Aktualitet

Libri i Ambasadorit Bashkim Zeneli, “Miqësi e trazuar” promovohet në Athinë

Shkruar nga Liberale

Rrëfimet e një ambasadori si Bashkim Zeneli…

Edhe pse kanë kaluar 16 vjet nga përfundimi i mandatit të Bashkim Zenelit si ambasador i Shqipërisë në Greqi, ai është gjithmonë i mirëpritur atje. Dëshmia e fundit vjen nga aktiviteti i organizuar nga Ambasada shqiptare në vendin fqinj, për promovimin e librit të tij “Miqësi e Trazuar” që trajton marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Ambasadorja Luela Hajdaraga, promotore e këtij takimi, e konsideroi librin “një nga asetet e çmuara në fushën e diplomacisë”. Bashkim Zeneli “beson te bashkëjetesa ndërmjet të dy popujve, më shumë sesa te ndarja e tyre”, vazhdoi shefja e misionit diplomatik shqiptar, që me një sërë veprimtarish cilësore gjatë gjithë këtyre ditëve ka gjallëruar ngjyrat shqiptare në vendin fqinj.

“Libri i Bashkim Zeneli është i vlefshëm për diplomatët, për mënyrën se si punohet në një vend me marrëdhënie problematike”, nënvizoi botuesi Henri Çili në një mesazh me rastin e promovimit, duke shtuar se “Bashkim Zeneli është një nga autorët më të spikatur dhe më të vlerësuar nga lexuesi”.

Mandati i Bashkim Zenelit në Athinë filloi e mbaroi në një periudhë kur marrëdhëniet dypalëshe ndodheshin në një nivel me të vërtetë të mirë (duke ruajtur gjithsesi frymën e mosbesimit reciprok që i karakterizon tradicionalisht).

Bashkim Zeneli hyri në diplomaci nga politika, në të cilën kishte hyrë nga gazetaria. Në “Miqësi e trazuar”, shquajmë më shumë gazetarin, pastaj diplomatin, e thuajse aspak politikanin. Ose më saktë, politikani shquhet në një trajtë tashmë të harruar për standardet e habitatit shqiptar. Përndryshe, që në rreshtat e parë, ku përshkruhen momentet e ardhjes së tij në Athinë dhe shock-u që ndjeu nga përballja me godinën e atëhershme të ambasadës, Bashkim Zeneli na jep një reportazh brilant, me fjali të skalitura e konstatime të argumentuara, pahitur kur e kur me doza të lehta humori pikant, që i tradhtojnë origjinën shkodrane.

Përveçse një doracak për diplomatë të përkushtuar, libri i Bashkim Zenelit mund të quhet dhe një histori e shkurtër e pranisë së shqiptarëve në Greqi, jo vetëm e periudhës që përkon me mandatin e tij diplomatik. Duke shfletuar librin, e ndjen se ambasadori Zeneli e ka parë veten e tij të lidhur ngushtë me qindra mijëra bashkatdhetarët që emigruan në Greqi në fillim të viteve 1990. Nostalgjia e tij për këta njerëz, duket se ka mbetur po aq e gjallë sa dhe në momentin e njohjes me ta; dhe të gjitha këto momente përbëjnë ndër pjesët më interesante të librit. Bisedat me të burgosurit, dialogët me emigrantë të thjeshtë në zona të ndryshme të Greqisë, letërkëmbimet, përshkrimet me detaje të veprimtarive kulturore artistike të komunitetit, që dëshmojnë pikërisht atë lidhje të ngushtë shpirtërore që ambasadori krijoi me bashkatdhetarët në Greqi. Kapituj mjaft interesantë janë edhe ata që u kushtohen personaliteteve publike greke apo historisë së Greqisë antike, përfshirë zanafillën e lojërave olimpike. Kjo vëmendje shkon përtej nivelit të kureshtjes dhe manierës pozitiviste të njeriut erudit. Dëshmon seriozitetin deri në detaje, me të cilin Bashkim Zeneli e kishte marrë misionin e tij.  Ambasadori Zeneli, që në ditën e parë të ardhjes së tij në Athinë, tregoi se misioni që i kishte ngarkuar vetes ishte të krijonte e të forconte urat e miqësisë e bashkëpunimit (fjalë tepër prozaike, por që marrin peshë të veçantë në këtë rast).

Në rastin e Shqipërisë e të Greqisë, kushti paraprak për ndërtimin e urave është mungesa e paragjykimeve reciproke. Fakti se Bashkim Zeneli vazhdon të flasë me kaq dashuri për Greqinë e grekët, edhe 12 vjet pas largimit (libri u botua në vitin 2018), provon se ai realitetin nuk e vështron bardh e zi, por me tërë kompleksitetin që mbartin marrëdhëniet mes dy popujve.

Përshëndetja e botuesit Henri Çili në promovimin e “Miqësi e trazuar”, organizuar nga Ambasada shqiptare në Athinë

Me keqardhjen e thellë që ngarkesa e punëve më pamundësoi të jem me ju, më lejoni në krye t’ju përcjell një falenderim të posaçëm për Ambasadën e Shqipërisë në Athinë dhe ambasadoren Znj.Hajdaraga që organizoi promovimin në Athinë të librave të Bashkim Zelenit, një koleg i Shërbimit Diplomatik dhe kolegu të medias. Ndjehem I nderuar në këtë mundësi për t’ju përshëndetur.

Bashkim Zenelin e kam njohur 6-7 vitet e fundit, që kur nisa të bashkëpunoj si botues i autorit dhe prej kësaj ka buruar një miqësi e veçantë. Unë e njihja në distancë kontributin e tij të spikatur në gazetari dhe në politikë e shërbimin diplomatik, por nga marëdhënia autor-botues zbulova një personazh shumë interesant, një personazh që ka të paktën tri dimensione të shkrira në një, të cilat e bëjnë ambasador Zenelin një rracë në zhdukje në botën intelektuale dhe të emrave publikë në Shqipëri, fatkeqësisht.

Bashkim Zeneli, në librin e parë “Për Gjermaninë”, manifestoi një saktësi dhe diapazon të habitshëm, gati në nivelin e një dëgjuesi ose vëzhguesi të thellë profesional të kulturës së vendit mik dhe pozicionit në të cilin ai ndodhej.

Libri për Gjermaninë erdhi në kohën kur prezenca gjermane u bë e jashtëzakonshme për Ballkanin dhe ne sot flasim për procesin e Berlinit, që ka nisur pak a shumë në periudhën kur Zeneli botoi këtë libër.

Vepra e dytë dedikuar Greqisë, për të cilën jemi mbledhur posaçërisht në Athinë, në këtë rreth të njohur miqsh dhe dashamirësish të Shqipërisë, manifestoi të njëjtat tipare si kronika e tij e shërbimit diplomatik në Gjermani, por jo vetëm kaq. Libri reflekton edhe lidhjen e veçantë shqiptaro-greke me kompleksitetin e marrëdhënieve shqiptaro-greke të shtrira në kohë, duke rrekur dimensionet e ndryshme kulturore-historike, përkundër problemeve të mëdha që kanë kaluar këto dy vende, veçanërisht pas viteve 90’ dhe në kohën kur Bashkim Zeneli shërbeu në Athinë.

Libri për Greqinë me titull “Miqësi e trazuar” ësht֝ë një kontribut humanist i dorës së parë, që ne ta njohim Greqinë; Greqinë që e kemi kaq afër, ku kemi qindra mijëra emigrantë dhe kemi kaq shumë shkëmbime të natyrës ekonomike, kulturore, diplomatike etj. Por, për të cilën kemi shumë klishe, paragjykime dhe një njohje jo të vërtetë.

Ky libër, i cili personalisht më ka dhënë një kënaqësi të veçantë, meriton të ndalem më gjatë.

“Miqësi e trazuar” më ka dhënë një dimension të asaj Greqie të mahnitshme, e cila jo më kot përfaqëson një vend kaq të veçantë jo thjesht në Europë, por në mbarë globin; për atë çfarë simbolizon ky vend dhe për atë çfarë populli dhe shoqëria greke kanë arritur të ndërtojnë me bashkëkombësinë tonë. Por veçanërisht në raport me Shqipërinë, unë nuk mendoj se ka ndonjë marrëdhënie më speciale sesa ajo e grekëve me shqiptarët.  Ndoshta edhe me turqit, për kompleksitetin e këtyre marrëdhënie. Prej këtu u ngjiz edhe ideja e dobisë së librit për të gjthë studentët tanë të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, për studiuesit dhe profesorët tanë, por sigurisht i vlefshëm edhe për diplomatët e shërbimit tonë diplomatik, për mënyrën sesi shërbehet në një vend ku problematika është aq komplekse.

Në këtë kuptim, këto dy libra ku ai ka derdhur gjithë jetëshkrimin e tij nga përvoja profesionale, si ambasador në Gjermani dhe Greqi, i bashkëngjiten një tradite shumë të mirë që ka nisur ndoshta me z. Javer Malo në vitet 70’ (në ato kohë shumë të kufizuara), ambasador i shkëlqyer i Shqipërisë në Paris. Ambasador Malo, personalitet i shquar i diplomacisë shqiptare në Paris, shkroi për shërbimin diplomatik në Paris duke hapur në letrat shqipe një traditë, atë të jetëshkrimit gjatë kohës së shërbimit diplomatik.

Mes rreshtave kuptohet edhe më shumë, por ajo që mbetet në fund nga libri i Bashkim Zenelit për Greqinë është pikërisht ideja se: të shërbesh në një vend tjetër duhet ta duash atë, duhet të duash njerëzit e tij, përveçse të duash vendin tënd dhe t’i shërbesh atij. Ky është pikërisht ambasadori tipik eerudit dhe humanist Bashkim Zeneli.

Me Bashkimin kemi bërë dhe bashkëpunime të tjera, ku bën pjesë libri më I fundit “Berlin 1945 – Maji i Fitores”, por mbi të gjitha bëjnë pjesë planet e ardhshme të botimeve për përvojat e tij me natyrë gazetareske/politike në të shkuarën dhe me ambicien e përbashkët të cilën unë po e nxis sot, që ai të shkruajë një autobiografi të plotë rreth jetës së tij shumë interesante dhe të pasur me përvoja të shumëfishta, ku Athina dhe Berlini janë dy stacione të rëndësishme të profilit diplomatik. Por ai ka pasur edhe shumë e shumë stacione të tjera. Me Bashkim Zenelin ndajmë shpesh kafe të përbashkëta, ndërsa përfshihemi në diskutime mbi pikëpamje, preferenca apo edhe refleksione, gjithmonë të vlefshme. Personalisht kam kënaqësinë e veçantë që Bashkim Zeneli është ndër autorët tanë më të spikatur dhe të më të zgjedhur nga lexuesit. Për këtë arsye është edhe në UETPress Club, një formacion elitar me autorët tanë më përfaqësues.

Urime shërbimit tonë diplomatik për qasjen dhe organizimin e këtij promovimi!

Urime ambasador Zenelit, në bashkëpunime të tjera!

Faleminderit të gjithëve e posaçërisht znj.Ambasadore! Suksese në misionin tuaj fisnik!

Profili i një autori shumëdimensional

Bashkim Zeneli lindi në Shkodër, më 4 shkurt 1948. Është diplomuar për Drejtësi dhe ka kryer studimet pasuniversitare për Gazetari dhe Filozofi.

Në fillim të karrierës së tij ka punuar si përkthyes e më pas si gazetar dhe analist për çështjet ndërkombëtare. Në vitin 1991 përfshihet në politikë, si sekretar për marrëdhëniet me jashtë i Partisë Socialiste.

Më pas zgjidhet deputet në Kuvendin e Shqipërisë për dy legjislatura. Si nënkryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme të Kuvendit ka përfaqësuar vendin në veprimtari të shumta ndërkombëtare.

Në nëntor të vitit 1997 emërohet ambasador në Republikën Federale të Gjermanisë ku shërben për pesë vite. Prej vitit 2002 deri në fillim të vitit 2006 do të shërbejë si ambasador në Republikën e Greqisë dhe të Qipros (jo rezident).

Është autor i shumë shkrimeve, analizave dhe studimeve për çështje të politikës së jashtme në shtypin shqiptar dhe atë të huaj. Është i njohur veçanërisht si analist i çështjeve të Rajonit.

Ka botuar me shumë sukses librin “Për Gjermaninë, histori diplomatike dhe kujtime” dhe  “Berlin 1945 – Maji i Fitores”. Gjatë shërbimit të tij diplomatik në Bonn dhe Berlin, përveç çmimeve dhe vlerësimeve më të larta nga autoritetet gjermane, është përfshirë tri herë në enciklopedinë e figurave të shquara të Gjermanisë (Who is who in der Bundes Republik Deutschland).

Për kontributin e spikatur dhe veprimtarinë e shquar në fushën e diplomacisë dhe politikës së jashtme është nderuar nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Zotëron 6 gjuhë të huaja.

Vlerësime për librin “Miqësi e Trazuar”, botim i UETPRESS 2018

Tek ambasadori Zeneli kam parë gjithmonë një vullnet të jashtëzakonshëm, një vullnet dhe përkushtim europianist për forcimin e marrëdhënieve të miqësisë midis dy popujve dhe dy vendeve.

COSTANDINOS STEFANOPOULOS

President i Republikës së Greqisë

 

Ne e vlerësojmë pa masë kontributin e çmuar që keni dhënë, që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë të jenë sot në nivelin më të lartë që kanë pasur ndonjëherë ...  Ju keni qenë një ambasador i shkëlqyer, një politikan i guximshëm, por ajo që ka më shumë rëndësi se çdo gjë është se u keni dhënë marrëdhënieve një dimension të madh human.

KAROLOS PAPOULIAS

President i Republikës së Greqisë

 

Përpjekjet për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve do ta ndiejnë mungesën e ambasadorit të shkëlqyer, z. Bashkim Zeneli.

KOSTA KARAMANLIS

Kryeministër i Greqisë

 

Konsideroj se Shqipëria ishte me shumë fat që kishte një personalitet kaq të rëndësishëm si zoti ambasador Zeneli në vendin tonë, ashtu sikurse ne ishim me shumë fat që zoti ambasador shërbeu në vendin tonë.

JORGO VULGARAKIS

Ministër i Rendit Publik

 

Bashkia e ka në traditën e saj të nderojë ambasadorët, por nderimi juaj është i veçantë, pasi për herë të parë një ambasador nderohet me titullin “Qytetar nderi i Athinës”. Ju keni punuar pa u lodhur për bashkatdhetarët tuaj dhe keni dhënë një kontribut të madh në integrimin e plotë të tyre. Ju keni punuar me një vullnet të madh politik për miqësinë midis shqiptarëve dhe grekëve.

DORA BAKOJANI

Kryetare e Bashkisë së Athinës

 

Ju punuat shumë për miqësinë midis popujve tanë, sepse e donit Greqinë ... Rrallë te ndonjë i huaj kam parë atë njohje dhe admirim për popullin grek, për historinë, kulturën, artin, letërsinë e muzikën e vendit tim. Vetëm një ambasador i tillë mund t’i shërbejë aq mirë vendit të tij dhe miqësisë së dy popujve.

MIKIS THEODORAKIS

Kompozitor me famë botërore

/Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH