Letërsi

Libri i UET Press, Bamir Topi: Presidenti ka humbur rolin e vërtetë, nuk respektohet as në protokolle

Shkruar nga Liberale

Libri i UET Press, Bamir Topi: Presidenti ka humbur rolin e vërtetë,

Ish-presidenti Bamir Topi bëri reagimin e parë për librin e gazetarit dhe publicistit Roland Qafoku, “11 presidentët, 1925-2025”, i cili sjell jetëshkrimin e 11 presidentëve shqiptarë në 100 vjet Republikë.

Topi tha se e ka lexuar pjesën e vet më me vëmendje dhe nuk ka asnjë gjë për të kontestuar, duke e cilësuar autorin një kërkues shkencor në fushën e historisë e gazetarisë, një hulumtues dhe vlerësues mbi bazën e fakteve.

“Ndonjëherë këto fakte ikin edhe nga memoria e protagonistit, prandaj dua t’iu falënderoj për shumë momente të cilat unë i kisha harruar. Është vetë dinamika e jetës politike, e jetës institucionale, e cila të bën që shpeshherë të jetosh momentin. Momenti në marrëdhëniet e shtetit bëhet dominant i shumë përjetimeve që kalon.”

Sipas tij, presidentët e Shqipërisë, edhe pse janë zgjedhura nga mazhoranca, kanë pasur probleme prej saj.

“Presidenti është kryetar shteti, një pozicion shumë i rëndësishëm, por me ndryshimet e herëpashershme që ka bërë politika, presidenti duket sikur është vendosur në qoshe, i ka humbur roli i vërtetë që duhet të ketë.”

Ai theksoi se ka shumë ngjarje, edhe të freskëta, ku i takon kreut të shtetit, i cili përfaqëson kombin, njerëzit, është jashtë interesave politike, që të thotë fjalën e tij e të respektojë protokollin e shtetit.

“Roli i presidentit, qoftë edhe protokollar në raste të veçanta, është shumë domethënës për ndjeshmërinë e shoqërisë, për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për atë që përfaqëson një president", u shpreh Topi, duke vlerësuar më tej rolin e Ahmet Zogut si presidenti i parë dhe guri i themelit institucional për të vijuara pastaj me gjithë emrat që erdhën ndër vite.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH