Letërsi

Botim i UET Press/ Blendi Fevziu: Ju tregoj se kush është Behgjet Pacolli i vërtetë. Ai beson se një engjëll i padukshëm i ka shpëtuar jetën

Shkruar nga Liberale

 

Botim i UET Press/ Blendi Fevziu: Ju tregoj se kush është Behgjet

Gjatë 35 viteve karrierë kryesisht si gazetar televiziv me emisionin e suksesshëm “Opinion”, Fevziu ka mundur të jetë i suksesshëm edhe në publicistikë, duke botuar të paktën 16 libra, pjesa kryesore e të cilëve janë botuar nga UET PRESS.

Libri “Takimet e mia me...” sjell një lloj galerie kontekstualiteti historik të vendit, parë nga jeta e personaliteteve që kanë dominuar kohën, që nga Mbretëresha Geraldinë, duke pasuar te Nënë Tereza, Liri Belishova, At Zef Pllumbi, Jusuf Vrioni, Drita Kosturi, Ismail Kadare, Ibrahim Rugova, Pjetër Arbnori, Ilir Meta e shumë politikanë të tjerë.

Përzgjedhja e portreteve është bërë nga puna e autorit, i cili i ka mundur t’i njohë ata nga afër dhe t’i intervistojë gjatë karrierës së tij 35-vjeçare.

_______________________

Emrin e tij e pashë së pari në një nga kopertinat e Novela 2000, revistës popullore italiane të gossip, që në atë kohë ishte në kulmin e saj. Me një foto të marrë nga larg, ku ecte në krah të Ana Oksës, këngëtares italiane me origjinë shqiptare, vendosur në kopertinë. Revista e komentonte si një nga njerëzit më të pasur të Luganos dhe një ndërtues që kishte biznese kudo në botë. Por asgjë më shumë.

- Kush është Behgjet Pacolli? - pyeta një mik që e njihte Kosovën. - Nuk e di, - më tha.

Pak kohë më vonë pyeta sërish Mahmut Bakallin.

- Një mik i imi, - më tha. - Merret me biznes në Zvicër, ka ndërtuar disa shtëpi për familjen e tij në Hajvali.

Emri i Behgjet Pacollit nisi të bëhej gjithnjë e më shumë i pranishëm sidomos pas luftës së Kosovës. Ai nisi të shfaqej kudo, nga raporti me Ana Oksën, tek rindërtimi i Kremlinit, nga ideja e një kthimi në Kosovë, tek investimet në Shqipëri. Një gazetare që e kishte takuar bashkë me Oksën ishte tejet e befasuar. “Aty ku e takova, në Milano”, më tha, “të gjithë i vinin rrotull atij dhe pak vëmendje kishin për Ana Oksën”. Në Shqipëri pasuria ende nuk vlerësohej sa sot dhe na befasonte vëmendja ndaj një njeriu të pasur.

E takova për herë të parë në prill të vitit 2000, në zyrën e tij në Lugano. Mabetex kishte në atë kohë një godinë imponuese dhe Pacolli më priti në zyrën e tij, nga ku para meje kishte dalë ish- ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Shulc. Isha këmbyer me të thuajse pa e besuar që kishte ndenjur pa lëvizur për tre orë e ca në zyrën e një sipërmarrësi. Një zyrë e madhe, në pjesën e pasme të së cilës u befasova nga gardëroba gjigande me një seri kostumesh Brioni, varur brenda këllëfëve prej lëkure dhe këpucëve Moreschi që kombinoheshin me çdo ngjyrë të tyre. Ishte një lloj luksi i panjohur për ne e padyshim për Kosovën, por jo për Behgjet Pacollin. “Më fal për vonesën”, më tha. “Po negocionim një kontratë me qytetin e Berlinit për të mbuluar me një veshje speciale fasadat e pallateve të ndërtuar në kohën e DDR. Nuk ka zgjidhje tjetër për to”.

Gjëja e parë që më bëri përshtypje tek ai, që e konfirmova edhe më vonë, ishte sjellja tejet e kujdesshme. U mundua të isha sa më komod, më pyeti me detaje për familjen dhe më ftoi për darkë. Madje e bëri këtë me shumë kujdes, duke shtuar, “shpresoj që të mos jesh i zënë me plane të tjera”. U ulëm për një intervistë të gjatë ku ai zbuloi plot gjëra që nuk i kisha ditur për të. Historia e fillesave të tij është më shumë sesa befasuese.

Lindi në vitin 1951 në Marevc, një komunitet i vogël afër Prishtinës, në një familje bujqish modestë. Lidhjen më të fortë e kishte me gjyshin, Isën. Gjyshi u bë në fakt edhe shtytësi i fatit të tij të madh në jetë. Dhe ai s’e harroi këtë kurrë. Por fati është shpesh memec në jetë dhe të duhet t’i kapësh shenjat e tij. Behgjet Pacolli e pati këtë fat.

Pas mbarimit të shkollës fillore, për arsye të rezultateve të larta, e dërguan për studimet e mesme në shkollën pedagogjike në Prishtinë. Ai ishte shpresa e familjes për një jetë më të mirë. Merrte çdo mëngjes autobusin që e linte në kryeqytet dhe mundohej të ishte ndër nxënësit me rezultatet më të larta. Shkolla pedagogjike ishte në atë kohë një institucion arsimor ku shkollohej elita e ardhshme e Kosovës. Në kontrast me mirëqenien e shumë prej nxënësve të regjistruar aty, Pacolli ishte dukshëm modest në veshje. Një ditë, veshja u bë shkaku që ai të braktisë shkollën ku prindërit kishin projektuar të ardhmen e tij. Një prej djemve të familjeve më në gjendje e ndaloi në korridor dhe në sy të nxënësve të tjerë i lëshoi një frazë, që adoleshentin e kishte prekur thellë: “Thuaju prindërve të të blejnë pantallona të reja dhe mos hajde me pantallona të arnuara se këtu është institucion!”

Nuk qëndroi më asnjë sekondë në shkollë. Me lot në sy u nis drejt fshatit. Harroi që duhej të merrte autobusin dhe e bëri rrugën më këmbë për disa orë. Kur mbërriti, personi i vetëm në shtëpi ishte gjyshi, Isa.

- Nuk kthehem më në shkollë! - i tha.

- Duhet! - i tha gjyshi.

- Nuk kthehem! - ia ktheu djali.

I rrëfeu historinë me shokun e klasës dhe gjyshi i dha të drejtë.

Vite më vonë, po ky shok shkolle do kishte një karrierë të ndritur politike në Kosovë, por Pacollit s’ia kishte kujtuar më kurrë atë moment.

- As ti nuk ia përmende? - e pyeta.

- Jo, - më tha. E pse kishte rëndësi? Ai në fakt më ndihmoi me ligësinë e tij.

Për të mos krijuar probleme me prindërit, gjyshi e mori vetë vendimin. Nxori nga një dollap pesëdhjetë marka gjermane, ia dha djalit në dorë. I sugjeroi të shkonte tek një komshi e të merrte edhe pesëdhjetë të tjera borxh në emër të tij dhe po atë pasdite të nisej me tren nga Fushë-Kosova për në Gjermani.

Nuk i di detajet e udhëtimit, por supozohej që në orët e vona të natës, daja ta priste Pacollin në Hamburg. Për fat të keq ai nuk kishte dalë dhe djali 16-vjeçar ngeli i vetëm dhe i uritur në stacionin e zbrazur të trenit, pa ditur gjermanisht. “Mund të ishte ora mbase dy e natës”, më rrëfente më vonë. “Pashë hapur një piceri ku veç pronarit nuk kishte asnjë tjetër. Iu luta me shenja dhe me pak gjermanisht që të më jepte një copë picë dhe si shpërblim t’i pastroja dyqanin. Por ai më trajtoi si të isha një i droguar. Fillova të qaja dhe dola jashtë. Me sa duket ai u prek, doli në derë dhe ma bëri me dorë. Më dha një copë picë dhe mori në telefon dajën”.

Burri që kishte me qira picerinë e vogël ishte sirian. Ai u bë mik me Pacollin dhe miqësia e tyre vijoi me dekada. “Sa herë shkoj në Hamburg e takoj”, më tregoi në një intervistë. Ca vite më pas e bleu picerinë ku punonte.

Behgjet Pacolli nisi një jetë të re në Hamburg, ku studioi dhe siç thotë vetë edhe u diplomua. Për t’i bërë këto iu desh të punonte në çfarëdolloj pune për vite me radhë. Pas studimeve u zhvendos në Zvicër, ku një sipërmarrës zbuloi tek ai talentin për të bërë biznes. Në këtë kohë nisi të punonte si agjent i disa kompanive zvicerane, kryesisht në vendet e Europës komuniste të kohës. Në fund të vitit 1980 mbërriti edhe në Shqipëri, ku bashkëpunoi me TeknoImportin. Historitë e tij në Shqipëri nuk kanë fund. Dosja e Sigurimit që e survejonte është e mbushur me detaje të kota, që sot, realisht, nuk e kuptoj nëse dikujt i hynin në punë. Shënojnë për shembull orën kur doli nga hotel Dajti për të bërë një shëtitje me vajzën e atasheut ekonomik polak, por edhe sa herë i foli banakierit të hotelit pa i kërkuar një shërbim konkret. Botë e çuditshme kjo e Shqipërisë, që u mbyll me një ngjarje edhe më të çuditshme!

Natën e vonë të 18 dhjetorit 1981, një grup oficerësh sigurimi trokiti në derën e dhomës së tij në hotel Dajti dhe i kërkuan që në 30 minuta të bënte gati rrobat dhe të zbriste poshtë. I thanë vetëm se nuk mund të qëndronte më në Shqipëri. Fillimisht e mendoi një gabim, por kur nuk mori përgjigje zbriti në holl, ku gjeti pothuajse çdo të huaj që ishte atë natë në hotel me valixhet gati. I hipën të gjithë nëpër makina e autobusë dhe në orët e para të mëngjesit i nxorën në doganën e Hanit të Hotit dhe i dërguan në Jugosllavi, pa i dhënë rëndësi se cilës kombësie i përkisnin dhe me çfarë mjeti kishin ardhur. Atë që po ndodhte e mori vesh në doganë. Oficeri jugosllav i kufirit u tha se një natë më parë në Shqipëri kishte vrarë veten, ose kishin vrarë kryeministrin Mehmet Shehu dhe situata nuk ishte e qetë.

Që nga ajo kohë nuk u kthye më në Shqipëri, deri në rrëzimin e regjimit komunist. Sot, ka një rezidencë të tijën në Tiranë, nga ballkoni i së cilës sheh perëndimin e diellit mbi kodrat e Durrësit dhe një vilë të madhe pushimi në Gjirin e Lalzit.

Behgjet Pacolli beson ende se një engjëll i padukshëm e ka shpëtuar disa herë në jetën e tij. Fillimisht në vitet ’80, kur duke u kthyer në Zvicër me makinë, bëri një aksident të tmerrshëm. Një çift gjerman që vinte pas e dërgoi deri në spital, të bindur se tashmë nuk ishte më gjallë. Personeli i gjeti në xhep një bllok me shënime e numra telefoni ku njohu emrin e Mahmut Bakallit, anëtar i Byrosë Politike të Jugosllavisë, një nga dhjetë njerëzit më të fuqishëm në vend. Drejtori i telefonoi për ta njoftuar, pa asnjë dijeni kush ishte personi i plagosur. I tha thjesht se një person që kishte vdekur në një aksident kishte në xhep një bllok shënimesh ku ishte emri i tij. Mahmut Bakalli kërkoi që ai dhe mjekët më të mirë ta vizitojnë personalisht. E kishin lënë pranë morgut, të bindur se kishte ndërruar jetë, por e dalluan që ishte ende gjallë. E sollën në jetë, pas shumë operacionesh e peripecish, por qëndroi më shumë se 18 muaj me kokën e mbërthyer me hekura dhe lëvizte me karrocë.

Herën e dytë fati e mbrojti në një tjetër formë. Po udhëtonte në segmentin Meksiko Siti -Uashington-Varshavë, kur avioni që vinte nga Meksika u vonua. Ndërsa nxitonte e pa se si gate i tij u mbyll dhe personat që ishin aty nuk ia hapën sërish, me gjithë lutjet e përsëritura. U detyrua të shkonte në hotel. Në mëngjes, lajmi i parë që lexoi ishte se avioni i linjës Uashington-Varshavë ishte rrëzuar mbi Atlantik. Vonesa dhe këmbëngulja e personelit për të mos e lënë të kalonte e mbajti në jetë.

Në mes të viteve ’80 nis vizitat e para në Bashkimin Sovjetik. Situata ekonomike ishte atje tejet e rënduar dhe Zvicra kishte gjetur një parajsë për të shitur prodhimet e saj moderne në një vend me industri tashmë demode. Fati i tij më i madh ishte ndërtimi i një fabrike në zonën e Novi Sibirsk në Siberi. Atje u njoh me Sekretarin e parë komunist të rajonit, që quhej Boris Jelcin. Me të vendosi një raport të afërt për dy arsye, e para për respektimin e afateve të kontratave, që në Bashkimin Sovjetik të kohës ishte një sipërmarrje thuajse e pamundur dhe e dyta, sepse duke mësuar se Jelcin ishte me diabet, i sillte atij disa ilaçe fare bazike që nuk gjendeshin në Siberi. “Ilaçet i blija në farmacinë e aeroportit, qenë fare të zakonshme, por në Bashkimin Sovjetik ato ishin një shpëtim”.

Pas rrëzimit të Bashkimit Sovjetik, Boris Jelcin që tashmë ishte ngritur në postin e presidentit të Rusisë së re dhe kishte hyrë në Kremlinin e famshëm, u kujtua për zviceranin që mbaronte kontratat në kohë e me cilësi. E thirri në Moskë ku e aktivizoi në punë fillestare, derisa një ditë i kërkoi të ndërmerrte një sipërmarrje jo të zakonshme; të restauronte, për t’i kthyer shkëlqimin e zakonshëm, Kremlinit - Pallatit më të famshëm të Rusisë. Në 70 e ca vjet ai nuk ishte prekur kurrë me dorë. Në atë kohë Behgjet Pacolli ishte shkëputur nga firma ku punonte dhe kishte krijuar firmën e tij të quajtur Mabetex.

Restaurimi i Kremlinit ishte guri i kurorës në gjithë sipërmarrjet e tij. “Për të mbuluar muret me afreske e zbukurime, komunistët kishin përdorur që në 1917-n një teknikë të thjeshtë. Kishin ngritur mure prej kompensate të presuar 50 cm larg mureve dhe tavaneve dhe i kishin lyer ato. Kur e morëm dhe hoqëm kompensatat për të zbuluar pikturat, afresket dhe muret origjinale, një mizëri minjsh dolën nga pas dhe mësynë Kremlinin.

Pas disa vitesh gjithçka ishte ndryshe. Një video e kohës tregon Behgjet Pacollin mes presidentit Jelcin dhe atij amerikan Klinton, me presidentin francez Shirak e Kancelarin Kohl, duke u bërë atyre guidën e Kremlinit të restauruar.

Nami i restauratorit ishte aq i madh, sa u thirr të rindërtonte brenda 60 ditëve vilën ku do flinte Mbretëresha Elisabetë në Shën Pjetërburg dhe Parlamentin e Rusisë, pasi Jelcini e goditi me top, sepse aty qenë barrikaduar kundërshtarët e tij.

Por në Rusi nisën të publikohen shkrime që thoshin se restaurimi i Kremlinit kishte marrë fonde të tepruara. Prokuroria Ruse nisi një investigim dhe prokuroria e Luganos, iu përgjigj për ndihmë. Ata deklaruan se kishin gjetur një llogari bankare, të lidhur me kartën e kreditit të vajzës së Jelcinit që mbushej rregullisht nga Mabetex. Pacolli pretendonte të kundërtën. Beteja ligjore zgjati shumë dhe nuk pati asnjë përfundim.

Një nga dokumentarët më të mirë të BBC-së e lidh ngjitjen në pushtet të Putinit me aferën Mabetex. Sipas tyre, Putin e pastroi këtë çështje dhe si shpërblim mori vendin që Jelcin nuk e mbante dot më. Raportet e tij me Pacollin qenë të ngrira që në momentin e parë. Ai duhej të largohej nga Rusia.

Sërish fati goditi në shenjë. Disa muaj më parë ai kishte shoqëruar në Kremlin presidentin e një republike ish-Sovjetike, Nursulltan Nazarbajevin, babanë e Kazakistanit të pavarur. Për fat në Kazakistan ishin zbuluar sasi të mëdha gazi dhe me një mundësi të pamat, Nazarbajevi kishte vendosur të ndërtonte një kryeqytet të ri nga fillimi, në mes të asgjësë. Ai u kujtua për Pacollin dhe marrëveshja mes të dyve funksionoi. Pacolli u zhvendos në Kazakistan, ku nisi ndërtimin e Astanasë. Pjesa më e madhe monumentale e qytetit është ndërtuar pikërisht nga ai. Janë vepra madhore që në Europë nuk ndërtohen më. Të rrallë janë ndërtuesit që kanë fatin në jetë të ngrenë një qytet nga fillimi.

Deri ato momente Pacolli nuk kishte treguar asnjë interes për politikën. Ai jetonte jashtë dhe nuk e kishte ndier presionin e asaj që po ndodhte në Kosovë. Nuk ishte përfshirë në asnjë lëvizje atje dhe dyshoi nëse kishte ndonjë kontakt tamam. Pikërisht në këtë kohë, kur situata ishte ndezur jashtë mase, në Moskë i bëjnë një propozim. Duke qenë nga Kosova i kërkojnë që të ndërmjetësojë me drejtuesit politikë të saj për një takim me Millosheviçin në Beograd.

Pa ndonjë kompleks, Pacolli udhëtoi drejt Beogradit ku takoi për disa orë Sllobodan Millosheviçin. Sipas Pacollit, ai i kërkoi një takim me liderët shqiptarë dhe i premtoi disa masa që e shtensiononin situatën. Pacolli mbërriti natën vonë në Prishtinë dhe takoi 2-3 vetë midis të cilëve, mikun e vjetër, Mahmut Bakallin. Liderët shqiptarë nuk pranuan që të takohen pa praninë amerikane dhe misioni i tij dështoi.

- Si ishte Millosheviçi? - e pyeta në një intervistë.

- Nervoz, - më tha, - një moment deshi të ndezë me një çakmak të madh puron e tij, por flakën e kishte ngritur aq shumë sa gati u dogj. Gjatë luftës së Kosovës nuk pati ndonjë rol të veçantë. Në ato kohëra u martua me shumë bujë me Ana Oksën në një dasmë që do të kujtohet gjatë. Por martesa nuk funksionoi. Kur e pyeta në emision se përse u nda me të, u përgjigj me dy fjalë: “Unë flija natën

dhe punoja ditën, ajo flinte ditën dhe punonte natën!”.

Pak kohë pas divorcit me të u lidh me një vajzë ruse, vajza e një piktori të njohur të Bashkimit Sovjetik, nga Shën Pjetërburgu, me të cilën ka sot katër fëmijë.

Pas luftës u kthye në Kosovë. Ndërtoi një shtëpi mahnitëse në një sipërfaqe prej 40 hektarësh dhe e ktheu atë në vendin më mikpritës në Kosovë. Vështirë që një vizitor i rëndësishëm i Kosovës të mos jetë i ftuar në shtëpinë e tij për darkë. I pret të gjithë me aq dashuri dhe përkushtim, sa shpesh nuk e di ku e gjen atë energji. Më 2016-n, pas betimit të Thaçit si president, kishte ftuar për darkë në shtëpinë e tij delegacionin e Shqipërisë dhe atë të diasporës shqiptare në botë; njerëzit ndoshta më të suksesshëm që ne kemi jashtë kufijve tani. Siç ndodh rëndom me ne, delegacionet mbërritën me më shumë persona sesa kishin raportuar. I gjendur në vështirësi shtroi një tavolinë të dytë, tek e cila u ul vetë i pari, që ata që do rrinin aty të mos ndiheshin keq që nuk ishin në tavolinën e parë.

Po me kaq vrull u përfshi në një ndërmarrje, thuajse të pamundur, për t’i siguruar Kosovës njohjen në vendet e botës së tretë. Nga Afrika në Oqeani, bëri mijëra e mijëra milje me avionin dhe shpenzimet e tij. Ftoi për darka politikanë e pagoi shpesh faturat e tyre personale thjesht për të marrë një konfirmim që e njihnin Kosovën si shtet.

Më ka qëlluar të udhëtoj me të në disa vende të Afrikës. Aftësia e tij për të vendosur kontakte ishte e jashtëzakonshme. Ashtu edhe aftësia për të kuptuar se çfarë i pëlqente tjetrit dhe çfarë e bënte të ndihej keq. Në fund të fundit, suksesi nuk është kurrë i rastësishëm dhe Behgjet Pacolli e kishte arritur atë me pashë. Ka udhëtuar pothuajse në çdo vend të botës dhe kjo është pasuria e tij më e madhe, por që nuk e manifeston shumë.

Më 2007-n krijoi një forcë politike dhe u imponua si parti e tretë. Rezultati ishte një befasi. Por duket se Pacolli nuk kishte asnjë interes për politikën aktive. Synimi i tij ishte të zgjidhej president. Mua, por edhe shumë të tjerëve, na u duk thuajse e pamundur, por ai ia arriti gjithsesi. Më 2011-n u betua si President i Republikës së Kosovës dhe dy udhëtimet e para ishin në Maqedoni dhe Shqipëri. Nuk e kishte nisur ende turin e tij të plotë, kur Gjykata Kushtetuese konsideroi në shkelje të rregullores zgjedhjen e tij. Mbase ndonjë njeri tjetër mund të mos kishte pyetur për këtë, por Pacolli u lëndua, dha dorëheqjen dhe provoi sërish. Por tani ishte vonë. Druaj se më pas u pendua për këtë gjest kalorësiak, por kjo nuk ndryshonte gjë.

Angazhimi i mëpasshëm në politikë ishte thjesht rutinë. Ai s’kishte asnjë ambicie politike dhe as i pëlqenin lojërat e saj. U zgjodh disa herë zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm, por kjo ishte vetëm një kartëvizitë për më shumë kontakte jashtë Kosove.

Pasioni vijuan të mbeten udhëtimet. Sa herë nisej, përsëriste një frazë që është tipike për udhëtarët e vërtetë: “Unë di kur nisem, por s’e di kurrë kthimin”.

Një herë, qëndrimi ynë në Kenia ku takoi presidentin Keniata zgjati më shumë sesa pritej. Kur hipëm në avion për t’u nisur drejt Zimbabvesë, piloti njoftoi se nuk kishim më leje uljeje.

- Shko për Tanzani, - i tha atij.

- Tanzania s’ka asgjë interesante, - i thashë. - Nëse s’ke ndonjë takim, shkojmë në Ruanda.

- Po, - ia ktheu në moment, - shkojmë në Ruanda.

Në Ruanda nuk e gjeti dot presidentin Kagame. I thanë se gjendej në Senegal në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri. Për tridhjetë minuta gjeti një ftesë për Senegal dhe po atë darkë zbritëm në Dakar.

Të nesërmen, duke folur e përqafuar presidentë e kryeministra, pashë një tjetër njeri. Nuk kam parë dikë që të ketë atë pasion për marrëdhëniet publike, pavarësisht nëse kishte ndonjë interes të drejtpërdrejtë apo jo. Ishte njeri që e bezdiste monotonia dhe nuk e përballonte dot atë.

Një herë, gjatë një udhëtimi, avioni i tij nuk u ul dot për të më lënë në Tiranë. Zbrita në Prishtinë ku do të më duhej të rrija atë natë. Nuk më la të shkoja në hotel. Më mori në shtëpinë e tij, ku u kujdes vetë për çdo detaj, përfshi edhe shtrimin e krevatit dhe sigurimin e çdo gjëje që kisha nevojë. Nuk kishte asnjë shprehje të një njeriu të pasur, ose pasuria i ishte bërë aq e zakonshme sa nuk e ndiente më si avantazh.

Nuk e di ku qëndron ai në hierarkinë e biznesmenëve të famshëm e të fuqishëm shqiptarë. Jeta është dinamike, shumë ngrihen e shumë bien. Por, për të, numrat dhe shifrat s’kanë më asnjë rëndësi. Ai është miti i biznesmenit të nisur nga hiçi, në një kohë që jo kushdo guxonte në jetë. Kishte guxuar atë mbrëmje kur 16-vjeçar, hipi në trenin drejt Gjermanisë, me sytë e përlotur nga fyerja e shokut, pa dashur t’i kërkojë familjes një palë pantallona të reja për të qëndruar në Prishtinë. Kishte vendosur të parin dinjitetin dhe besoj se, dinjiteti s’të nxjerr kurrë të humbur në botë...

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH