Arte

PIKTURA E DITËS: "Maro Konda", gruaja labe në përleshje të pabarabartë me jeniçerët - vepër e Lazar Taçit

Shkruar nga Liberale

PIKTURA E DITËS: "Maro Konda", gruaja labe në përleshje

 “Maro Konda”, e realizuar nga piktori dhe ilustruesi korçar Lazar Taçi, në fund të viteve ’80-të, është një prej atyre përfytyrimeve krijuese, të cilat rreken të shpërfaqin përmes imazhit, shprehshmërisë artistike, një etapë të caktuar, një moment historik që koha dhe kujtesa, gati sa nuk e kishin shpërbëtë tërësisht.

E parë në një rrafsh estetik, “Maro Konda”, dallon për dinamizëm dhe shprehi të theksuar të aktit të trimërisë së gruas labe, në përleshje të pabarabartë me jeniçerët osman. Është një ndeshje finale në një akt sublim sakrifikimi. Sytë e shastisur të jeniçerit në përpjekjen e dështuar nga ky sulm vetëvrasës i Maros, piktori i ka përcjellë me tone dramatike.

Ai vrull në tatpjetën e pjerrët të humbëtirës të kësaj zemërluaneshe është një fokus që artisti e ka plazmuar me një tërësi komponentësh rrëfyes. Gati gati ajo i ngjet një shqiponje e cila vërsulet përbindëshit që rrezikon të vegjlit e saj. Hidhet furishëm mbi kërcënimin si mbi vdekjen që e përjetësoi akti.

Lazar Taçi u lind në qytetin e Korçës në vitin 1942 në një familje të kthyer në vitin 1938 nga një migrim i gjatë në Odessa, Rusi. Në vitet 1954-1960, Taçi ka studiuar në Shkollën e Arteve të Tiranës, ndërsa në vitet 1961-1966 zhvillon studime në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Duke punuar fillimisht si mësues vizatimi, pas arrestimit të nënës së tij, për arsye politike, për një periudhë prej 12 vjetësh (1967-1979) janë privuar nga mundësia për të marrë pjesë në aktivitetet e artistike të vendit, dhe kjo e detyroi atë të kushtonte ilustrimit.

Rezultati i shumë viteve në këtë zhanër janë qindra ilustrime të revistave të fëmijëve dhe të rriturve, dhjetëra libra. Në vitin 2000 u zgjodh për IBBYl Honor List.

Sfida krijuese e Lazar Taçit, natyrisht që nuk u përfaqësua vetëm me punën “Maro Konda”. Ai ka një galeri të pasur punësh, ku spikat një lloj uniteti dhe veçantie krijuese. Si peizazhet ashtu edhe personazhet që la në galerinë e tij, janë punë që pasurojnë njohjen tonë me këtë artisti.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH