Më 31 janar 1925 Ahmet Zogu u shpall president i Republikës së Shqipërisë. Njëqind vjet më pas Shqipëria numëron 11 burra shteti që kanë mbajtur këtë detyrë nëpër etapa të ndryshme historike e politike të vendit.
Publicisti dhe gazetari i njohur, Roland Qafoku, sjell jetëshkrimet e tyre në librin e tij më të fundit "100 presidentët 1925- 2025", projekt i iniciuar nga Akademia e Studimeve Shqiptare, Instituti Europian Pashko dhe UET.
Botimi i UET Press u promovua në këtë datë historike për të përkujtuar rëndësinë dhe impaktin e kësaj ngjarje në orientimin e Shqipërisë drejt frymës demokratike, pavarësisht se kursi ndryshoi në vijimësi dhe vendi rrëshqiti në një nga diktaturat më të egëra të Europës.
Aktiviteti u nderua nga pjesëmarrjen e ish- presidentit Bamir Topi, bashkëshortja dhe vajza e ish-presidentit Bujar Nishani, nipi i presidentit të parë, Princ Leka, familjarë e të afërm të presidentëve të tjerë ndër vite, si dhe figura të njohura nga politika e media.
Qafoku në fjalën e tij bëri një përmbledhje për 11 presidentët, kohën dhe rrethanat kur drejtuan, vendimet apo mosvendimet e tyre që kontribuan pastaj në imazhin që lanë pas.
Përmes kërkimeve të hollësishme në arkiva apo media, Qafoku sjell informacione, data, ngjarje të thëna dhe të pathëna mbi secilin prej presidentëve nga Ahmet Zogu te Bajram Begaj.