Aktualitet

Nën presionin e Italisë, marrëveshja për emigrantët përçan “Rithemelimin” e PD-së?

Shkruar nga Liberale
Nën presionin e Italisë, marrëveshja për emigrantët

Një shpenzim i pa llogaritur ende në faturë. Askush nuk e di se sa do të kushtojë realisht marrëveshja mes Italisë dhe  Shqipërisë. Sepse mbi 60 milionë euroe të vendosura tashmë bardh e zi në projektligjin e ratifikimit të miratuar të martën në Këshillin e Ministrave, i shtohet një “fond i mistershëm që do të shpërndahet, me një ndarje fillestare prej “XXXX” euro për vitin 2024 dhe “XXXX” euro për secilin prej viteve 2025-2028” që premton rritjen e kostove.

Ky është zbulimi i një artikulli që do të publikohet nesër në në “La Repubblica”, ku thuhet se pala italiane nuk ka bërë të ditura kostot financiare të marrëveshjes. Më herët media të tjera italiane zbuluan se kostoja mund të shkonte deri në 100 milion euro në vit. Qeveritë, italiane dhe ajo shqiptare, sapo kanë miratuar marrëveshjen e cila pritet të kalojë për miratim në kuvendet respektive që të marrë formë ligjore.

Por opozita në Shqipëri do të çojë ose e ka çuar marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo do të pranohet, atëherë që të marrë formë ligjore duhet pritur vendimi përfundimtar i kushtetueses. Në vendin tonë Rithemelimi e ka bërë një paralajmërim të tillë, mirëpo çështja duket se ka sjellë jo pak përçarje.

Ish-kryeministri Sali Berisha, pavarësisht një telefonate që mësohet se ka marrë nga ministri i jashtë Tajani, duket se do ta çojë në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjen me Italinë për emigrantët e firmosur mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri Edi Rama më 6 nëntor.

Sakaq, ministri i jashtë italian Antonio Tajani me ironi i ka kthyer përgjigje kritikëve në vendin e tij sot, duke thënë se marrëveshja “do të kushtojë më pak se mashtrimi i super bonusit”, duke iu referuar premtimeve të qeverisjes së kaluar për të kompensuar dëmet e krizës së çmimeve. Kritikët e sulmit thonë se “janë para të hedhura në kosh” sepse besojnë se kriza nuk do të zgjidhet pasi emigrantët e paligjshëm nuk do të pranojnë të qëndrojnë në Shqipëri, duke kërkuar të largohen sërish drejt Italisë ose një vendi tjetër, çka mund të lulëzojë kontrabanda  e njerëzve. Sipas tyre, shqiptarët janë të “specializuar” në këtë fushë teksa kanë lulëzuar edhe kontrabandën e njerëzve të tyre në Britaninë e Madhe.

Padia e Rithemelimit sipas publikimeve në mediat tona mban firmën e rreth 30 deputetëve, si atyre të Berishës edhe atyre të Bardhit, ndërsa dorëzimi u bë nga deputetja e Lezhës, Lindita Metaliaj e shoqëruar dy këshilltarët, Franci Nuri i Rithemelimit dhe Marash Logu i Gazment Bardhit. Padia e Partisë Demokratike, si subjekt politik, mban datën 1 dhjetor, por deputeti Tritan Shehu ka dalë kundër Berishës dhe nuk e ka firmosur. Po ashtu edhe Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi, Sorina Koti dhe Bujar Leskaj nuk e kanë hedhur firmën. Padisë i janë bashkuar edhe dy deputetët e Partisë së Lirisë, Petrit Vasili dhe Erisa Xhixho, por mungonte firma e Monika Kryemadhit.

Duket se Berisha po luan kartat e tij, për të fituar kredenciale politike që të njihet si faktor i së djathtës në arenën ndërkombëtare, nga Europa, pavarësisht rolit të SHBA-ve.

Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH