Ish-gazetari Mustafa Nano, në librin e tij “Si e kam njohur...”, botim i shtëpisë botuese UET-Press, shkruan disa vite më parë për ish-politikanen, pedagogen dhe sot gazetaren Grida Duma se ajo kishte shumë të dëshirë të shkonte në programin e tij televiziv “Provokacija”, por që s’i shkonte aq sa do të donte dhe, aq sa ai donte, e sipas tij, arsyeja dihej. Nano, mendonte atëherë, por, edhe sot, ndoshta e mendon një gjë të tillë, se demokratët, veçanërisht ata berishistët, nuk e donin atë dhe, ajo, me atë veprim, përpiqej t’u komunikonte atyre se “ishte me ata dhe jo me Muç Nanon”. Muç, është një shkurtim alla “trendy boy”, i emrit Mustafa.
________________________
Diku nga mesi i tetorit, pak ditë para se ky libër të shkonte në shtypshkronjë, Grida Duma promovoi librin e vet me titull “Koha për politikë”. Çfarë titulli, ë? Është njësoj si të thuash se “Franca e Holanda mirëpresin Shqipërinë në BE”, se “Lulzim Basha është parë me Edi Ramën në një klub nate, fjala vjen në Copacabana të New York-ut, apo në Cavo Paradiso të Mikonosit”, se “Grida vetë është parë duke pirë kafe me Elisa Spiropalin”, etj., etj.
Por titulli merr kuptim, kur ti fillon të lexosh librin, gjë që të sillet, gjithashtu, si një ngjarje aq e pamundur, sa ti e ke të lehtë të përfytyrosh reagime të tipit: “Një politikan shqiptar që bën një libër? Ik ore, pirdhu! Nuk e besoj kurrë këtë gjë.” “Kurbani” i Edi Ramës është aty si një përjashtim që e thekson ca më shumë paradoksin e politikanit shqiptar që shkruan një libër. Me fjalë të tjera, ndër politikanët tanë, vetëm Edi Rama e Grida Duma shkruajnë libra. Çfarë dysheje! Vetëm në ferr mund të gjesh çifte të tilla. Para se të shkoja në përurimin e librit, i shkrova Gridës: “Më ndjell shumë ideja që aty mund të ketë njerëz që, teksa do më shohin, do t’i thonë sho-shoqit: Po ky shkërdhata ç’dreqin do këtu? Prandaj do të vij.” Dhe shkova. Por u befasova. Ishte krejt ndryshe nga sa prisja unë. Ka kohë që Partinë Demokratike e shoh si një sekt ezoterik, ku mblidhen e rrinë bashkë veç ca njerëz që, në një mënyrë a në një tjetër, kanë lidhje me vitet e largëta 1990-1991, kur ajo parti u krijua, dhe kur nuk dinin të bënin gjë tjetër, veçse të zbraznin duf e vrer kundër komunistëve, spiunëve e të gjithë atyre që atë parti nuk e pëlqenin apo e braktisnin.
Për këtë arsye, Grida Duma në atë parti më është dukur gjithnjë një gjë kundër natyrës. Do ta përfshija edhe këtë te ngjarjet e pamundura, për të cilat fola më sipër, por Grida e ka një shpjegim. Ajo është e djathtë, konservatore. Identiteti konservator i shumë demokratëve, ashtu si edhe identiteti progresist i shumë socialistëve, duhet vënë në dyshim, në fakt. Konservatorët e progresistët shqiptarë janë të tillë nga halli, jo nga qejfi. Dua të them se këta nuk kanë zgjedhur të jenë të tillë. Thjesht qëlluan që të jenë aty ku janë. Ka qenë origjina familjare, e sidomos raporti me regjimin komunist, që kanë përcaktuar vendin e tyre në politikën e sotme. Ke qenë i përndjekur nga regjimi i Enver Hoxhës? Atëherë je konservator. Ke qenë në një marrëdhënie mirëkuptimi me atë regjim? Epo mirë, je progresist. Kaq të thjeshta e automatike janë rreshtimet politike në Shqipëri. Gjetkë ndodh shumë shpesh që njerëzit kanë ca bindje, pikëpamje e qëndrime të caktuara, të cilat lidhen me një formim të tyrin prej jetës apo prej librave, dhe vetëm pas kësaj ata zgjedhin të bëhen konservatorë, progresistë, apo diçka tjetër. Ndërsa këtu gjërat janë me kokëposhtë.
Në fillim njerëzit bëhen me një parti (rëndom për shkak të origjinës; por edhe të oportunizmit), e vetëm pas kësaj zgjedhin qëndrimet e pikëpamjet mbi botën!!!! Grida nuk duket se i përket kësaj kategorie. Nuk ka qenë e përndjekur. Nëna e saj vjen nga një familje, të cilën komunizmi nuk e kishte me sy të mirë (Deliallisët), por familja e Gridës nuk ka qenë e përndjekur, sidoqoftë. Po të motivohej nga origjina, mund të shkonte djathtas po aq sa edhe majtas. Shkurt, origjina hiqet nga ekuacioni i rreshtimit të saj. Ajo mund ta fusë në ekuacion për një dobi të sajën (mes demokratëve, kush ka qenë i përndjekur, supozohet se ka kredenciale politike më të mira sesa të tjerët), por e vërteta është që ajo nuk ka pasur ndonjë lloj mllefi familjar apo personal me diktaturën. Kuptohet, nëse përjashtojmë mllefin që dikujt mund t’i lindte për shkak të ndonjë disponimi të vetit (siç u ndodhi, fjala vjen, disa fëmijëve të ish-Bllokut). Dua të them se unë Gridën e marr për atë që ajo thotë se është, një konservatore. Por një konservatore, së cilës çdo përkufizim i rreptë i këtij termi do t’i rrinte ngushtë. Nuk i shkon asaj asnjë lloj fanatizmi e fiksimi ideologjik.
E prandaj, herë pas here, ajo jep shenja se ia ka qejfi të notojë edhe në ujërat “përtej kufirit”. Është mes atyre pak demokratëve, për të cilët përafrimi i pozicioneve me krahun tjetër, jo vetëm është i mundur, por është edhe i udhës. Për t’u bindur për këtë do të ishte mjaft të shihje se kush kishte ardhur në përurimin, për të cilin fola. Ishin njerëz të të gjitha krahëve. Më pak i padëshiruari ndër të gjithë isha unë. Morali? Grida Duma i bashkon të gjithë. I bashkon me shumë gjëra, por edhe me look-un. Sidomos me look-un. Dhe ja ku dolëm tek një temë “delikate”. Një miku im, sa herë që bie fjala për Grida Dumën, nuk harron të përmendë një frazë nga një film shqiptar i prodhuar para vitit 1990, në të cilin Anisa Markarian e Arben Imami luajnë rolet e dy studentëve të dashuruar me njëri-tjetrin: “Durrësi ka vajza të bukura.” Është e vetmja frazë jo skematike e atij filmi. Dhe kuptohet, në mendjen e mikut tim, Grida Duma është një grua e bukur. Se mos vetëm në mendjen e tij! Pothuaj të gjithë burrat (edhe gratë, meqë ra fjala) janë me të njëjtën ide: Grida Duma është një grua e bukur. Është një nga pak gjërat, për të cilat shqiptarët s’e kanë aspak të vështirë të arrijnë në një mendim të përbashkët. Në këtë kuptim, çdo bisedë mbi Gridën është një lloj brainstorm-i, nga i cili shqiptarët dalin me ca dëshirë më shumë për konsensus mes tyre. Kështu që, edhe sikur asnjë vlerë të mos shquanim tek ajo, këtë aftësi “për të pajtuar” shqiptarët duhet t’ia njohim. Dikush tjetër në vend të saj do ishte velitur me këtë lojë që i bëhet me pamjen e jashtme. Kjo e fundit do t’i ishte shndërruar tanimë në një barrë a në një makth.
Mund të ndodhë edhe kështu, apo jo, kur portalet e rrjetet sociale me logjikë maskiliste bëjnë çmos t’u ngulitin në kokë vajzave e grave idenë se i duhet paguar një taksë faktit që tërheqin vëmendjen me pamjen e tyre të jashtme. Të krijojnë përshtypjen se nuk ua falin që janë të bukura. Kushedi sa herë e kanë intervistuar Grida Dumën, dhe të gjitha herët kanë dashur të dinë se si “ajo bashkëjeton me faktin që është e bukur”. Edhe unë në një rast nuk kam ditur të bëj ndryshe. Sa jam penduar! Sa e parashikueshme më ngjau e gjitha më pas! Bisedën u përpoqa ta bëja ndryshe, sigurisht, por isha i përndjekur prej idesë se po bëja diçka të stër-stër-bërë (siç jam edhe tani që po shkruaj këto rreshta, në fakt). Mirëpo, mbaj mend që Grida nuk u bezdis. Nuk e kam parë të sikletosur në asnjë rast të tillë, ç’është e vërteta. Përkundrazi, e pranon këtë lloj bisede krejt natyrshëm. Flet për bukurinë e saj me po atë natyrshmëri që mund të flasë për një udhëtim jashtë vendit, për një ide politike, për një libër që sapo e ka lexuar, për Deliallisët, etj. Duket sikur do t’u thotë të tjerëve, më saktë të gjithëve: “Po, unë jam e bukur, e di këtë, gjithnjë e kam ditur, dhe mos kujtoni se mund të më kompleksoni apo të më sëkëlldisni duke folur pafundësisht mbi këtë temë, hiç fare, e keni kot, në doni ta dini, unë argëtohem me biseda të tilla, madje çdo bisedë mbi hijeshinë time fizike më bën mirë edhe në terma të shëndetit, edhe në terma të PR-it, jam e sigurt për këtë.” Shkurt, edhe sikur ta shtrydhësh të gjithë vetëdijen e saj, në fund fare do të mbetet pohimi: Unë e di që jam e bukur. E si të mos e dijë?
Edhe sikur t’i mungonte për fare autostima, do ishte vëmendja gati-gati e fëlligësht e lapërdhare e të tjerëve që do t’ia shtinte me përdhunë në kokë mendimin se “Grida Duma është e bukur”. E vetmja bezdi e saj në këtë mes mund të ketë të bëjë me një qasje voyeurist-e të portaleve kur puna vjen te jeta e saj private. Por ky është një çmim që ajo duhet t’i paguajë ngasjes për të qenë figurë publike, të cilën (ngasjen) unë besoj se ajo e ka më të madhe se të të gjithëve. Asaj i pëlqen të jetë para kamerave, në qendër të vëmendjes. I pëlqen kur lëvizjet, qëndrimet apo thëniet ia marrin për lajm. I ndrin fytyra prej haresë kur është nëpër studio. Epo, në këtë rrethanë, pak vuajtje është e mirëseardhur. Qejfi i ha kumbullat e tharta, thonë andej nga anët e mija.