësimet më optimiste prej 12 mijë forcash, me armatim të vjetër të  mbetur nga ish garnizonet turke, municion të papërfillshëm, i paorganizuar e me linja të shkëputura organizimi dhe drejtimi, ai nuk arriti të kthehej në faktor për mbijetesë shprehen dy studiues të shquar të historisë sonë. (Robert Elsie dhe Nikola Guy). 

Megjithëse princ Vidi shpalli dhe kërkoi njohje të statusit të neutralitetit,  asnjë prej fuqive të luftës, të mëdha apo fqinjët  nuk e respektuan. Shtatë ushtri të huaja, nga më modernet e kohës,  me rreth 250 mijë trupa ose mbi 20 herë më të mëdha se ato të shtetit  shqiptar, duke përfituar edhe nga situata e brendshme anarkike,  pushtuan vendin dhe e krijuan po aq mini-republika (7).  Nëse studiues e politikanë të shquar bëjnë analogji për situatën e sotme me atë të prag luftës së Parë Botërore do të ishte me mjaft interes  edhe për shqiptarët kudo që janë,  njohja e kësaj periudhe ku jo pak elementë në mjedisin rajonal e global të sigurisë po vijnë si dukuri të ngjashme.  Fuqitë ndërluftuese, aleancat, objektivat madhorë, mjedisi strategjik por edhe kultura strategjike mund të jenë  elementë të rëndësishëm studimor për të realizuar vlerësim situatash edhe për ditët tona.... 

Prag Lufta e Dytë Botërore (1939) ose impaktet e një shteti të kompromentuar dhe të dështuar. Për ironi të historisë, prag lufta e gjeti vendin tonë në të njëjtin gjendje si edhe ato qe ishin përsëritu gjatë 100 viteve të historisë : të vonuar, të dobët, të brishtë e me  shumë pak fuqi. Me fjalët e Miranda Vicker dhe James Pettifer në ‘Çështja Shqiptare: Riformatimi i Ballkanit’ thuhet se "Në prag të Luftës së Dytë Botërore, fuqia ushtarake e Mbretit Zog përbëhej nga rreth 15,000 trupa të rregullta dhe forca të tjera xhandarmërie, të pajisura me armë të vjetra, pa municion e pa elementë të industrisë ushtarake." Komprometimi i shtetit në prag dhe gjatë luftës rrezikoi të vendosej në anë e gabuar të luftës, humbësve të mëdhenj, ndaj edhe për këtë shumëfishohet vlera e  Luftës Nacional Çlirimtare  që i zhvendosi shqiptarët në krah të Aleancës së Madhe dhe të fituesve. dilnim nga lufta si  fitimtar.

Për shkak se Lufta e Ftohtë (1945-1990) nuk solli përplasje apo edhe impakte direkte, shqiptarët ende të vazhdojnë të debatojnë apo bullizojnë përpjekjet që u bënë në kapacitetet e mbrojtjes. Pozitive është se nuk flitet për pafuqi, mangësi e boshllëqe, mungesa armësh dhe municioni, industri dhe kapacitete forcash, por për teprica kapacitetesh, militarizim të ekonomisë, dhe të aktiviteteve sociale, një mobilizim perfekt e një sistem mbrojtje e krahasueshme me Finlandën, Suedinë, Zvicrën.  Denisson Lane, ekspert i lartë ushtarak amerikan  në librin  e tij ‘Once Upon  An Army: The Crisis in Albanian Army 1995-1996’ (f.114)   shprehet se ‘...do të kishte qenë idiotizëm për këdo të ndërmerrte ndonjë sulm aventuresk kundër mbrojtjes së këtij vendi..’ Pra një vend i mbrojtur e me kapacitete optimale të fuqisë. Për të tjerat kemi mjaft analiza e fjalime ‘fake’ që bullizojnë mbrojtjen nga politikanë dhe nga ata që nuk arritën të kryejnë as ‘zbor’. 

Prag lufta e Kosovës (1997-1999) ose një shtet i dështuar në prag të ngjarjes së dytë më të madhe të historisë. Shumë shpejt shteti shqiptar e kapi e njëjta epidemi me të njëjtat simptoma si cdo herë tjetër në prag lufte : të vonuar,  të rrënuar,  shkatërruar e çarmatosur,  në anarki dhe divergjenca të thella të brendshme dhe  me kapacitete lufte tokësore, ajrore e detare të rrënuara drejt  ‘0’. Ironike mbetet se kur i gjithë Ballkani perëndimor digjej e gjakosej në flakët e luftës, në vendin tonë organizoheshin ceremoni për çarmatim dhe shkatërrimin e municioneve duke u ngazëllyer me ‘certifikata e lavdërimit’ që kishim zhdukur gjithë fuqinë e mbrojtjes.  Pikërisht kur kombi vihej në provën më të madhe të historisë së vet, me luftën e shqiptarëve në Kosovë, elitat politike e çonin shtetin  drejt greminës më të madhe të historisë së vet. Edhe në këtë radhë asgjë ndryshe nga gjithë çfarë përmendëm më sipër.

Në përfundim: Situata aktuale në Europë dhe në Ballkan po reflekton sfida të ngjashme me ato të shekullit të kaluar. Merkel parashikoi para një dekade që situata e sigurisë në Europë po i përngjante pragut të Luftës së Parë Botërore, një parashikim që tani po merr gjithnjë e më shumë vëmendje. Europa, pas dekadash nën mbrojtjen amerikane, ndodhet e brishtë për një konflikt të madh, ndërkohë që ciklet e luftërave ruse dhe tensionet në Ukrainë zhvillohen periodikisht e  po përshkallëzohen. Rajoni i Ballkanit perëndimor, si me ideologjitë, përçarjet dhe rreziqet e tij, dhe ndërhyrje e shtuara ruse mbetet një vatër potenciale për konflikte të reja.

Rrënimi i sistemit të mbrojtjes dhe mungesa e kapaciteteve ushtarake në Shqipëri, e kombinuar me bullizimin politik dhe social, kanë lënë vendin në një gjendje të brishtë. Historia e përsëritur e një shteti të pafuqishëm dhe të brishtë, që gjendet i papërgatitur në prag të çdo konflikti të madh, është një kujtesë e dhimbshme për nevojën e një strategjie të qëndrueshme. Thirrja për ndërgjegjen, vullnetin dhe strategjinë që 'kjo herë të mos jetë si përherë' duhet të jetë udhërrëfyesi ynë për të ardhmen. Aleatët strategjikë dhe NATO do të mund të ndodhen më paranë kur edhe ne jemi të gatshëm për të plotësuar përgjegjësinë tonë.  Zhvillimet më të fundit për armatim dhe industri ‘Made in Albania’ janë optimiste dhe nëse do të koordinohen edhe me aleatët më të afërt e veçanërisht Kosovën mund të hyjmë në periudhën e një ‘smart defense’.

Kristaq Xharo*: Prof. Dr. Lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Çështjet e Sigurisë në UET

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH