Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei tha se kombi iranian “nuk është nga ata që dorëzohen”, një ditë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump i bëri thirrje vendit të dorëzohej pa kushte.
“Le ta dinë amerikanët se kombi iranian nuk është nga ata që dorëzohen dhe çdo ndërhyrje ushtarake nga ana e tyre padyshim që do të rezultojë në dëme të pariparueshme”, tha Khamenei të mërkurën në një fjalim kombëtar, raporton CNN.
“Ata që janë të mençur dhe e njohin Iranin, popullin dhe historinë e tij, nuk i flasin kurrë këtij kombi me gjuhën e kërcënimeve”, paralajmëroi ai.
Pasi Trump të martën tha se Khamenei ishte “një shënjestër e lehtë” për SHBA-në dhe Izraelin, ai më pas i shtoi kërkesat e tij në Truth Social: “DORËZIM PA KUSHT!”
Në fjalimin e tij, Khamenei tha se “amerikanët duhet ta dinë se çdo ndërhyrje ushtarake nga Shtetet e Bashkuara padyshim që do të rezultojë në dëme të pariparueshme”.