Letërsi

KATALOGU I UET PRESS/ Fatos Tarifa në kërkim të legjitimitetit në shtetet komuniste, libri që ‘rrëzoi’ teoritë perëndimore

Shkruar nga Liberale

KATALOGU I UET PRESS/ Fatos Tarifa në kërkim të legjitimitetit

I botuar fillimisht në anglisht, e më pas në shqip nga shtëpia botuese UET Press, libri “Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë” ishte një fanar i domosdoshëm për të hedhur dritë mbi një nga periudhat më të diskutuara të historisë, siç ishte ajo e instalimit të regjimeve komuniste në Europën Lindore. Ndërkohë që shumë studiues, profesorë të perëndimit e studionin këtë periudhë historike nga jashtë, studiuesi, sociologu dhe ish-diplomati Fatos Tarifa i sjell faktet, analizat, ngjarjet, parë më nga afër, duke qenë pjesë e nje vendi të tillë të izoluar, i cili ishte i fundit që rrëzoi muret ndarëse me botën.

Sa më tepër kalojnë vitet dhe kjo ngjarje bëhët e largët, aq më tepër ky libër shërben si një ‘dëshmi’ dhe referencë për të gjithë studiuesit, studentët dhe të apasionuriat pas historisë dhe të kuptuarit të ngjarjeve, parë në një këndvështrim të ri, të marrëdhënies komplekse mes legjitimitetit dhe utopisë.

“Ajo çka i jep kësaj vepre një vlerë akoma më të spikatur është fakti se ai vazhdon të ketë rëndësi për ne edhe pasi kemi hyrë në shekullin e 21-të. Edhe pse vendet e Europës Qendrore dhe Lindore kanë kryer një transformim rrënjësor të shoqërive të tyre, duke adoptuar parimet dhe praktikat e demokracisë, ka akoma vende në rajone të ndryshme të botës, të cilat drejtohen nga regjime autoritariste, përfshirë këtu edhe regjime komunistë. Kërkimi i legjitimitetit u vjen në ndihmë studjuesve të sistemeve politikë dhe sociologëve krahasues të kuptojnë problemet e ndërlikuara të shoqërisë së sotme në ato vende në të cilat legjitimiteti i autoritetit politik është i diskutueshëm”, shkruan profesori i Universitetit të Nebraskës në Omaha, Rory J. Conces.

Duke shfrytëzuar një material të pasur historik mbi kushtet politike dhe ato social ekonomike në Europën Lindore në periudhën para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, përmes filtrit të legjitimitetit politik, Tarifa bën një analizë të thellë sociologjike, historiko-krahasuese, e cila synon të argumentojë praninë në shkallë të caktuara të autoritetit legjitim në ato vende të Europës, të cilët u sunduan për afro gjysmë shekulli nga regjime komunist.

Rëndësia e legjitimitetit politik, sipas Tarifës, nuk mund të nënvlerësohet, pasi "legjitimiteti është një parakusht i domosdoshëm për ushtrimin efektiv të autoritetit". Ai sfidon me argumente bindës, (të cilët mbështeten mbi një njohje të thellë dhe të drejtpërdrejtë të të realiteteve historikë e politiko-socialë që analizon), pikëpamjen ortodokse, të mbrojtur nga shumë akademikë dhe politikanë në Perëndim, se vendet komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore përbënin një rajon homogjen dhe se drejtimi i tyre prej partive komuniste dhe elitave të tyre ishte qysh nga fillimi krejtësisht ilegjitim.

Po kështu, ai sfidon shkollën tradicionale e cila e shikon rënien e socializmit shtetëror kryesisht si pasojë e karakterit inefiçent të sistemit ekonomik të tipit sovjetik dhe e paaftësisë së tij për të plotësuar nevojat në rritje të qytetarëve, Tarifa i shton këtij interpretimi një faktor ideologjik. Për rrjedhojë, ai ofron një shpjegim, i cili merr parasysh si aspektin ekonomik ashtu edhe komponentin ideologjik, për të kuptuar më realisht ato procese që çuan në erozionin e legjitimitetit të socializmit shtetëror dhe në rënien e këtij sistemi.

Revista shkencore “Social Forbes” e ka cilësuar një studim të shkëlqyer; i cili bën analizën më të mirë dhe më të balancuar të problemit të legjitimitetit të socializmit. “Përqasja e autorit është e saktë: ai shtron së pari pyetjen se cilat kanë qenë bazat e legjitimitetit të rendit socialist dhe ofron një përgjigje të sofistikuar, e cila varion për vende të ndryshme dhe, më në fund, argumenton mjaft bindshëm rolin që kanë luajtur problemet e legjitimitetit në shembjen e sistemit komunist."

RECENCA e Blendi Kajsiut: Studimi që ndriçon të kaluarën “komuniste” e të tashmen “demokratike”

Çdo libër ka kohën e tij. Ndoshta kjo është një nga ato klishe prej të cilave nuk shpëton dot as libri “Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë” i Fatos Tarifës. Ky libër, i cili në mënyrë mjeshtërore ndriçon çështjen e legjitimitetit të të ashtuquajturit socializëm real në Europën Qendrore dhe Lindore, është sot më shumë se kurrë në kohën e duhur. Tashmë që po mbushen pothuajse dy dekada nga transformimet epokale që ndodhën në vendet e Europës Lindore është më e lehtë, që regjimet që ata përmbysën, të analizohen në mënyrë më të ftohtë dhe më racionale.

Vitet e para pas përmbysjes së regjimeve komuniste në Europën Lindore u shoqëruan nga një triumfalizëm politik që i zhveshi ata nga çdo lloj kompleksiteti social. Ato  u  kthyen thjesht në të kundërtën e demokracisë, lirisë, legjitimitetit dhe zhvillimit që shpresohej se do të arrihej me përmbysjen e tyre.

Kështu, këto regjime u kthyen në një periudhë homogjene, të errët, pa histori, pa liri dhe pa legjitimitet. Ata u reduktuan thjesht te zgjedha që perandoria e keqe Sovjetike, ose një grusht diktatorësh nacionalë, u kish imponuar popujve të mirë të Europës Lindore.

Për pasojë, edhe vetë Lindja u trajtua shpesh, jo vetëm në politikën por edhe në akademinë e Perëndimit, si një entitet ahistorik dhe homogjen, duke injoruar kështu si diferencat mes vendeve të ndryshme, ashtu edhe ndryshimet historike, në çdo vend të veçantë, në periudha të ndryshme.

Në librin e tij, Fatos Tarifa, në mënyrë bindëse dhe sistematike hedh poshtë këtë kuadër semplist duke analizuar legjitimitetin e regjimeve socialiste në Europën Qendrore dhe Lindore si në kohë ashtu edhe në hapësirë. Në këtë mënyrë, Tarifa sjell në vëmendjen e kërkimit shkencor, mbi shoqëritë e tipit sovjetik, konceptin e neglizhuar të legjitmitetit. Këtu, libri i Fatos Tarifës shënon një arritje të dyfishtë. Së pari, nëpërmjet konceptit të legjitimitetit ai arrin që të rrëzojë konceptimin e Lindjes si një entitet ahistorik dhe homogjen. Duke u fokusuar në konceptin  e legjitimiteti, autori argumenton se Europa Lindore nuk ka qenë asnjëherë, pra as në periudhën e sundimit komunist, një hapësirë homogjene, pasi regjimet komuniste, në vende të ndryshme të këtij rajoni, kanë pasur mbështetje popullore dhe legjitimitet në shkallë të ndryshme.

Duke analizuar problemet e legjitimitetit  për periudhën e sundimit komunist në këto vende, Tarifa nxjerr në pah edhe dinamikën e zhvillimeve politike në vendet e ish-kampit socialist duke hedhur poshtë konceptimin mbi këtë rajon si një entitet ahistorik. E gjitha kjo, sidoqoftë, nuk do të kish qenë e mundur në mungesë të një shtjellimi dhe aplikimi rigoroz të konceptit të legjitimitetit në hapësirën gjeografike dhe historike të Europës Qendrore dhe Lindore. Kjo është pikërisht arritja e dytë madhore e Fatos Tarifës në këtë libër. Kjo arritje, në vetvete, është e dyfishtë, pasi Tarifa jo vetëm e shtjellon shumë qartë konceptin tejet kompleks të legjitimitetit në dimensionin e tij teorik, por arrin, gjithashtu, që këtë koncept ta aplikojë me sukses në analizën konkrete të regjimeve socialiste në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.

Pikërisht për këto arsye, ndonëse libri trajton një temë shumë komplekse, pak të lëvruar dhe të shtrirë në harkun kohor të disa dekadave, ai është lehtësisht i lexueshëm dhe mjaft bindës.

Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë është ndër ata libra akademikë, të cilët studiuesi jo vetëm i lexon “me një frymë”, por edhe ndien një farë trishtimi kur i mbaron së lexuari, duke i dhënë fund një kënaqësie të veçantë intelektuale. Në studimin e tij, Fatos Tarifa ka arritur që lexuesit t’i qartësojë më së miri konceptin tepër kompleks të legjitimitetit si edhe situatat reale shumë të komplikuara dhe historikisht të kontekstualizuara të aplikimit të tij në vende të ndryshme komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore, pa i thjeshtëzuar as njërin as tjetrin. Për këtë arsye, gjithashtu, ky libër është një arritje akademike që na ndihmon, si qytetarë, si studies ose si intelektualë të kuptojmë më mire dinamikën politike dhe sociale të një të kaluare, së cilës “i përkasim”.

Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë është, gjithashtu, ndër ata libra të rrallë,  në të cilët e ashtuquajtura Lindje arrin të hedhë një vështrim të qartë mbi vetveten. Është e rëndësishme të theksohet këtu se Lindja, si kategori konceptuale politike dhe sociale, është krijuar kryesisht nëpërmjet kënvështrimit perëndimor. Janë librat, studimet, botimet dhe autorët perëndimorë në përgjithësi ata që e kanë përshkruar dhe analizuar Lindjen komuniste. Libri i Fatos Tarifës është një arritje për t’u vlerësuar në fushën e studimeve sovjetologjike pasi ai, për nga cilësia, jo vetëm krahasohet, por ndoshta edhe i tejkalon disa nga veprat më të mira dhe më të njohura të autorëve perëndimorë në këtë fushë. Kjo ndodh edhe për faktin se Tarifa ofron një kombinim të mjeshtërisë analitike me përvojën e tij individuale në Shqipëri në periudhën e regjimit komunist, çka u ka munguar shumicës së autorëve perëndimorë, të cilët kanë shkruar për Europën Lindore. Në  këtë  mënyrë, libri  i Tarifës, i  cili fatmirësisht është botuar fillimisht në anglisht, e pasuron literaturën sovjetologjike, të shkruar deri më sot, si në Perëndim ashtu edhe në Lindje.

Libri 'Kërkimi i legjitimitetit' dhe venitja e utopisë është një arritje akademike jo vetëm për autorin e tij, por edhe për shkencat sociale shqiptare në përgjithësi. Ky libër bën pjesë në një kolanë botimesh shkencore mbi të cilat mund dhe duhet të orientohen dhe të thellohen  më tej studimet  shqiptare  në fushë të shkencave sociale.

Studentëve dhe studiuesve shqiptarë, libri i Tarifës, minimalisht, mund t’u shërbejë si një model i përkryer i kërkimit shkencor. Për këtë arsye, ai mund dhe duhet të përdoret gjerësisht në universitetet shqiptare, madje jo vetëm si një model i kërkimit të suksesshëm akademik. Ai mund të shërbejë shumë lehtë edhe si një themel, ose pikënisje, për të ndriçuar dhe stimuluar kërkime të mëtejshme në fushën e legjitimitetit të regjimit komunist në Shqipëri.

Ndonëse libri i Tarifës analizon Europën Qendrore dhe Lindore në përgjithësi, ai ka një rëndësi të drejtpërdrejtë për të kuptuar më mirë natyrën, shkallën dhe problemet e legjitimitetit të regjimit komunist në vendin tonë.

Analiza terorike e konceptit të legjitimitetit dhe perspektiva historike-krahasuese, që zhvillon Tarifa në këtë studim, mund të përdoren shumë mirë madje si për të ndriçuar të kaluarën tonë “komuniste”, ashtu edhe të tashmen “demokratike”, si dhe për të hedhur poshtë disa nga mitet ose klishetë, përmes të cilave janë shpjeguar, ose vazhdojnë të shpjegohen realitetet historike, ose aktualiteti politik i sotëm në Shqipëri.

Le të marrim si shembull trajtimin që Tarifa i bën konceptit  të  legjitimitetit,  me  anë  të  të  cilit  e justifikonin ekzistencën e tyre shumë prej regjimeve socialiste në Europën Lindore. Sipas tij:

Një racionalitet i tillë substancial (racionalitet ose efiçencë në arritjen e qëllimeve të përcaktuara në mënyrë substanciale), i cili nuk haset në racionalitetin formal që nënkupton tipi racional-legal i Ëeberit për autoritetin legjitim, ka qenë një ndër bazat kryesore të pretendimeve legjitimuese në të gjitha shtetet socialiste (f. 64).

Sipas Tarifës, legjitimiteti i shteteve socialiste bazohej mbi një racionalitet instrumental, që e justifikonte komunizmin përmes produkteve të tij. Në një farë kuptimi, ky është një racionalitet makiavelist, i cili nënkupton se qëllimi justifikon mjetet: lufta e klasave, persekutimet dhe ekzekutimet politike, sado të dhimbshme të kenë qenë, justifikoheshin si një e keqe e domosdoshme për të krijuar një “botë të re”, pa varfëri, pa klasa, pa shf rytëzim të njeriut nga njeriu dhe pa varfëri. Ajo çka është interesante, është fakti që, të paktën në rastin e Shqipërisë, racionaliteti instrumental, përkundër atij Ëeberian proceduralo-formal, përcaktoi edhe legjitimitetin e rendin të ri kapitalist.

Kapitalizmi dhe ekonomia e tregut u përqafuan me shumë zell jo për vlerat që ato përfaqësojnë në vetvete, por sepse ato shikoheshin si instrumente më të suksesshme në arritjen e objektivave të zhvillimit ekonomik¯rritjen e prodhimit dhe të konsumit të të mirave materiale. Në këtë aspekt, si racionaliteti ashtu edhe legjitimiteti i regjimit të ri kapitalist bazoheshin dhe bazohen në një logjikë të ngjashme me atë të regjimit që u përmbys. Kjo mund të shpjegojë edhe përse regjimi i ri, veçanërisht në fillim, i ngjante aq shumë regjimit të vjetër, si në aksion ashtu edhe në artikulim.

Duke u nxitur dhe duke u nisur nga libri i Tarifës, do të ishte me interes për studiuesit shqiptarë të analizonin  paralelet,  që mund të ekzistojnë mes procesit të ndërtimit  të kapitalizmit në fillim të tranzicionit postkomunist në Shqipëri, dhe praktikës së socializmit shtetëror para shembjes së tij.

Duke analizuar të kaluarën tonë “socialiste”, libri i Tarifës shërben mjaft mirë për të kuptuar edhe të tashmen tonë “demokratike”. Analiza që Tarifa i bën krizës së regjimit komunist shqiptar hedh mjaft dritë në krizën që po kalon sot sistemi ynë demokratik. Tarifa na thotë se në vitet 1970-të dhe 1980-të korrupsioni moral dhe politik prekte kuadro të ndryshëm teksa besimi në idealet e komunizmit venitej. Ky ishte një proces, i cili na kujton rritjen e korrupsionit në sistemin tonë aktual teksa idealet e elitës politike dhe besimi i popullatës tek institucionet demokratike  veniten.

Edhe më interesante është nëse shohim mënyrën se si vetë Tarifa e shpjegon legjitimimin e sistemit komunist në Shqipëri përballë venitjes së idealeve dhe të utopisë komuniste:

Mbështetur në përvojën time morale dhe intelektuale, në kushtet e sistemit të socializmit shtetëror, unë e shoh legjitimitetin e sundimit të partisë-shtet dhe të udhëheqësve të saj në Shqipërinë e viteve 1970-të dhe 1980-të si të bazuar pjesërisht mbi “argumente” negative sesa në ato pozitive. Koha e “arritjeve spektakolare” kishte perënduar (f. 97).

Një fenomen i tillë ka ndodhur dhe ndodh rëndom edhe gjatë tranzicionit postkomunist në Shqipëri. Argumentimi negativ, ose “anti” - anti-komunizmi, anti-berishizmi, anti-korrupsioni, anti-politika - është një nga karakteristikat më të qenësishme në ligjërimet dhe skenën politike që dominon shoqërinë postkomuniste shqiptare. Pra, edhe sot kemi një fenomen të ngjashëm, ku sa më shumë delegjitimohen institucionet dhe elitat politike në Shqipëri aq më shumë ato përpiqen ta justifikojnë legjitimitetin e tyre mbi një argumentim negativ. Për këtë arsye, analiza e problemit të legjitimitetit të regjimeve komunise, nga Fatos Tarifa, na ndriçon për të kuptuar sesi sendërtohet legjitimiteti i regjimit të sotëm, ndonëse në kushte mjaft të ndryshme. Libri i Tarifës mund dhe duhet të shërbejë si një pikënisje; të frymëzojë të gjithë ata studiues shqiptarë, të cilët dëshirojnë ta njohin më mirë të kaluarën dhe të tashmen tonë.

Në përfundim, jam i bindur së ky libër do t’i shërbejë mjaft brezit të ri që shkollohet sot në universitetet tona. Ky brez, në rastin më të keq, nuk ka aspak njohuri për të kaluarën tonë komuniste. Në rastin më të mirë, ai e njeh regjimin komunist thjesht si një periudhë të errët, kur për afro gjysmë shekulli populli shqiptar ka vuajtur nën zgjedhën e një diktature komuniste. “Zgjedha”, një instrument blegtoral, është në fakt koncepti më i përdorur analitik, jo vetëm në shpjegimin e së kaluarës sonë komuniste, por edhe të asaj otomane.

Me librin e Tarifës ”Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë” studentëve shqiptarë u jepet një aparat konceptual dhe një analizë mjaft e sofistikuar, që u shërben atyre jo vetëm për të kuptuar më mirë natyrën e regjimit komunist në vendin tonë në të kaluarën, por edhe sistemin e sotëm demokratik. Libri i Tarifës është një lajm i mirë për akademikët, intelektualët, studiuesit, studentët dhe lexuesit shqiptarë në përgjithësi. Ai ribotohet në kohën e duhur, edhe pse libra të tillë shërbejnë në çdo kohë, pavarësisht se kur ata janë botuar.

TË DHËNA PËR LIBRIN

Titulli: Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e Utopisë
Gjinia: Shkenca politike
Autori: Fatos Tarifa
Shtëpia botuese: UET Press
Viti: 2008
Fq. 144
Pesha: 0.16 kg

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH