
Nga Viliem Kurtulaj
Kur një ligjërim institucionalizohet në shoqëri, ai tenton të prodhojë të vërteta për të gjithë shoqërinë dhe çdo e vërtetë shoqërohet me pushtet. Ndërsa komunikimi dhe diskursi zhvillohen në procesin arsimor, një lloj pushteti ushtrohet, sepse pushteti mund të prodhohet kudo, në çdo kohë, në çdo pikë të çdo marrëdhënieje. Një institucion arsimor supozohet të jetë një vend dhe hapësirë ku dija mësohet dhe prodhohet, dhe ku zbulohen e zhvillohen talentet, interesat dhe prirjet e nxënësve dhe studentëve. Për të qenë i tillë, institucioni arsimor duhet të jetë një vend lirie ku ushtrimet e pushtetit nuk mund të vendosin kufizime apo limite për aktorët e përfshirë (nxënësit/studentët apo mësuesit/pedagogët). Prandaj, është e rëndësishme të kuptohet se si marrëdhëniet e pushtetit ndikojnë në procesin e krijimit dhe transmetimit të dijeve/njohurive, si dhe mbi vetë aktorët në institucionet arsimore.
Sipas Michael W. Apple, si brenda, ashtu dhe jashtë institucionit arsimor, ka konflikte të theksuara mbi dijen dhe marrëdhëniet e pushtetit. Procesi arsimor në institucion duhet të konsiderohet si pjesë e botës së përvojës. Apple pretendon se nuk ka asnjë autoritet tekstual, asnjë grup përfundimtar faktesh që është i ndarë nga konteksti i marrëdhënieve të pushtetit. Shkollat dhe universitetet janë pjesë integrale e një sistemi të ndërlikuar dhe të ndërthurur që u ofron legjitimitet grupeve shoqërore dhe lejon rikrijimin, mirëmbajtjen dhe ndërtimin e vazhdueshëm të ideologjive sociale dhe kulturore. Procesi pedagogjik përmban në mënyrë të pashmangshme marrëdhënie pushteti. Në institucionet arsimore, pushteti ushtrohet nga çdo pjesëmarrës, si dhe nga vetë dija që qarkullon dhe shpërndahet atje. Apple e sheh arsimin si të ndërlidhur me të paktën tre elementë: kulturën, qeverinë dhe ekonominë. Për rrjedhojë, procesi arsimor zhvillohet në një mjedis ku ushtrimi i pushtetit është i pranishëm.
Pavarësisht nga mënyra e mësimdhënies, është e rëndësishme që mësuesi apo pedagogu të mos e konceptojë nxënësin apo studentin si objekt, sepse, siç thotë Apple, nëse një mësues e trajton një nxënës vërtetë si “memec”, ai/ajo mund të bëhet me të vërtetë i tillë. Për më tepër, procesi i të nxënit në klasë ka gjasa të ndikohet edhe nga marrëdhënie të tjera pushteti jashtë klasës që lidhen me strukturën shoqërore, siç janë konteksti simbolik dhe rrethanat materiale. Sipas kësaj qasjeje, në klasë, pedagogjia duhet të dallojë pozicionet e ndryshme shoqërore dhe repertorët kulturorë, si dhe marrëdhëniet e pushtetit ndërmjet tyre. Si rezultat, Apple sugjeron që metodat e komunikimit dhe format e kontrollit në klasë duhet të shihen si një marrëdhënie dialektike midis ideologjisë dhe mjedisit material dhe ekonomik.
Në librin e tyre “Reproduction in Education, Society and Culture”, Bourdieu dhe Passeron dalin në konkluzion se autoriteti që buron nga njohuritë e bazuara në shkollë është jo vetëm shumë subjektiv, por edhe reflektues i një pushteti ose autoriteti kulturor në punë. Një studiues tjetër, Paul Willis, e koncepton pedagogjinë si një instrument që luan një rol shpesh të mistifikuar në artikulimet e instrumentalizmit dhe ekspresivizmit. Sipas tij, autonomitë e mbetura arsimore, si dhe shpresat e tyre për përfshirje në praktikat dhe iniciativat emancipuese, duhet të formohen mbi bazat e marrëdhënieve të prodhimit dhe konsumit. Përhapja dhe përvetësimi i dijeve në shkollë nuk është një proces linear, neutral, teknik ose mekanik. Përkundrazi, është proces shumë më kompleks i cili ngërthen pushtet gjithashtu. Fiske nënvizon se dituria nuk është kurrë neutrale, ajo nuk ekziston kurrë në një marrëdhënie empiriste apo objektive me të vërtetën. Dija është pushtet, dhe qarkullimi i dijes është pjesë e shpërndarjes shoqërore të pushtetit. Lidhur me dijet/njohuritë e shpërndara në shkollë, do të ishte naive që kurrikula e shkollës të konsiderohej si dije/njohuri neutrale. /Liberale.al/