Ekspertizë

EKSPERTIZË nga Kristaq Xharo: Për një grusht fishekë.... municioni si ‘zemra e betejës’

Shkruar nga Liberale

EKSPERTIZË nga Kristaq Xharo: Për një grusht fishekë....

Kristaq Xharo*

"Në luftë, nuk ka alternativë për fitoren. Dhe për të shkuar drejt saj , nuk ka një alternativë të dytë për municionet e nevojshme." Chester W. Nimitz

Episodi 1. Histori apo mit. Mjaft studiues të strategjisë dhe historianë të famshëm nuk kanë reshturi së analizuari Betejën e Waterloo, një nga më të mëdha, që luftoi Napoleoni para dy shekujsh e veçanërisht shkaqet e humbjes, ku e municionit ishte nga më dërrmueset. Thuhet se kur perandori pyeti marshallin e tij të famshëm të artilerisë Antoine Drouot : ‘... përse nuk po hap zjarr artileria, ai ju përgjigj se janë 13 arsye madhëri. Më thuaj të trembëdhjetën shpërtheu Napoleoni, në nxitim, për të cilën çdo moment ishte vet strategjia, ‘Nuk kemi municion madhëri...’ Se si vazhdon më tej, mbetet histori...


Episodi 2.
Butafori...por e ndodhur... Momenti ceremonial i betimit të presidentit të ri në Shqipëri në vitin ... u kërkua të shoqërohej me të shtëna artilerie. Pasi gjeneralët tanë kishin menaxhuar deri në detaje axhendën e ceremonialit, në fund drejtuesi i logjistikës kish pyetur se me se do ti realizojmë të shtënat e artilerisë... atëherë u kujtuan se ne ishim shteti i parë, në botë, pa artileri. Asnjë grykë zjarri e mbetur, ku së paku prej 21 mijë e 500 të tilla, vetëm të artilerisë tokësore, sëbashku me kompletet e tyre të municionit luftarak, llogaritur për një luftë intensive deri në 5 vite, tashmë ishin kthyer në skrap, duke marrë dhe jetë të pafajshmëve. Karvanë trenash, të mbushur me tanke, topa, raketa e armë të tjera ishin nisur jashtë kufijve, me krenarinë e të parit ‘shtet të çarmatosur’ në një Ballkan të armatosur deri në dhëmbë... Duke mbetur në skenarin e ceremonialit të betimit, ekspertët e protokollit shprehen krenarë se misioni u plotësua me municion manovër ..mina tymuese...

Episodi 3.
Fiction... Ne fillimet e Luftës së Rusisë në Ukrainë, pranë ish-bazave të armatim – municionit: Gramsh, Poliçan, Mjekës (Elbasan) e Kuçovë u gjendën e ndaluan ‘turistë’ me dozën e manisë për të fotografuar gjendjen e këtyre vend-instalimeve ushtarake. Të ‘ndaluarit’ u shprehën se ishin ‘turistë garnizonesh të braktisur’ e jo agjentë të Rusisë që kërkonin të dhëna për aftësinë kapacitetet e këtyre bazave për tu rikthyer në destinacion e prodhuar si më parë municion e armatim. Nuk di se çfarë ndodhi me ‘turistët tanë rusë’, por qartësisht shërbimet inteligjente ruse kanë informacion të plotë jo vetëm për mungesat e municionit të forcave ukrainase, por edhe të kapaciteteve të vendeve të NATO-s, veçanërisht atyre të lindjes, për të furnizuar me municion atë...

Episodi 4. Realizëm...Stotelberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s deklaroi se Lufta në Ukrainë po kthehet në një ‘betejë municioni’, ndaj ju bën thirrje vendeve europiane të furnizojnë sa më shpejt këtë vend se përndryshe Putini do të ndodhet pranë portave të NATO-s. Dhe i pari i NATO-s duket se ka të drejtë, ndërsa Rusia hedh në ditë rreth 10,000 predha çdo ditë, Ukraina është detyruar të racionojë zjarrin e artilerisë, duke kufizuar në vetëm 2,000 predha dhe në një front prej 1 000 kilometër. Por, paradoksi qëndron se vendet europiane të NATO-s të zhytura në 80 vjet ‘paqe kantiane’ i kanë magazinat e veta gati të boshatisura rivënia në funksionim e industrisë së luftës më tepër kohë se çka në dispozicion.

Përsa më sipër, janë episode sipas një rrjedhje kronologjike, edhe pse midis parodisë, paradoksit, por edhe paradigmës, por të gjitha vendosin në qendër të debatit ‘zemrën e betejës’ ...municionin. Përfundimi i Luftës së Ftohtë krijoi iluzionin e madh se tashmë kishte mbaruar historia e luftërave dhe konflikteve dhe një sezoni i ‘paqes së përjetshme’ të Emanuel Kantit sapo kish filluar. Edhe vepra e Franc Fukojamës, studiues i famshëm amerikan ‘Fundi i Historisë dhe njeriu i fundit’ apo Tomas Friedman, njohur si ‘babai’ i strategjisë moderne në ‘Olive Tree’, mbetur për një kohë të gjatë si bestseller, reflektonin saktësisht periudhën e iluzioneve të mëdha me triumfin e liberalizmit dhe globalizmit, Fukojama për fundin e luftërave në një botë liberale dhe Friedman për pamundësinë e tyre në një botë të globalizuar. E ndërsa vendet e perëndimit, por edhe të lindjes për mbi 30 vjet ranë në një gjumë pacifist duke reduktuar linjat e prodhimit, Rusia vazhdoi të armatosej e të përpunonte strategjitë e saj të luftës agresive. Gjithçka rezultoi një zhgënjim...

Luftërat e Rusisë, në mënyrë ciklike çdo 6-8 vjet thjeshtuan kuptimin e luftës si vazhdim të politikës dhe fatkeqësisht e solli atë edhe si instrument për opsione zgjidhjesh të dilemave strategjike. Lufta, që filloi në vitin 2014 dhe arriti kulmin e saj në vitin 2022, veç të tjerave po tregon në mënyrë të pashmangshme rolin jetik të armatimit e ndoshta edhe më thjesht të municionit në luftërat moderne aq sa shndërrohet në ‘zemrën e betejës’, duke përcaktuar fatin e forcave, betejave dhe vet luftës.

Municioni, që përfshin nga fishekët e thjeshtë deri tek raketat e sofistikuara, po shfaqet si themeli mbi të cilin ngrihen dhe rrëzohen strategjitë e luftës. Ish-Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, James Mattis, theksoi një herë se "Gjashtë inçët më të rëndësishëm në fushën e betejës janë midis veshëve tuaj," duke nënvizuar rëndësinë e mendimit, kulturës dhe strategjisë. ‘ Por, pa municion të mjaftueshëm, edhe mendjet më të ndritura dhe strategjitë më të sofistikuara kanë momentin e tyre të dështimit...’ Në Ukrainë, ku çdo fishek dhe çdo raketë mund të jetë vendimtare për mbrojtjen e qyteteve dhe fshatrave, mungesa e municionit ka qenë një makth i vazhdueshëm. Ushtarët në frontin e luftës, duke luftuar jo vetëm për tokën e tyre por edhe për jetët e familjeve të tyre, shpesh kanë gjetur veten në situata ku çdo fishek ka rëndësi jetësore. Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksi Reznikov, ka deklaruar me emocion: "Suksesi ynë në fushën e betejës varet shumë nga furnizimi në kohë i municionit dhe armëve të nevojshme."

Ndërsa konflikti Rusi-Ukrainë zgjatet, mungesat e municionit po godasin të dy palët. Ukraina, e cila mbështetet dukshëm në ndihmën perëndimore, ndodhet në dilemat më të mëdha. Çdo vonesë në furnizim përkthehet në rrezik për ushtarët dhe civilët, duke sjellë pasiguri dhe frikë. Nga ana tjetër, edhe pse Rusia, ka përsëri avantazhe të stoqeve të municionit, ajo tashmë prodhon disa herë më shumë se gjithë vendet europiane sëbashku, por duke parashikuar një rezistencë të shkurtër nga Ukrania po has vështërsi në ruajtje e intensitetit të luftimeve. Në të dy anët kjo situatë ka shkaktuar jo vetëm një përkeqësim në efektivitetin ushtarak, por edhe një ndjenjë të thellë pasigurie dhe lodhjeje morale nga palët.
Ekspertë të shquar ushtarakë kanë vënë në dukje rëndësinë jetike të municionit në konfliktin Rusi-Ukrainë. Gjenerali në pension Ben Hodges, ish-komandanti i Ushtrisë së SHBA-së në Evropë, shprehet se : "Kjo luftë është edhe një luftë konsumi, dhe si e tillë , palës që i mbaron municioni ndodhet në dilemat e humbjes." Ky koment përmbledh jo vetëm natyrën strategjike të konfliktit, por edhe barrën emocionale që mbartin ata që janë të përfshirë drejtpërdrejt. Analisti ushtarak Michael Kofman shprehet se "Shpina logjistike e një ushtrie është ajo që ruan aftësinë dhe gjallërinë e saj luftarake. Pa të, edhe armatimi më i avancuar bëhet i paefektshëm." Ky vëzhgim tregon se, përtej teknologjisë dhe strategjisë, është fuqia e furnizimit me municion që mban gjallë shpresat dhe moralin e një ushtrie.

Pra, Lufta e Rusisë në Ukrainë është një kujtesë e fuqishme se municioni nuk është thjesht një mjet lufte, por zemra që pompon jetën në trupin e forcave në luftë. Çdo fishek, çdo predhë, dronë apo raketë përfaqëson shpresën dhe vendosmërinë e një vendi për të siguruar mbijetesën e për të mbrojtur të ardhmen e tij. Ndërsa lufta vazhdon, ndikimi emocional dhe strategjik i municionit bëhet gjithnjë e më i qartë. Në fund, fitorja mund të varet nga ata që kanë jo vetëm strategjinë dhe teknologjinë, por edhe zemrën dhe shpirtin për të siguruar që asnjë ushtar të mos mbetet pa municion në momentin e tij më të nevojshëm.

Pak optimizëm... Ligjërimet më të fundit të kryeministrit Rama duket se po i japin fund një epoke të bullizimit dhe nëpërkëmbjes së kapaciteteve të mbrojtjes. Planet konkrete për ngritje bazash, rishpërndarje forcash dhe rilindjen e industrisë ushtarake janë shenja të një optimizmi realist, që pa shmangur aleancat dhe aleatët strategjikë, të sigurojmë rrisim burimet kombëtare të fuqisë ‘hard dhe soft’, qoftë edhe nën parimin e argumentuar nga shkencëtari i famshëm politik amerikan Ian Bremer në veprën ‘Every nation for itself’. Plani për të rivënë në funksion bazat e hershme të prodhimit të municionit, me objektivin e guximshëm për armatim ‘Made in Albania’ deri në 2028, me siguri do të ndihmoj të krijoj një balancë ‘të lëkundur’ strategjike të kapaciteteve të fuqisë me vendet e tjera të rajonit.

* Kristaq Xharo: Lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH