Pas Tiranës, Prishtina ishte destinacioni i dytë për promovimin e librit të publicistit, gazetarit e rrokerit Migjen Kelmnedi “Darka ndër bomba”, botim i UET Press. Romani trajton ngjarjet e 1999, gjatë bombardimit të Prishtinës, ku përmes ironisë dhe cinizmit shpërfaq njeriun e tranzicionit në Kosovë
“Prishtina e marsit të vitit 1999, nisi me i ngja nji qyteti lugat. Shumë pak njerëz ishin nëpër rrugë.”
Prishtina e dhjetorit të 2024 nuk i ngjan aspak asaj të romanit “Darka ndër bomba” që përshkruan Migjen Kelmendi. Është e gjallë, e zhurmshme, është moderne. Nuk është nën zhurmën dhe efektin e bombave e as nën frikën e vdekjes. Një darkë të tillë, të paqtë, zgjodhi rrokeri, gazetari e publicisti Migjen Kelmendi për të promovuar librin e tij të dytë, subjekti i të cilit trajton ngjarjet e luftës në Kosovë.
Mes miqve intelektualë dhe jo vetëm, mes dashamirësve të krijimtarisë dhe veprimtarisë së tij, mes bisedave të së kaluarës dhe të tashmes, ku nuk munguan as tingujt muzikorë, u promovua për lexuesin kosovar “Darka ndër bomba”.
Autori la miqtë e tij të flisnin e të tregonin perceptimet e përshtypjet mbi romanin, që përtej notave autobiografike, tregon traumat e një brezi të tërë i cili jetoi në vitet e luftës dhe rrugëton me ato kujtime, në përpjekjen e paepur për të triumfuar mbi dhimbjen, kujtimet e trishta dhe humbjet e mëdha.
Ferid Muhic, me vokacion filozof, kryetar i Akademisë së Shkencave të Bosnje dhe Hercegovinës dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë Veriore, ishte mysafiri special i autorit për mbrëmjen e promovimit. Duke e quajtur një njeri të ish-Jugosllavisë, Kelmendi tha se i ka bashkuar letërsia, romani “Gryka e kohës” dhe më vonë “Darka ndër bomba”, për të cilët Muhic ka bërë recensione.
Për romanin e dytë, Muhic thotë se “pavarësisht se titulli tërheq dhe zë gjithë vëmendjen tonë, tema e tij e vërtetë është enigma e dyzimit personal, konkretisht fe-nomeni psikologjik i pazgjidhur i ekzistencës së dy individëve në çdo njeri”.
“Eksperienca e tij personale e përjetuar drejtpërdrejt, së bashku me erudicionin impresiv dhe talentin e theksuar observues, i mundësuan autorit që me mjete letrare, në mënyrë bindëse, estetikisht sovrane dhe sugjestionuese, të shndërronte në roman një pamje të gjerë të ngjarjeve politike në Kosovë dhe të evokonte detajet më të imta të gjendjeve dhe dilemave emocionale, si të tijat, ashtu edhe të njerëzve më të afërt....”, thekson akademiku.
Filozofi dhe analisti Shkëlzen Maliqi tha se në mesin e viteve ’90-të Kelmendi kaloi nga fusha e muzikës në një fushë tjetër, duke pasur po aq sukses sa në të parën.
“Vepra e tij është një risi, jo vetëm në Kosovë por në letërsinë shqipe në përgjithësi, me stilin e përmbajtjen që trajton, dhe duhet të promovohet sa më shumë. Është me shumë me interes për botuesit.”
Botuesi Henri Çili vlerësoi kontributin, veprimtarinë intelektuale të autorit përgjatë viteve dhe shprehu kënaqësinë që Kelmendi ka zgjedhur shtëpinë botuese UET Press për të sjellë romanet dhe publicistikën e tij.
Studiuesi Ismajl Tasholli u ndal pak më gjatë në romanin “Darka ndër bomba”, ku veçoi e më tej analizoi kapitullin “Darka”. Përshkrimin e Kelmendit për familjet që prisnin në darkë momentin e bombardimit ai e lexoi si metaforë të një besimtari që pret ndezjen e kandilave në minaren xhamisë për të nisur iftarin. “Edhe darka brenda familjeve të Prishtinës kishte doza celebruese.”
Më tej, ai tha se romani u shpëton kurtheve të patetizmit të shpjegimit të botës mbi premisa romantike, të trashëguara në letërsi prej nevojave të caktuara politike-historike dhe se Kelmendi rrëfen me sinqeritet brutal.
“Rrallëherë na ka ndodhur të kemi rastin të lexojmë një libër që përmban dy komponentë shumë të rëndësishëm: shmangien nga albanologjia dhe kreativitetin. Në këtë libër Migjeni ka guximin dhe kreativitetin për të treguar ngjarjet. Ai na sfidon duke na bastisur besimet dhe nguc kuptimet e tyre.”
Pesë ishin elementët identifikuese të librit që veçoi Tasholli: bombat, lumi, viktima e përkryer (pjesa cinike e përjetimit të luftës), shëmtia e viktimës dhe triumfi i jetës.
Në këtë roman, përmes tre personazheve autori sjell përjetimet, zhvillimet, historitë e dashurisë, të luftës e të jetës. Por nuk mungon as mendimi i tij për disa çështje, siç ndodh për Standardin e Gjuhës Shqipe dhe për politikat e Ibrahim Rugovës.