Pas muajsh spekulimesh, Ariana Grande ka thyer heshtjen ndaj zërave që pretendojnë se ajo po largohet nga muzika. Në një postim të sinqertë në Instagram, artistja i ka bërë të qartë ndjekësve se, pavarësisht projekteve të shumta që po zhvillon paralelisht, muzika vazhdon të mbetet një pjesë themelore e jetës dhe identitetit të saj.
Krahas një videoje ku performon gjatë Met Gala 2024, Ariana shkroi me tone të drejtpërdrejta:
“Shumë budallallëk nga ana juaj të supozoni se vetëm sepse jam e zënë me shumë gjëra, kam ndërmend të braktis muzikën…!!!”
Albumi i saj i fundit, “Eternal Sunshine”, u publikua vitin e kaluar dhe u prit me entuziazëm nga fansat dhe kritika. Ndërkohë, Grande po përjeton një sukses të ri në kinematografi, me rolin e saj në filmin e shumëpritur “Wicked”.
Megjithatë, këngëtarja theksoi se lidhja e saj me muzikën nuk ka ndryshuar, edhe pse mënyra se si ajo e shpreh veten artistikisht është duke evoluar.
“Mund të mos duket tamam si më parë, por më pëlqen shumë mënyra se si duket tani në kokën time. Po argëtohem. Ndihem mirënjohëse, e emocionuar dhe e frymëzuar” shkroi ajo.
View this post on Instagram
Grande gjithashtu theksoi se muzika ka qenë gjithmonë një “shpëtim” për të dhe se nuk ka pse të zgjedhë vetëm një drejtim:
“Duhet të ketë vend për të gjitha. Po kërkoj balancën mes shumë projekteve dhe pasioneve që dua, dhe po e bëj në mënyrën time.”
Për ata që mezi presin ta shohin sërish në skenë, artistja la një premtim shprese:
“Po punoj për një plan që të këndoj për ju vitin tjetër. Edhe nëse është vetëm pak. Ju dua.”
Ariana nuk po largohet nga muzika thjesht po e rishkruan mënyrën se si e jeton atë. Dhe nëse kjo do të thotë më pak performanca, por më shumë autenticitet, duket se fansat e saj janë gati ta ndjekin kudo që ajo shkon.