Letërsi

DORËSHKRIM/ Botim i UET-Press, Ngjela: Gazetari Aleksandër Frangaj ishte i vendosur deri në fund për t'iu kundërvënë pushtetit të Berishës

Shkruar nga Liberale
DORËSHKRIM/ Botim i UET-Press, Ngjela: Gazetari Aleksandër Frangaj

Në 11 shkurt 1991, Spartak Ngjela do të takohej me jetën e tij, në ditën e parë në liri. “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, një botim i shtëpisë botuese “UET Press” është një dëshmi e kësaj lirie në të tre volumet e saj. Kjo vepër nuk është thjesht rrëfimi i kujtimeve, por është një analizë e thellë politike, sociale dhe filozofike e shoqërisë shqiptare në momentet e saj më të rëndësishme historike. Në një meditim të gjatë ekzistencialist, filli i jetës së një individi arrin t’i japë një shpjegim dhe shoqërisë së tij, të cilën e ka parë nga lart, nga brenda burgut dhe si pjesë përbërëse normale e saj.

_________________________

Por ky ishte vetëm një aspekt i konflikteve që hapi ndërkohë në Shqipëri ekzistenca e një pushteti absolut. Që në fillim liberalët e patën kuptuar këtë fakt, por tani ai ishte bërë më konkret sesa ç’mund të pritej. Berisha, pasi i pushtoi personalisht të gjitha pushtetet me pretendimin se po luftonte komunizmin në Shqipëri, nisi nga arrestimet. Pengesat i kishte të mëdha. Në fillim ai mendoi se me një përjashtim nga partia do të lante duart njëherë e përgjithmonë me liberalët, sepse mendoi që, nëpërmjet një propagande tepër të ulët në nivel intelektual, po bindte shoqërinë se që të gjithë ata ishin të Ramiz Alisë dhe të regjimit të vjetër. Por faktikisht ai ditë për ditë po konfliktohej me popullin e vet dhe me intelektualët, që tani kishin gjetur edhe një gazetë dhe po e bënin fërtele duke ia denoncuar të gjitha aktet e tij që flisnin për pushtet absolut.

Në fillim shtypi opozitar i kapi skandale financiare, pastaj veprime të dyshimta brenda qeverisë dhe gjithçka që kishte të bënte me lojën autokratike të tij në Shqipëri. Berisha ndërkohë po forconte Shërbimin Informativ dhe këtë e bëri gjatë gjysmës së dytë të vitit 1992, por sidomos gjatë vitit 1993 dhe vitit 1994. Ai e dinte se çdo diktaturë do të ketë një shërbim sekret dhe një njeri të vetin plotësisht deri në verbëri si shefin e këtij shërbimi, të cilin ai e gjeti që në fillimet e pushtetit të tij: Bashkim Gazideden. Por brenda kësaj, Berishës i duhej të përballonte një opozitë të dyfishte, që i vinte edhe nga e majta edhe nga liberalët e qendrës së djathtë, që tani ishin 5 deputetë në parlament dhe kishin edhe dy gazeta: gazetën “Koha Jonë” që i mbështeste dhe që ishte bërë gazeta më e madhe në vend, por edhe gazetën partiake të partisë së tyre që quhej “Aleanca”.

Në fillim Berisha mendoi që të godiste opozitën e majtë, sepse me të mund t’i lante shpejt duart pasi me demagogji mendoi se do të bindte ndërkombëtarët, kurse po me një tendencë antikomuniste mund të bindte edhe shqiptarët. Pastaj e kishte edhe një atu të mirë në dorë, sepse Shqipëria ishte pa kushtetutë moderne dhe atij i duhej që të formulonte dhe të miratonte kushtetutën e re. Pikërisht për këtë ai mendoi se, duke goditur kryetarin e opozitës dhe duke bërë një kushtetutë sipas interesit të vet autokratik, do ta krijonte përfundimisht strukturimin e një autokracie pseudodemokratike në Shqipëri; nuk e kishte menduar keq, por koha e tregoi se ishte krejt i paaftë që ta realizonte. Ishte konfuz në një krah, dhe nuk kishte as njerëz në krahun tjetër.

Historitë e diktaturave kanë treguar se diktatorët kanë qenë që të gjithë njerëz që e kanë njohur shtetin, prandaj një kardiolog, që nuk kishte edhe ndonjë aftësi analitike si fakultet e intelektit të tij, do ta kishte vërtet të pamundur që ta realizonte një neutralizim të të gjitha forcave kundërshtare që ishin rreshtuar përballë tij. Unë, nga ana ime, i kisha sugjeruar lidershipit të Aleancës Demokratike që të rrinim në pritje për të marrë në gjirin tonë “të gjithë të goditurit” që do të vinin nga Partia Demokratike si të konfliktuar me Berishën. Ai mendoi që në fillim të godiste gazetën “Koha Jonë”, por nuk ia arrit dot, sepse e pa që ajo po mbrohej nga opinioni publik dhe të dy drejtuesit e saj: Nikollë Lesi dhe Aleksandër Frangaj ishin njerëz të rinj, por shumë të vendosur për t’iu kundërvënë deri në fund pushtetit Berisha në Shqipëri.

Ata me intuitën e gazetarëve të rinj e kuptuan se lufta personale e një gazete kundër autokratit është lufta më e suksesshme në një shoqëri ku mundësia për të botuar artikuj demaskues kundër tij është një e drejtë kushtetuese. Pikërisht për këtë, në atë gazetë u grumbulluan të gjitha forcat liberale që do të nisnin e do të përfundonin në fakt një luftë shembullore kundër tiranisë së re shqiptare, dhe do të hyjnë pa dyshim në historinë e shtetit dhe të politikës shqiptare si një fluks intelektualësh të rinj që e shpëtuan njëherë e mirë shoqërinë nga një absolutizëm i cili nuk dihej se çfarë formash do të merrte në Shqipëri. Në mars të vitit 1993, u arrestua kryeredaktori Aleksandër Frangaj, i cili kishte shkruar në gazetë se “një numër tankesh po shkojnë në Veri të vendit”.

Nuk u kuptua kurrë se përse Sali Berisha e humbi aq shumë ekuilibrin për një lajm të tillë, sepse ishte krejt një gjë normale që, gjatë luftës së Bosnjës, dhe gjendjes së trazuar në Kosovë, ushtria shqiptare duhej të ishte në gatishmëri, sidomos në trevat e Veriut ku ndeshej me kufirin jugosllav. U arrestua kryeredaktori i gazetës më të madhe në vend, vetëm për një lajm të tillë, dhe askush nuk diti ta analizojë: Berisha e pa atë lajm si një zbulim që iu bë atij kundrejt një kundërshtari shekullor, apo e pa si prishjen e ndonjë pakti që ai mund të kishte bërë me këtë kundërshtar apo armik shekullor: Jugosllavinë? Por kjo pak rëndësi ka, i rëndësishëm është fakti që ai për këtë rast nisi luftën kundër lirisë së shtypit në Shqipëri dhe e gjithë shoqëria e emancipuar u ngrit në këmbë për t’i mbrojtur. Frangaj u liria nga burgu, se mori pafajësi nga gjykata, në një gjyq që iu bë në Lezhë, dhe ku unë isha avokati i tij.

Në mbrojtjen time nuk kisha asnjë gjë të vështirë, sepse gazeta nuk kishte gënjyer. Provohej qartë se tanket kishin kaluar nëpër Lezhë drejt Veriut të Shqipërisë, dhe, prandaj, me njëqind dëshmitarë, unë e provova lehtë në gjyq që tanket kishin kaluar nëpër Lezhë dhe gazetari i kishte parë vetë. Kjo sepse akuza që i ishte ngritur Aleksandër Frangajt nga prokuroria ishte “mohimi i qeverisë se kishin kaluar tanke për në Veri, dhe, ky fakt i rremë, pati sjellë panik në popull”. Kjo pa dyshim që ishte një akuzë banale dhe pa asnjë sens juridik, prandaj gjatë gjykimit prokurori u tërhoq në sallë, dhe gjykata e pushoi çështjen penale në ngarkim të Aleksandër Frangajt. Por pas pafajësisë, Prokuroria e Përgjithshme ia ndërroi akuzën, dhe e quajti aktin e botimit të një lajmi të atillë si “nxjerrje të sekretit shtetëror”.

Por edhe kjo akuzë u arrit të rrëzohej procedurialisht dhe Aleksandër Franga e siguroi edhe në Apel të Shkodrës pafajësinë e tij. Gjyqet, në fakt, po më jepnin një shije jo të mirë, se, pavarësisht që Frangaj mori pafajësinë, gjithçka dukej se ishte nën kontrollin e Sali Berishës dhe të Bashkim Gazidedes. Shenjat ishin të dukshme dhe kudo pati shkarkime: prokurori i çështjes që u tërhoq nga akuza, u pushua si prokuror. Dhe po kështu, pikërisht një muaj më pas, Gazdede i kërkoi Ministrit të Drejtësisë që të më hiqej mua licenca e avokatit, sepse, sipas tij, unë e kisha mbrojtur Aleksandër Frangajn me tendencë politike në gjyq. Sigurisht që licenca nuk kishte sesi të më hiqej, por shkresa u kap nga unë dhe u denoncua botërisht. Për këtë çështje iu bë një interpelancë edhe kryeministrit në Parlament, i cili u ngatërrua me veten dhe nuk dinte se çfarë të fliste, sepse në të vërtetë edhe ai vetë, pavarësisht se ishte kryeministër, ndodhej nën survejimin e përditshëm të Bashkim Gazidedes. Koha po rëndohej dhe askush nuk e dinte se ku po shkohej.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH