Nga Armand Bora*
Kam që prej 1994-ës që dal në skenë, komunikoj me publikun, kam qenë pjesë e shumë emisioneve televizive si i ftuar e moderator. Kisha menduar se kishte vdekur brenda meje shqetësimi i daljes përpara audiencës për të folur. Tani që po qëndroja aty, po përpiqesha të përdorja ato teknikat e qetësimit dhe heqjes së ankthit, por nuk po funksiononin. E kuptova që nuk është ankth por është përgjegjësi. Përgjegjësi nga ju miqtë e mi që keni ardhur dhe më duhet të flas përpara jush. Këtij mikorofoni i pesëfishohet pesha sepse duhet të mendohem mirë çfarë duhet të them.
E kam shijuar gjithmonë pozicionin aty ulur, por tani më duhet të kthej këtë “borxh” e këtë kënaqësi që kam marrë prej jush e t’ua kthej mbrapsht. Mendoj se duke qenë i sinqertë në atë që do të them, të paktën nuk do të më vrasë ndërgjegjja kur të mbyllet ky eveniment.
Padyshim që është bërë rutinë, por për mua nuk është e tillë pjesa e falënderimeve. Dua të falënderoj së pari Zotin që na mundëson akoma të jemi të fortë, të jemi në këmbë, të kemi mendjen në kokë në këtë situatë kaq të vështirë dhe kaotike. Ndonjëherë duke absurde të merresh me art dhe krijimtari në këtë botë kaq absurde. Është shpresa e vetme që të qëndrojmë te ato gjëra që janë vërtet me vlerë dhe na mbushin neve me dhe na japin arsye dhe argument për të justifikuar jetesën.
Falënderimi tjetër vjen për organizatorët e këtij çmimi, për Henrin, Institutin Europian Pashko. Ne jemi kushinetë se sa e vështirë është të bësh histori apo të vendosësh figurë të qëndrueshme në këto kohë. Kemi çmime pafund, kudo, të cilët degradojnë në interesa të ndryshme. Unë e quaj një përpjekje titanike të Henrit, përpjekje që buron nga emri i Kadaresë. Është një emër që nuk mund të keqpërdoret apo të shkojë në drejtime të paditura. Në momente të caktuara kam qenë pjesë e jurisë dhe e kuptoj se çfarë do të thotë të jesh sot pjesë e një jurie në Shqipëri, prandaj dua që jurinë e këtij viti ta falënderoj dyfish. Jo vetëm për faktin se vlerësoi veprën time, pasi emri im ndoshta do të harrohet një ditë.
Nuk është kusht që të marrësh një çmim dhe emri yt të mbetet në histori. Jam i sigurt që në historinë e këtij çmimi do të mbetet fakti tjetër, që pas 10 viteve ky çmim iu akordua një drame.
Jo vetëm se jam person aktiv, pjesë e komunitetit të teatrit, por edhe po të mos isha, është fare e dukshme që drama ka nevojë për mbështetje. Nuk mendoj se ky çmim e zgjidh çështjen e teatrit dhe të dramës shqiptare, por është një vëmendje e veçantë që më bën optimist, më bën të kem shpresë, jo vetëm mua, por edhe brezin e ri të studentëve, që kjo situatë të tejkalohet.
Para dy ditësh po komunikoja me një profesoreshë, pjesë e universitetit tonë, e cila është marrë me një studim, ka parë gjithë veprat e botuara në shqip deri para 2-3 viteve, në të gjitha trojet shqiptare. Nuk dua t’ua them numrin e vogël të botimeve, nuk po flasim për ato të vëna në skenë, por për ato të botuara. Është i frikshëm. Prandaj është vërtet e nevojshme të stimulohet drama në formatin e botuar, edhe pse siç u tha, drama e ka synimin në skenë.
Për të vajtur te libri, unë sot ndihem si ai prindi që është i kënaqur me fëmijët e tij. Tre fëmijët e mi më kanë dhënë kënaqësi të jashtëzakonshme. Më kanë plotësuar në të gjitha aspektet. Prej 2014-ës kur është vendosur në skenë pjesa e dytë e “Ata hynë pa trokitur”, kam pasur një rrugëtim të jashtëzakonshëm brenda Shqipërisë por edhe jashtë, duke u testuar në skenë në gjuhën shqipe.
Testimi në skenë është një presë e fuqishme, pasi shtrydh çdo fjalë, heq ujin e tepërt dhe lë atë që është e domosdoshme për skenën. Ka përballuar edhe gjuhën kroate, kur është vendosur në Zagreb me dy aktorë kroatë, por edhe në gjuhën angleze, kur u vendos në Melburn, Australi, në një teatër të famshëm “La Mama Theatre”, luajtur nga dy aktorë australianë. Së fundi, me dy miqtë e mi, Era Makoci dhe Herion Mustafaraj, në anglishten amerikane, ku patëm kënaqësinë ta prezantonim edhe këtu në Teatrin Metropol edhe në New York, në Off-Brodway.
Shfaqja ka pasur kontakt me publik në Holandë, Francë, Greqi, Serbi, etj. Është vepra që më ka dhënë kënaqësinë e plotë. Padyshim, edhe dy pjesët janë prezantuar, janë vënë në skenë. Duke iu referuar sërish atij pozicionit të prindit, dua të them se në momentin që botohet drama, e ndjen se ajo të del prej duarsh. Është si ai fëmija që nuk të pyet më, vendos vetë për të vazhduar rrugëtimin e tij. Sa e ke të pabotuar, ti mund ta përpunosh, ndryshosh, por kur e boton të del prej duarsh. Megjithatë, ka edhe ribotime, kur autori është prapë i plotfuqishëm, në moment që i rishikon gjërat.
Gjej rastin në këtë audiencë të mrekullueshme, për të bërë një falënderim special Ndoshta duhet ta kisha bërë më parë, në evente të tjera. Të gjithë ju këtu e dini që i kemi borxh familjes. Unë sot kamë kënaqësinë të kem në këtë sallë bashkëshorten time, Eldën, dhe fëmijët e mi. Dua t’i falënderoj për mirëkuptimin, pasi iu kam munguar shumë në gjithë aktivitetin tim krijues. Ka qenë boshllëk i madh mungesa ime në familje dhe shpresoj që ky moment, sado pak, ta justifikojë këtë mungesë.
Dua të them edhe dy-tre fjalë për veprën time. Përveçse stilit, apo metodës së krijimtarisë që shkon drejt një teatri absurd, le të themi që merr edhe tipare të tjera të shkrimit të teksteve dhe i përbashkon tema. Është një triptik që i përket periudhës së komunizmit. Jemi koshientë dhe dëshmitarë që pas ndryshimeve të mëdha politike në Shqipëri, pati një shpërthim të madh të trajtimit të temës së komunizmit. Ajo që vija re në ato vite, ishte se trajtohej në mënyrë të drejtpërdrejtë, në mënyrë dramatike, tragjike, pra këto emocione që përcilleshin. Ishte e sigurt që do të vinte një moment që do të ftoheshin gjërat, dhe mezi prisja momentin që ne do të fillonim ta satirizonim, do të fillonim të bënim auto-ironi, do të tregonim që kishim filluar të distancoheshim dhe të shkëputeshim nga ajo e kaluar.
Fatkeqësisht po shoh shumë pak qëndrime të tilla dhe kam frikë se akoma nuk jemi shkëputur nga ajo periudhë. Ajo qëndron e fortë brenda nesh, është një kompleks i fortë brenda nesh edhe pse përpëlitemi fortë ta nxjerrim jashtë nesh. E tillë ishte edhe përpëlitja ime me këto tre drama për ta nxjerrë jashtë vetes atë periudhë, të cilën unë e kam jetuar dhe kam kujtime të forta.
Do t’iu sjell vetëm një pasazh të shkurtër nga buron gjithë historia e këtyre tre veprave.
Kam pasur fatin të kem pedagog në shkollë Pirro Manin. Natyra e tij ishte shumë miqësore me studentët dhe shpesh që na ftonte në shtëpi, ku gatuante Pavlina, drekonim me nënën e tij e me njerëz të tjerë. Unë, duke qenë pak vlonjat dhe peshkatar, edhe ai pasionant pas peshkut, kisha mundësinë që të rrija përtej drekës, madje rrija edhe për darkë. Nuk do ta harroj kurrë një moment, kur Pirro fliste më shumë për kujtimet, për të shkuarën, sesa për të ardhmen. Nuk prodhonte më vepra, nuk ishte aktiv. Më tha një fjali e cila më tronditi dhe më ngeli kaq fort brenda meje sa u deshën këto tre vepra për ta nxjerrë atë gozhdë që më futi fjalia e tij: “Mandi, nuk kanë qenë të pakta ato raste, kur i thosha pas premierave të mia i thosha Pavlinës të bënte gati valixhet”. Të bësh gati valixhet është të presësh trokitjen në derë dhe të çojnë atje ku ishte e vështirë për të dalë.
Ishte një gozhdë shumë e fortë dhe mbi atë strumbullar u zhvilluan shumë prurje të tjera të miqve, histori të ndryshme ku u zhvilluan këto drama.
Për ta përmbyllur, dua të them se këto tre drama nuk janë të dedikuara për atë histori që ju mendoni, për të persekutuarit, pra ata që ishin në opozitë me pushtetin. Të trija dramat kanë personazhe që janë qytetarë normal, që kërkojnë të jenë në raporte pozitive me shtetin, të kenë harmoni me të. Ai sistem nuk i lejonte as këta persona që kërkonin të kishin një jetë normale, që nuk kishin asnjë lloj dëshire për ta kundërshtuar regjimin. Edhe ata persona e kishin të pamundur të jetonin. Me këtë dua të them se ai sistem nuk ishte i keq vetëm për një kategori të caktuar njerëzish. Ai sistem ishte i keq edhe për ata që e prodhuan atë.
Për brezin e ri ndonjëherë bëhet trend Che Guevara, zjarri natën me kitarë, revolucioni. Është një e keqe që akoma nuk ka dalë prej nesh dhe padyshim që rikthimi te këto tema është një thirrje e domosdoshme për këtë brez, që të mos ta shohë kaq rozë dhe me romantizëm atë të keqe. Ndoshta ngjyrat i ka të bukura, por thelbin e ka të tmerrshëm.
Ju falënderoj edhe njëherë! Ndjehem vërtet krenar dhe i nderuar që jeni këtu. Shpresoj se dramat do t’iu pëlqejnë dhe ju premtoj se do ta shihni sërish në skenë, të paktën njërën prej tyre.
*Fjala e dramaturgut Armand Bora gjatë akordimit të Çmimit Letrar Kadare 2025, të cilin e mori me triptikun me drama “Ata që mbijetuan”.