Në librin e tij me profile, me titull “Si e kam njohur...”, gazetari Mustafa Nano shkruan se në pamje të parë George Soros-i më është dukur krejt i zakonshëm. I zakonshëm deri në mërzi. Dhe të mendosh se ka njerëz në botë që flasin për të si për një përbindësh. Idetë as unë nuk ia pëlqej, sidoqoftë. U bënë vite tanimë që idetë e tij më duken të gabuara.
___________________________________________
Të gjithë e kishin mendjen tek ai. Unë e kisha tek ajo, një aziatiko-amerikane, që nuk i kishte mbushur ende të dyzetat. Kështu dukej, të paktën. Ndërsa ai ishte afër të tetëdhjetave. Nuk e dija se ç’marrëdhënie kishin bashkë.
Fillimisht, unë e mora për një drejtuese të Fondacionit të tij, apo ndonjë ndihmëse a këshilltare personale që kishte për detyrë të mos i ndahej gjatë ecejakeve nëpër botë, por nuk m’u desh shumë të bindesha se punët nuk ishin ashtu si dukeshin. Ajo nuk ia ndante vështrimin, dhe ky vështrim ishte i ngrohtë, i dhembshur, mirëkuptues, e mbi të gjitha i sigurt. Dhe dihet që nuk ka asnjë njeri në botë t’i hedhë shefit të vet një vështrim të tillë, mbi të gjitha të sigurt. Vështrime të tilla dihet se kush i hedh. Ajo ishte e dashura e tij. Për minuta të tëra ku nuk më shkonte mendja.
Dua të them, për minuta të tëra mendja më shkonte veç në një vend. Bëjnë dashuri këta? Mund të bëjë seks një burrë në moshën e tij? Po sa herë mund ta bëjë? Një herë në muaj? Apo një herë në vit? Kam lexuar kohë të shkuara një ditar të një vajze rreth të tridhjetave me emrin Brenda Venus, që pretendonte të kishte qenë e dashura e shkrimtarit Henry Miller, kur ky i fundit ishte në moshën tetëdhjetë e kusur-vjeçare, por ajo nuk flet në atë ditar për ndonjë akt seksual me të. Përkundrazi, flet vetëm për fantazitë e shfrenuara të autorit të romanit të shumëdiskutuar “Tropic of Cancer”, të cilat (fantazitë) ky i fundit ia përshkruan në letrat e tij me një gjuhë të troçtë e lapërdhare. Ia përshkruante vaginën në detaje si të ishte fjala për një apartament, të cilin e frekuentonte shpesh. Dhe tallet me pafuqinë e mishit të tij.
Por po kthehem tek zotëria “im”. Rrekesha ta përfytyroja atë, tok me të dashurën aziatiko-amerikane, në situata të nxehta, por në të gjitha rastet, skenat më dilnin të pamundura. Mishi i tij më rezultonte po njësoj me atë të Henry Miller-it, i pangacmueshëm, si ata kongjijtë e fikur që mbeten në vatër në mëngjes (provë e zjarrit të mbrëmjes), e që nuk mund të ndizen më. Por pastaj i thoja vetes: “Teveqel, e pse qenka e thënë që çdo marrëdhënie të seksualizohet? Për ta është ndoshta mjaft që të jenë bashkë. Të qenit bashkë mund të jetë më eksituese në vetvete, më eksituese sesa të eksitohesh.” Pastaj, ishte edhe pamja e asaj, që nuk jepte asnjë shenjë se vuante nga ndonjë papërmbushje seksuale.
Ai mund të tregonte shumë më i ri sikur të mos ishte për qeskat e syve. Me siguri i urrente ato qeska. Ndërsa unë nuk e di pse e lidhja hirin e tij me ato qeska, pa të cilat ai do ishte një plak i zakonshëm, me vështrimin e lodhur, me lëkurën e bardhë. Dhe me ecjen e ngadaltë, a thua se kishte frikë se humbiste drejtpeshimin. Kur e pashë që ecte ashtu m’u bë t’i thoja se “kur koha vjen, një bastun mund ta mbash, nuk ka pse të vijë zor”. Nuk ia thashë, kuptohet. E si mund t’ia thoja? Ai nuk ishte një njeri dosido. Ai ishte Ai. Por qeskave të tij nuk ia ndaja sytë. Më tërhiqnin si të ishin hajmali, që dikush ia kishte varur mbi kockën poshtë syve. Sa do kisha dashur që aziatiko-amerikania t’i afrohej, t’ia zinte me dorë ato qeska, dhe t’ia shtrydhte në praninë tonë, sidomos gjysmat e poshtme të tyre, që ishin të varura e palosura. Mund ta bëja edhe unë atë punë në vend të saj. Madje, pa m’u rëndur fare. Veç një miratim më duhej. Do të ishte bëma më e madhe në biografinë time. Në Wikipedia, pas shumë vitesh, ndoshta që tani, poshtë zërit “Mustafa Nano” do të shkruhej mes të tjerash: “…Ka shtrydhur qeskat e syve të George Soros-it…” U mor vesh më në fund që po flas për George Soros-in. Ka qenë viti 2008, kur ai erdhi në Shqipëri. E duhet të ketë qenë verë, pasi e mbaj mend që kishte veshur një këmishë me mëngë të shkurtra, me jakë si të atyre mandarinëve kinezë të kohës së Mao Ce Dunit. Unë isha anëtar i Bordit të Fondacionit të tij për Shqipërinë. Mes nja dhjetë të tjerëve. Mblidheshim si rregull një herë në muaj për të diskutuar mbi projekte të ndryshme që na paraqiteshin. Në fund vendosnim se cilët projekte do të duhej të miratoheshin. E bëhej fjalë për projekte që synonin ndihmën ndaj shtresave në nevojë e të diskriminuara, apo zhvillimin e shoqërisë civile, të medias, të shkollave e të sektorëve të tjerë të jetës publike shqiptare. Me përjashtime të rralla (për të cilat miratimi pritej nga përtej Atlantikut), një projekt nuk shkonte më shumë se 20 mijë dollarë. Dhe ne, anëtarët e Bordit, paguheshim 100 dollarë për çdo mbledhje. Siç shihet, pagesa ishte qesharake, gjë që do të thotë se asnjëri prej nesh nuk kishte pranuar të ishte atje për motive financiare. Nuk e di se për ç’motive kishin pranuar të tjerët, por unë vetë nuk e dija pse kisha pranuar. Ka qenë puna më e mërzitshme që kam bërë në jetën time. Nuk ishte ndonjë kokëçarje e madhe (dy-tri orë në muaj nuk janë ndonjë gjë kushedi se çfarë), por mua prapëseprapë ajo gjë m’u bë barrë që në krye të herës. Ngrija dorën kuturú në favor të projekteve të ndryshme. Të tjerët vija re që lexonin ca materiale, të cilat na dërgoheshin paraprakisht dorazi, dhe vinin atje të përgatitur, ndërsa unë as që e merrja mundimin t’u hidhja një sy atyre projekteve. Nuk jam mësuar të lexoj shkresa. Mjafton të jem i detyruar të lexoj një shkresë me vëmendje, qoftë edhe një shkresë të shkurtër, dhe mbushem me djersë, sikur të jem duke bërë punë fizike në mes të zhegut. Nëse nuk ika para kohe nga ai Bord, kjo ndodhi veç prej kënaqësisë që më jepte takimi një herë në muaj me board-istët e tjerë, dhe ndonjë udhëtim dy-tri ditor që e bënim një herë në vit diku në ndonjë qytet bregdetar tonin a të Malit të Zi, ku bënim një rrugë e dy punë, edhe pushonim, edhe diskutonim mbi probleme të Fondacionit. Mbaj mend atëmot, që George Soros-i hyri në kthinën e madhe të një restoranti që ishte rezervuar për ne, dhe ishte, siç ju thashë, me partneren e vet. Më saktë, me atë që më vonë u mor vesh se ishte partnerja e vet, me të cilën është edhe sot e kësaj dite.
Sepse aty për aty nuk na u tha gjë. Ose ndoshta mund të ketë pasur ndonjë pësh-pëshe, por unë nuk e kam pasur mendjen. Soros-i na dha dorën një e nga një. Kishte një dorë të vogël (biseda për duart e vogla është bërë sëkëlldisëse për burrat që nga momenti kur Marco Rubio, gjatë primareve të fundit republikane, i bëri Trump-it një lidhje mes duarve të tilla dhe organit gjenital mashkullor), me gishtërinj të hollë, më të hollë se të sajat. Unë e ndjeva menjëherë që dora ishte delikate, gati fëshfëritëse. Të vinte keq t’ia shtrëngoje. Dhe unë nuk ia shtrëngova, sido që e kam zakon ta bëj gjithnjë kur takohem me të tjerë. Biseda gjatë darkës ishte e zakonshme. E vetmja gjë që mbaj mend nga ajo bisedë ishte diskutimi mbi disa takime që Soros-i kishte bërë apo do të bënte në Tiranë. Mes të tjerash ishte edhe një takim me Sali Berishën. Nuk di të them nëse ai takim i ishte kërkuar nga ky i fundit, apo nëse Soros-i vetë e kishte në agjendë. Di që na pyeti: Mendoni se duhet ta takoj? Të gjithë i thanë: “Pse jo? Ai është kryeministri i vendit.” Ai u pajtua me këtë logjikë. Me sa mora vesh më pas, ai takim u bë. Mund të jetë e vetvetishme për njerëzit ta përfytyrojnë George Soros-in si ndonjë control freak. Ndryshe, si do mund të ndërtonte atë që ka ndërtuar? Për më tepër, si do mund të shpjegohej imazhi, që është krijuar për të, domethënë ai i një burri që rri në prapaskenë dhe tërheq të gjitha fijet, me të cilat janë lidhur kukullat që janë në skenë, e që, si rregull, njihen si udhëheqësit e mëdhenj të botës?
Mirëpo, atje në tryezë ai ishte një njeri normal. Ndër njerëzit e rëndësishëm që kam takuar, ai ka qenë më normali. Dua të them se nuk kishte asgjë të pazakontë në pamjen e qenien e tij. Të linte të flisje. Sepse dinte të dëgjonte. Dhe sepse duhet të jetë njeri që flet pak. Dhe kur flet, zëri i tij është i qetë, i shtruar, i ulët. Ndërsa anglishtja e tij ishte e thjeshtë, e ngadaltë. Kjo duhet të jetë arsyeja që nuk shfaqet nëpër intervista televizive. Por nuk duhet përjashtuar, sidoqoftë, që protagonizmi i munguar televiziv të ketë qenë një strategji PR-i, për ta bërë të mistershëm, të padukshëm, të palexueshëm. Nëse ka qenë i tillë, atëherë ia ka arritur qëllimit. Madje, ka arritur më shumë sesa qëllimin që mund të ketë pasur. Ai është shndërruar në një përbindësh. Por vetëm me një përbindësh nuk duket se ka lidhje.