
“Unknown Albanians” ose “Shqiptarët e Panjohur”, është libri më i ri i publicistit dhe shkrimtarit Ben Blushi, i cili do të promovohet në fund të këtij muaji.
Autori ka thënë se ky botim është një album fotografik me foto të përzgjedhura nga gati tre vjet pasion “për këtë art të mrekullueshëm i cili më ka çuar në shumë vende të Shqipërisë, ku kam takuar njerëz që në kushte të tjera nuk do t’i njihja dot”.
“Këta njerëz më mësuan të fotografoj prandaj ky botim është një lloj mirënjohje për ta dhe për këtë arsye quhet ‘Unknown Albanians’. Titulli i librit është bërë me qëllim në anglisht sepse do doja që këta njerëz që përfaqësojnë Shqipërinë e vërtetë t’ua prezantoja dhe të huajve që vijnë në Shqipëri”, deklaroi Blushi.
Ai shprehet i bindur se “shqiptarët e panjohur” i kanë dhënë Shqipërisë më shumë se gjithë shqiptarët e njohur bashkë, dhe beson se “ky album i pasqyron ata siç janë në jetën e tyre të thjeshtë dhe të përditshme”.
“Prandaj kush do të njohë njerëz të panjohur të cilët nuk dalin çdo natë në televizor, nuk bëjnë debate, nuk ngatërrohen në punët e të tjerëve, nuk bezdisin njeri, vishen thjesht dhe shohin jetën e tyre pa i dhënë mend askujt dhe pa kërkuar asgjë në këmbim të modestisë së tyre, mund ti gjejë në këtë libër me 69 fotografi, kopertina e të cilit është konceptuar si një ekran bardhë e zi në të cilin shfaqet shpina e një djali të panjohur nga Belshi”, potencoi autori.
“Unknown Albanians” do jetë në libraritë e Tiranës pas datës 25 mars, ndërsa autori Ben Blushi tha se “kushdo që kërkon të ketë një kopje, mund të më shkruajë”./Liberale.al/