Prokuroria e Posaçme kërkoi shpalljen fajtor të Leonard Dukës për vrasjen e ish-policit Santiago Malko dhe dënimin e tij me 32 vite burg dhe vëllait të tij Erlis Duka me 25 vite burg.
Për Fatmir Hysenin dënimi me 32 vite burg. Dënimin e Aleksandër Manxhakut me 22 vite burg. Oltian Loga me 23 vite burg, ndërsa Dritan Agai me 23 vite burg.
Santiago Malko u ekzekutua ne gusht te vitit 2019-te teksa lëvizte me një automjet në rrugën “Xhanfize Keko” ne Tirane.
Si u ekzekutua Santiago Malko?
Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 22:20 në rrugën “Xhanfize Keko”. Malko u ekzekutua me breshëri automatiku në automjetin e tij BMW X5, ku sapo kishte dalë nga një lavazh.
Leonard Duka dhe Erlis Duka, vëllezër me njëri-tjetrin, të dy dyshohet se ndoqën dhe ekzekutuan më 27 gusht, Santiago Malkon, ish-oficer policie.
Ata kanë lëvizur me dy makina, konkretisht në automjetin tip ‘Scoda Roomster’ kanë qenë të ulur këta persona Ilir Selmani, i cili drejtonte këtë automjet, në vendin e parë Blendi Tetaj, i cili është tashmë i arrestuar me akuzën për moskallëzim krimi, Leonard Duka dhe Ervis Metani, ky i fundit i larguar pak minuta para se të ndodhte ngjarja.
Këta persona kanë bërë disa lëvizje. Ndërkohë që në automjetin tip ‘Volksëagen’, golf ishin Aleksandër Maxhaku, Oltian Loga, Dritan Aga dhe Fatmir Hyseni. Ata fillimisht kanë lëvizur nga zona e Freskut, pasi kanë darkuar, në drejtim të banesës së Santiago Malkos pas shumë ecejakesh në atë zonë dhe disa rrugica.
Sipas hetimeve, Leonard Duka i ka kërkuar Ilir Selmanit që të kthente automjetin sepse më në fund kishte arritur ta identifikonin dhe lokalizonin objektivin e tyre.
Ata janë kthyer dhe janë ndaluar në rrugën “Xhanfize Keko” ku u qëllua pak minuta më vonë edhe Santiago Malko. Këtë dëshmi e ka dhënë shtetasi i arrestuar Blendi Teta, i cili nuk është gjendur në momentin e ngjarjes që ishte larguar pak minuta para ngjarjes dhe ka qenë i fshehur në shtëpinë e bashkëjetueses së tij. Ndërkohë që Ervis Metani rezulton i përfshirë vetëm për faktin se automjet ‘Golf 5’ është në pronësi të këtij shtetasi.