Numri dramatik i viktimave ka kaluar 5.000. Por për ata që janë angazhuar në operacionet e shpëtimit për të plagosurit dhe të zhdukurit pas tërmetit që shkatërroi Turqinë dhe Sirinë, po përballen me një tjetër armik të poshtër: të ftohtin. Kushtet atmosferike në rajonet e prekura nga tërmeti cilësohen si “dramatike”.
OBSH lëshon një alarm të mëtejshëm për një rrezik që lidhet me këtë situatë: atë të sëmundjeve infektive. Një kombinim që mund të rrisë numrin përfundimtar të vdekjeve në njëzet mijë.
OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) Evropa është në terren në Turqi, për të mbështetur Ministrinë e Shëndetësisë së vendit në përgjigje ndaj emergjencës humanitare të shkaktuar nga tërmeti që goditi zonën. – “Për momentin, fokusi është qartësisht në kërkimin dhe shpëtimin" e njerëzve, shpjegoi Gerald Rockenschaub, drejtor rajonal i emergjencave për OBSH në Evropë, i cili po koordinon reagimin së bashku me eksperten Catherine Smallwood, menaxhere e incidenteve dhe drejtorit rajonal, Hans Kluge. “Ka plagë për të trajtuar – tha Rockenschaub. – “Përgjigja e ndihmës së parë për komunitetet në terren dhe më pas kujdesi më i specializuar për traumat në spitale. Moti është i keq, është ftohtë. Rreziku i sëmundjeve infektive, përveç rrezikut të menjëhershëm të traumave dhe lëndimeve, po rritet ndjeshëm. Disa nga linjat kryesore të furnizimit, uji dhe kanalizimet, rrezikohen. Dhe padyshim që ka një traumë masive, padyshim psikologjike si dhe fizike, që duhet adresuar”.
Në veçanti “në ato grupe të cenueshme të popullsisë, ne shohim një nivel të lartë të stresit mendor, nevojave për mbështetje psikosociale,” vazhdoi ai. Sistemet e paralajmërimit gjithashtu duhet të forcohen për të parandaluar shpërthimet dhe për t'iu përgjigjur rreziqeve të sëmundjeve infektive. OBSH Evropa "po punon ngushtë me kolegët nga zyra rajonale e Mesdheut Lindor dhe me kolegët, sepse nuk është vetëm Turqia që preket, por edhe Siria dhe disa vende të tjera fqinje,” tha Rockenschaub.
“Turqia - theksoi ai - ka aftësi të mëdha dhe përvojë të madhe. Ata kanë ekipe të Kombeve të Bashkuara që kombinojnë aftësitë mjekësore në kërkim dhe shpëtim. Ne kemi punuar gjithashtu me autoritetet turke për të përmirësuar elasticitetin e spitaleve ndaj tërmeteve dhe për t'u siguruar që ato të mbeten funksionale pas goditjeve të tilla, si dhe për të kryer së bashku trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve dhe gjithashtu për të ndarë përvojën turke me vendet e tjera. Por tani, theksoi Rockenschaub, “Turqia ka nevojë për solidaritetin e vendeve të tjera, për të përballuar sfidat e mëdha të kësaj fatkeqësie të madhe”.
Ndërkohë, Komisioni i OKB-së për Sirinë ka bërë thirrje për një armëpushim gjithëpërfshirës në Siri për të lejuar operacionet e shpëtimit dhe të ndihmës pas tërmetit shkatërrues që goditi rajonin. Komisioni - thotë një deklaratë e botuar sot në Gjenevë - i kërkon komunitetit ndërkombëtar të veprojë shpejt për të ofruar ndihmë dhe mbështetje humanitare dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të ofrojnë akses të menjëhershëm, pa penguar ekipet humanitare. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve në konfliktin në Siri të angazhohen për një armëpushim global”, për të lejuar punëtorët humanitarë dhe shpëtimtarët të arrijnë te viktimat "pa frikë nga sulmet", tha Paulo Pinheiro, president i Komisionit të KB për Hetim në Siri. “Shumë sirianë janë tani pa strehë mes ndërtesave të shembura, nën shi dhe borë, temperatura të ftohta dhe me shumë njerëz të bllokuar nën rrënoja. Tani është koha për solidaritet”, vazhdoi Pinheiro. Komisioni shprehu ngushëllimet më të thella për të gjithë njerëzit në Siri dhe Turqi të prekur nga tërmeti.
Ekipet e shpëtimit që punojnë në zonat e goditura nga tërmeti i Sirisë punojnë në kushte shumë të vështira atmosferike dhe pa pajisjet e nevojshme për të gjetur dhe shpëtuar të mbijetuarit nga rrënojat. Situata veçanërisht e vështirë u denoncua nga një vullnetar që merr pjesë në operacionet e Helmetave të Bardha. Ai foli për kërkime që vazhduan “shumë ngadalë” gjatë natës në Idlib dhe në zona të tjera të prekura, për shkak të një stuhie të ftohti ekstrem që goditi zonën.
/Liberale.al/