Letërsi

“Pushtimi”, botim i UETPRESS/ Fiksimi i Kontit Ciano me Shqipërinë, pas ardhjes në dasmën e Zogut

Shkruar nga Liberale

“Pushtimi”, botim i UETPRESS/ Fiksimi i Kontit Ciano me

Cianoja erdhi për herë të parë në Shqipëri në prill 1937. Në një fotografi të asaj vizite, ai është fiksuar duke kaluar në revistë një roje nderi bashkë me ministrin italian në Tiranë, Francesco Jacomonin, të dy me uniforma ceremoniale dhe me bikorno në kokë. Cianoja ecën me një kapadaillëk të dukshëm, plot energji dhe me gjoksin e nxjerrë përpara. Për të treguar se sa i zoti është, ai ka ardhur me një avion që e ka pilotuar vetë. Përveç banketeve dhe takimeve me Zogun, vizita e Cianos nuk ka ndonjë kuptim të veçantë. Por, jo shumë kohë pas këtij udhëtimi, ministrit të Jashtëm italian i fillon një fiksim me Shqipërinë.(46)
“Kësaj here nuk do të tërhiqemi, siç bëmë në vitin 1920,” - shkruan ai në ditar. Duke iu referuar popullsisë arbëreshe në Itali, Cianoja pyet: “Në Jug ne kemi absorbuar disa qindra mijë shqiptarë. Përse të mos ndodhë e njëjta gjë në anën tjetër të Adriatikut?”(47)

Mirëfilli, ideja e pushtimit të Shqipërisë nisi të piqej në kokën e Cianos pas aneksimit të Austrisë nga Gjermania, më 12 mars 1938, që solli të ashtuquajturin Anschluss. Me pak fjalë, ajo filloi si nevojë e Italisë për të mos mbetur prapa sukseseve ushtarake të Hitlerit në Europë. Shtoji kësaj edhe frikën se mos Gjermania e shtrinte ndikimin e vet ekonomik në Shqipëri. Më 26 mars, Cianoja shkruante kështu në ditar: “Pyes veten nëse situata e përgjithshme dhe sidomos Anschlussi mund të na lejonte të ndërmerrnim një hap drejt kontrollit akoma më të plotë të këtij vendi, i cili do të jetë i yni.”(48)
Cianoja mendoi se dasma e Zogut më 27 prill 1938 mund të ishte një rast i mirë për të vizituar Shqipërinë dhe për të planifikuar këtë hap që përmendte në ditarin e tij.

Italianët e shihnin martesën e Mbretit Zog me konteshën hungareze Geraldine si shenjë se sovrani shqiptar kishte ndërmend të shkëputej, të paktën deri në një farë mase, nga tutela e Romës. Nuk ishte e rastit që Zogu kishte refuzuar të martohej me një italiane, megjithë përpjekjet e Romës për t’i prishur mendjen me anë të diplomatëve që dërgonte në Shqipëri. Ministri i Jashtëm italian shkoi në Tiranë si përfaqësues i Italisë në dasmën e Mbretit, ku do të ishte kumbar së bashku me Princin Abid, të birin e sulltanit të fundit të Turqisë dhe kunat i Zogut. Por atë e nervozuan disa komente të bëra gjatë ceremonive nga motrat e Zogut, të cilat u përpoqën të tregonin se martesa e të vëllait me një hungareze ngjallte shpresa për një çlirim të Shqipërisë nga marrëdhëniet e ngushta me Italinë.(49)

Ky mund të ishte shkaku që, në shënimet e tij personale Cianoja i përshkruante princeshat si vulgare, qesharake dhe të denja për një operetë.(50)
Këto dhe disa incidente të tjera gjatë dasmës flisnin për një ftohje të marrëdhënieve me qeverinë italiane, edhe pse Mbreti bëri një gjest që shkelte protokollin, duke shkuar vetë për ta takuar Cianon në shtëpinë e ministrit të Jashtëm Ekrem Libohova.
E vërteta ishte se Cianoja nuk kishte shkuar në Tiranë për dasmën e Zogut. Ai kishte marrë me vete një grup të madh këshilltarësh dhe ekspertësh dhe gjatë ditëve të qëndrimit të tij në kryeqytetin shqiptar u hartua plani për të krijuar variantin italian të Anschlussit.(51)

“Kthehem nga Shqipëria mëse i vendosur 34 në besimin tim për një zgjidhje integrale,” shënon Cianoja në ditar një ditë pas dasmës.(52)
Pas mbërritjes në Romë, ministri i Jashtëm u takua me Musolinin dhe i raportoi për vizitën. Sipas ditarit të Cianos, Duçja menjëherë u shpreh dakord me nevojën e një zgjidhjeje përfundimtare, duke thënë madje se ishte gati të hynte në luftë për ta marrë Shqipërinë. Cianoja i dha një mostër minerali bakri nga Shqipëria dhe i tha: “ja fiqtë e Kartagjenës,” një aluzion për fiqtë e mëdhenj që senatori romak Kato solli nga vizita në Kartagjenë, për t’i treguar Senatit se përse ky qytet-shtet rival i begatë duhej shkatërruar.(53)

Dy ditë më vonë, ai i paraqiti Duçes një raport të gjatë për vizitën në Shqipëri. Në raport flitej pak për dasmën e Zogut. Aty renditeshin që në fillim burimet natyrore të Shqipërisë, toka, mineralet, bagëtitë, ujërat dhe fushat e saj si dhe përfitimet që Italia mund të nxirrte nga shfrytëzimi i tyre.(54)
Pas kësaj, Cianoja kalon te çështja që ai e sheh si mjaft të ndjeshme: rreziku i depërtimit gjerman në Shqipëri. I përmend automobilin e shtrenjtë Mercedes Benz që Hitleri i ka dhuruar Zogut, të cilin e quan “dhurata më e bukur e dasmës”. Sipas tij, “në prirjet, shijet dhe zakonet e klasës udhëheqëse të Tiranës kanë mbetur shumë gjurmë të Austrisë, madje edhe vetë Mbreti flet rrjedhshëm gjermanisht. Ai i ble rrobat në Vjenë, i ka mjekët në Vjenë, shtëpinë e ka me mobilie austriake, po ashtu edhe orenditë e kuzhinës.”(55)

Cianoja përmend shkrimin e gazetës franceze Paris Soir, ku thuhet se Zogu synon ta shfrytëzojë në maksimum ndihmën italiane, por është i gatshëm të rrëshqasë nga pozita e sikletshme e tutelës sapo të gjejë mbështetje të mjaftueshme te një shtet tjetër.

Referenca

46. Fischer, King Zog and the struggle for stability in Albania, f. 264.
47. Ciano, Diary: 1937-1943, f. 2.
48. Po aty, f. 74.33
50. Ciano, Diary: 1937-1943, f. 73.
49. Francesco Jacomoni, La politica dell’Italia in Albania (Bologna: Cappelli, 1965), f. 79.
51. M. Muggeridge, ed., Ciano’s Diplomatic Papers, (London: Odhams Press Ltd, 1948), f. 203.
52. Ciano, Diary: 1937-1943, f. 86.
53. Po aty.
54. I Documenti Diplomatici Italiani (DDI), (Roma: Istituto Poligrafico e Zecca Dello Stato, 2006), 8a Serie: 1935-1939, Vol IX, f. 64. Nr. 42.
55. Po aty, f. 67.

*Shkëputur nga “Pushtimi, Ministri amerikan në Tiranë, Hugh Grant, rrëfen 7 prillin shqiptar” me autor studiuesin Ilir Ikonomi, botuar në 2020-ën nga shtëpia botuese UETPRESS

 

Liberale Newsroom

Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH